Loja me policë e hajdutë në degën socialiste të Tiranës
Pas komisarit politik komunist, po ndërtohet komisariati politik socialist. Rikthimi i terminologjisë së vjetër në politikën e re dëften se Partia Socialiste po përgatitet ashpër për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Ashtu siç parashikohej, militarizimi i strukturave nëpër rrethe po menaxhohet nga dora e fortë e ish-Ministrit të fundit të Sigurimit, Gramoz Ruçi që është urdhëruar me qarkore të shtypë revoltën e bazës socialiste, e cila ka dalë kundra diktatit të edvinit për të pilotuar kryetarët socialistë të rretheve. Me afrimin e muajit elektoral dhe radikalizimin e pritshëm në vjeshtë, Edi Rama e ka ndarë mendjen të emërojë kryetarët e rinj të rretheve për partinë, që të këtë çdo gjë nën kontroll. Emërimi i ish-Kryepolicit të Tiranës, Pjerin Ndreu në kreu të degës së Partisë Socialiste në Tiranë është një sinjal i qartë se Edi Rama kërkon të ushtrojë një trysni fizike ndaj procesit zgjedhor në kryeqytet, ku shpreson ende të mbrojë kështu humbjen e mundshme. Me riprodhimin e strategjisë së 2007, ku u krijuan shtabet e policisë private dhe me politikanë në çdo mini-bashki, Edi Rama tregon se ka frikë për nj dështim të mundshëm, prandaj po rikthehet skema e një dorë të fortë nëpër qendra votimi. Kështu që policia bashkiake e Tiranës, e përbërë nga 250 efektiva do t’u shtohet forca të tjera policore dhe politikanë për të tentuar një puç zgjedhor në Tiranë. Ndërtimi i një strukture paralele si policia zgjedhore (bashkiake dhe partiake) që ka ndërtuar Edvin Rama, në pritje fushatës dhe procesit elektorale, demaskon prirjen për të gjetur mburoja politike aferave miliona eurove që kanë multi-milionerët e PS-së me pretendim se po krijojnë “Komitetin e Shpëtimit të Votës”.
Në krye të këtij Komiteti për Tiranën është vënë “Komisari i dritës”, Pjerin Ndreu, Ish-drejtori i Policisë së Tiranës. Një polici që ka pasur gjithmonë tendenca politikë-bërjeje. Mbahen mend shkëmbimet dhe provokimet në vitin 2003 me Ministrin e Rendin, Igli Toska. Në atë kohë Pjerin Ndreu ishte edhe i shoqëruar në polici (dt. 18.09.2003) për t’u marrë në pyetje në lidhje me akuzën që është ngritur në adresë të tij, “kanosje për shkak të detyrës”. Mësohet se Ndreu është prangosur, pasi u dyshua se ka kanosur një zyrtar të lartë të Ministrisë së Rendit Publik, emri i të cilit nuk u bë i ditur. Burimet e atëhershme sqaruan se ky zyrtar ka denoncuar kanosjen prej ish-zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ndreut, e më pas është vendosur shoqërimi i tij në polici. Ky arrestim erdhi në fund të një serie konfrontimesh që Ndreu kishte me strukturat e larta të Ministrisë.
Prej disa muajsh, kreu i Ministrisë së Rendit Publik dhe ish-zyrtari i lartë i kësaj ministrie, Ndreu kishte “shfrytëzuar” median për të shkëmbyer akuza të rënda në adresë të njëri-tjetrit. Në muajin prill të vitit 2003, ministri i Rendit Publik, Igli Toska ka akuzuar ish-drejtorin e policisë së Tiranës, Pjerin Ndreu për skandalin e 350 pasaportave të lëshuara në mënyrë të jashtëligjshme në Gjirokastër, për implikimin në një incident me armë, si dhe për shkelje të tjera të një natyre më pak të rëndësishme.