E Shtunë, 31 Tetor 2026

A ka marrë fund Britania?

Nga Eamonn Butler, “Wall Street Journal”

Shpresa lind përjetësi në kraharorin e politikanëve; te sekretari britanik i Thesarit, Alastair Darling, më shumë se të gjithë, ndërsa mbajti fjalimin e tij të përvitshëm për buxhetin javën e kaluar.

Ai pranoi që ekonomia e Britanisë ishte në rrugë të keqe. Ajo do të bjerë me 3.5% këtë vit, shumë më shumë se 1% që ai parashikoi në nëntor. Por, hej, çdo vend është në rrugë të keqe tani dhe në 2011-`12 Mbretëria e Bashkuar do të nisë sërish rritjen ekonomike në shifra rekord, 3.5%. Krizë? Çfarë krize?

Fatkeqësisht, buxheti britanik ka prirjen të shpërbehet shumë shpejt. Që kur Gordon Brown harroi në njëfarë mënyre të theksonte 5 miliardët e “taksës së padukshme” për buxhetin e vitit 1997, njerëzit e dëgjojnë më me skepticizëm se zakonisht sekretarin e Thesarit, duke pritur gjahtarët e numrave që t’i ekspozojnë shifrat reale pak ditë më vonë.

Na u desh të prisnim vetëm nja dy ditë, derisa Zyra Kombëtare e Statistikave gjeti një të çarë në optimizmin e sekretarit. Sipas tij, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar ra 1.6% në tremujorin e fundit të 2008 dhe 1.9% akoma në tremujorin e parë të 2009 - rënia gjashtëmujore më e madhe që kur filluan të mbahen statistika në 1948 dhe shumë më shumë se parashikimi i qeverisë. FMN paraqiti një pamje edhe më dëshpëruese, kur parashikoi se rënia ekonomike e këtij viti në Britani do të jetë realisht 4.1% dhe se ekonomia do të vazhdojë të ketë rënie vitin tjetër, kur sekretari i Thesarit kishte llogaritur rritje. Ky është lajm i keq për një qeveri që përpiqet të dalë nga kriza me borxhe, ndërsa shtrydh “të pasurit” duke rritur taksat e nivelit të lartë në 51%.

Një tjetër sport britanik është vëzhgimi i qeverisë gjatë ndryshimit të vlerësimit për marrjen e borxheve të saj. Hera e fundit që qeveria ia doli t’i përmbahej parashikimit të saj për buxhetin ishte viti 2000. Kohët e fundit, dallimi mes borxhit të parashikuar dhe atij faktik është bërë spektakolar. Në 2008 sekretari i Thesarit parashikoi se mund të huante 70 miliardë paund tani deri në vitin 2011. Javën e kaluar, vlerësimi i tij ishte pesë herë më i lartë - 348 miliardë. Në vitet 2013-2014 ai do të ketë nevojë për 703 miliardë, dy herë më shumë se parashikimi i tij para pesë muajsh. Në 22 vitet e ardhshme Britania mund të marrë borxhe - dhe, sipas parashikimeve të zoti Darling, shifra nuk mund të përcaktohet.

* * *

Krerët e laburistëve anglezë kanë fajësuar bankierët, veçanërisht ata amerikanë, për problemet e vendit. Ata, në fakt, e kanë sjellë vetë krizën në njëfarë mase. Ata panë si të ardhmen e Britanisë shërbimet financiare dhe jo prodhimin. Çudibërësit financiarë u larguan nga Manhatani për në Londër, të joshur nga taksat e ulëta dhe mjedisi ligjor i lehtësuar. Tregu financiar i City-t (qendra financiare e Londrës), lulëzoi me 8% kontribut në GDP dhe 15% të të gjitha taksave të korporatave. Por mbështetja e madhe e Britanisë në shërbimet financiare e la atë të ekspozuar, kur goditi kriza bankare.

Shto këtu edhe papërgjegjshmërinë e sektorit publik dhe familjeve. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Britania është rritur në kurriz të shpenzimeve qeveritare dhe konsumatorit, të dyja të ushqyera me borxhe. Por tani, ndërsa familjet po kursejnë dhe paguajnë borxhet, qeveria po shpenzon dhe huazon edhe më shumë.

Vjen një kohë, kur huazimi afatshkurtër kthehet në problem afatgjatë. Borxhi i qeverisë britanike është ende tripëll A, por në një ankand të fundit garancia e borxheve të qeverisë nuk u shit e plotë e madje disa tregtarë e çmuan atë më poshtë se borxhet e disa kompanive tregtare. Qeveria e Britanisë do ta ketë më të vështirë dhe më shtrenjtë të huazojë në shifrat e mëdha që kërkon.

