E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoku Pjerin Ndreu, shumë fjalë për asgjë

Kryetari i ri i PS-së Tiranës, komisari i dritës socialiste Pjerin Ndreu është një nga ato personazhet që mbahet mend për çka thotë dhe jo për atë çka bën. Dhe këtë e ka vërtetuar sa herë. Në redaksitë e medieve mbahet mend shumë mirë skup-i i tij në një të përditshme shqiptare për gjoja një shit-blerje deputetësh në merkaton e politikës shqiptare me shprehjen se “Dikush m’u afrua një ditë dhe më thotë që ti ke mik filan deputet. Po, i them. - A mund të bisedojmë me të, do jetë mirë dhe për ty nëse realizohet”. Po mirë, ma thuaj si është puna, - i them. - Janë 2 milionë euro në dispozicion nëse ai pranon të ikë nga PS-ja. Ku të shkojë, - i them? - Po tek PD-ja, LSI-ja apo te grupi i kundërshtarëve të Ramës”. Sigurisht akuza të pavërtetuara sepse të pabazuara. Dhe natyrisht si ish-kryepolic i aftë do ta kishte denoncuar ndërmjetësin e kësaj oferte, por Pjerini që të gjithë e njohim thonë se Ai ka më shumë fjalë sesa vepra.
Sidoqoftë më parë Pjerini na kishte habitur në profesionalizmin e tij si opinionist kundër Ministrit të rendit Socialist, Igli Toska. Që në një shkrim të 26 maj 2004 shkruante shkrimin “Ministri Shtet” me fjalët “Që ky njeri (Igli Toska) që në çastin e ardhjes në karrigen e zv/ministrit e pastaj ministrit po abuzon hapur me të drejtën që i jep ligji kjo nuk ka as më të voglin dyshim. Por nuk kuptoj se si në këtë shtet nuk u gjend asnjë mekanizëm që të frenojë abuzimin skandaloz të pushtetit që po bën ministri aktual i rendit”. Vërtet profesionale shkëmbimet e fyerjeve midis njerëzve me pozicione publike. Afërmendsh këto gjetje filipike Pjerini i bënte pasi ishte arrestuar për “kanosje” ndaj një kolegu, dhe një seri akuzash me Ministrin, Toska. Ky i fundit bëri publike (25/05/2004) akuza të rënda ndaj ish drejtuesve të policisë. Pjerin Ndreu është akuzuar për vrasje të ngelur në tentativë, e shpërdorim tenderësh. Ilirjan Dida është akuzuar për kultivim të lëndëve narkotike e abuzime në tendera. Bile Ministri ka shkuar deri aty sa “Ish Drejtori i Policisë së Tiranës, kryekomisar Pjerin Ndreu akuzohet për vrasje me dashje në bashkëpunim me një person tjetër, e ngelur në tentativë - thoshte ministri i Rendit Igli Toska gjatë një raportimi në Komisionin Parlamentar për Rendin dhe SHISH-in. Ministri deklaroi para komisionit se në Prokurori janë dërguar 4 kallëzime penale për ish drejtorin Ndreu, të cilat konsistojnë në: - "vrasje me dashje në lidhje me një krim tjetër, në bashkëpunim, e mbetur ne tentative me nr.576 datë 21.04.2004. Për veprime arbitrare (ka penguar punonjësit e policisë në kryerjen e një detyre të ngarkuar më parë si dhe shoqërimin e tyre në ambientet e policisë me urdhër verbal arbitrar). Për shpërdorim detyre në tenderin e karburantit referuar me datën 16 prill 2004. Për shpërdorim detyre nëpërmjet dhënies së urdhrit të paligjshëm lidhur me shpenzimet në telefoninë fikse nr.357 date 05.03.2004. Material shtesë për çështjen e pasaportave të rifilluar nga Prokuroria e Gjirokastrës”. Kështu njofton deklarata për shtyp e Ministrisë së Rendit në sajtin e saj: www.asp.gov.al/2004/prill/10njoftim.
Përsa i përket akuzës së parë që është shumë e rëndë dhe tregon për një tentativë të Pjerin Ndreut, kur ishte drejtor i Policisë së Tiranës, për të vrarë një person. Kjo ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në vitin 2003 në Tiranë. Ku Pjerin Ndreu në bashkëpunim me një person tjetër të njohur publikisht, kanë tentuar të vrasin Petrit Lleshin, i cili ka qenë person i kërkuar për vepra të tjera penale. Petrit Lleshit, policia e Tiranës në atë kohë i mveshi veprën penale të vrasjes së biznesmenit Florian Vila. Këtë version e rrëzoi Prokuroria. Ndërkohë që operacionin për arrestimin e Petrit Lleshit po e zhvillonin Forcat Speciale, në vendngjarje kanë shkuar Pjerin Ndreu dhe një person tjetër(Ish shefi i Krimeve të Tiranës gjatë 93-97) i cili nuk është më efektiv i policisë, dhe kanë qëlluar mbi të. Ndërsa akuzat e fundit ndaj Pjerin Ndreut që ka të bëjë me pasaportat në Gjirokastër, është publikuar edhe më parë nga Ministria e Rendit, e cila pretendon se Ndreu ka pajisur me pasaporta njerëz të kërkuar për krime. Ndërsa dy akuzat e tjera që kanë të bëjnë me pengimin e punonjësve të policisë për të kryer detyrën dhe të shpërdorimit të detyrës në tenderin e karburantit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, janë akuza që publikohen për herë të parë nga ana e Ministrisë së Rendit. Mirëpo këto akuza ishin paraqitur nga policia gjyqësore pa prova. çka detyroi Gjykatën e Tiranës (me datë 20. gusht 2004) të mos pranonte asnjë nga akuzat e policisë gjyqësore të Ministrisë së Rendit dhe të Prokurorisë lidhur me arrestimin e kryekomisarit Pjerin Ndreu. Gjykata e shkallës së parë të Tiranes mbi bazat e provave të paraqitura vendosi lirimin e Ndreut dhe vetëm paraqitjen e tij në policinë gjyqësorë .

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›