Tashmë, qeveria ka nisur të duket e dëshpëruar. Darling (sekretari i Thesarit) planifikon të rrisë taksën mbi të ardhurat nga 40% në 50% (plus 1.5% kontribute të detyrueshme për sigurimet kombëtare), për njerëz që fitojnë më shumë se 150 mijë paund në vit. Duke hequr disa ulje të caktuara taksash, edhe ata që fitojnë më shumë se 100 mijë paund në vit do të paguajnë taksa më të larta.

Problemi me taksat është se rritja e tyre, mbi një nivel të caktuar, është joproduktive. Njerëzit do të jenë më të kujdesshëm për të punësuar financierë të shtrenjtë për të shmangur pagimin e plotë të taksave. Nëse nuk ia arrijnë, ata mund të zhvendosen së bashku me paratë e tyre në vende me ligje taksimi më të buta, siç kërcënoi të bënte aktori Michael Caine.

Sekretari i Thesarit pretendon se rritja e taksave në 50% do të sjellë 1.3 miliardë paund në buxhet, por Instituti i Studimeve Fiskale thotë se mund të sjellë asgjë, pasi ndoshta 70% e atyre që kanë të ardhura të larta mund të mos paguajnë ose mund të shmangen. Qendra e Kërkimeve Ekonomike dhe Biznesit mendon se rreth 25 mijë persona me të ardhura të larta mund të largohen nga Britania, duke i kushtuar qeverisë - dhe tregut financiar të Londrës - qindra milionë paund humbje në të ardhurat nga taksat dhe investimet.

Duke u marrë njerëzve 51.5% të fitimit të tyre përhap gjithë sinjalet e gabuara. Kjo sugjeron në mënyrë absurde se qeveria është më e mirë se ne në shpenzimin e parave tona. Taksat e larta thjesht do t’i nxisin njerëzit të harxhojnë më pak dhe do t’i lënë sipërmarrësit me më pak për investime, dhe asnjëra prej këtyre mundësive nuk e ndihmon Britaninë të rimëkëmbet.

Kur qeveria e Margaret Thatcher e uli taksën e fituesve të mëdhenj në 40%, ata që kishin të ardhura më të larta faktikisht paguan më shumë, dhe përbënin një shifër të lartë kontribuesish në të ardhurat nga taksat, më shumë se më parë. Edhe ish-kryeministri laburist, Toni Blair, e denoncoi shkallën 50% të taksimit si “gabim, seriozisht gabim”.

Ndërsa personat me të ardhura më të larta supozohen të sakrifikohen për kombin dhe bizneset janë goditur fuqishëm nga kriza ekonomike, nëpunësit e qeverisë dhe pensionet e tyre të majme nuk janë prekur fare.

ǒmund të thuhet për konservatorët? Para qershorit 2010 në Britani do të ketë zgjedhje të përgjithshme dhe konservatorët, që kryesojnë në sondazhe me 18 pikë, janë favoritët kryesorë. Pastaj barra për të zgjidhur malin me borxhe të Britanisë do t’i bjerë David Cameron-it dhe kolegëve të tij. A do të ketë ai fuqinë e duhur të rikthejë rregull në financat publike?

Ai i ka harxhuar vitet e fundit t’i bëjë konservatorët të duken më të butë, më tërheqës - duke folur më tepër rreth çështjeve sociale sesa për uljen e taksave. Ai ka thënë madje se, megjithëse taksa e re 50% ishte “një pjesë patetike e luftës së klasave” dhe jo veprim ekonomik i qëlluar, heqja e saj “nuk do të ishte prioritet i lartë” i qeverisë konservatore në të ardhmen. Por kjo vjen për shkak se Cameron mund të jetë përpjekur të ndërrojë imazhin e konservatorëve, prapëseprapë ai përkrah një nga parimet themelore të Thatcher-it: që një vend, ashtu si një biznes familjar, duhet të rregullojë financat. Ashtu si Zonja e Hekurt, ai paralajmëron për rreziqet e borxhit dhe inflacionit.

Ai duhet ta dijë se, në qoftë se bëhet kryeministër dhe qeveria e tij nuk rezulton më e vendosur dhe me më pak borxhe, partia e tij do të marrë fund. Madje më keq, kështu do ta pësojë edhe Britania.

Autori është drejtor i institutit “Adam Smith” dhe autor i librit “The Rotten State of Britain: Who is Causing the Crisis and How to Solve It”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›