Milionerët dhe “mitralierët” e Ramës
Procesi i deklarimit të pasurive për vitin 2010 dokumentoi përfundimisht praninë e një grupi jo të vogël milionerësh në gjirin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të dalë nga zgjedhjet e përgjithëshme të 28 qershorit 2009 në Shqipëri. Por “de facto”, në këtë grup, mund të jenë edhe më shumë se 30 deputetë apo zyrtarë të lartë socialistë, të përfolur si të tillë deri në zyrat e Brukselit. Dyshmi të krijohet sapo shikon “fukarallëkun” e kryetarit të PS-së, i cili është katandisur në “shtëpi me qira” dhe me “borxhe” për të përballuar koston e jetesës ditore apo këstin vjetor të kredisë bankare përgjatë vitit politikor që sapo u mbyll, përballë “agallëkut” të Ledi Shamkut alias Enkelejda Shkreli, bashkëshortes së “hyzmeqarit” të tij në KRRT-në e Bashkisë Tiranë, Artan Shkrelit, i njohur nga publikimet e ndryshme në shtyp si sekseri kryesor i Ramës për lejet e ndërtimit së bashku me Alban Eftimin. Deputetja Shkreli ka në pronësi të saj; një apartament banimi (2+1), me sipërfaqe 140.8 metra katrorë, 12.7 metra katrorë ndërtesë në bashkëpronësi si dhe një vend parkimi me vlerë parkim 450 mijë lekë në Tiranë. Ndërkohë ajo disponon një banesë (2+1) në Berat, me sipërfaqe 69.9 metra, një banesë (3+1) në Golem, një truall në Mjull-Bathore me sipërfaqe 6 000 metra, një automjet tip BMë, 25 000 euro bizhuteri, etj. Pyetja që të vjen vetvetiu ndërmend në këtë rast është: Si ka mundësi që “çiraku” t’ia kalojë ustait edhe në pasuri, pa mirë në mjeshtëri?!...
Të njëjtin dyshim krijon dhe të njëjtën pyetje shtron edhe kur kujton pasurinë marramendëse të Rudina Seserit, Shegushe Ligorit, Dashnor Pezës, Artan Gaçit, Hazir Gashit, Gjovalin Kadelit, etj., pa le më atë të Tom Doshit, Fidel Yllit apo biznesmenëve të tjerë me emër në Partinë Socialiste. Por, përveçse për numrin, dyshimi të lind edhe për përmasat e zvogëluara të pasurisë reale të milionerëve të majtë. Por më shumë se sa numri i të pasurve dhe volumi i pasurisë, në këtë rast, të tërheq vëmendjen fenomeni i “borgjezimit” të një partie të majtë. Përfaqësuesit e “vegjëlisë” apo “popullit të majtë”, siç ka dëshirë ta quajë Edvin Rama elektoratin e vet, nuk janë më “të parët në sakrifica e të fundit në pretendime”, por disa “milionerë me flokët me brilantinë, unaza diamanti, me dhjetëra apartamente e makina të tipit të fundit”, siç i ka etiketuar në një moment zemërimi, bashkëluftëtari i tyre Erion Braçe.
Fenomeni i milionerizimit të Partisë Socialiste është “…binjak me historinë që e lindi…” këtë forcë politike në maternitetin e pluralizimit në Shqipëri, nën kujdesin e “gjinekologut” komunist, Ramiz Alia, i cili i ushqeu majtistët e “mitur” të demokracisë me “qumështin” e pushtetit ekonomik, në vend të atij politik. Të gjithë e kemi parasysh porosinë e tij “gorbaçoviane” në një nga mbledhjet e fundit të forumeve të larta të PPSH-së për ta mbushur boshllëkun e humbjes së pushtetit politik me “pushtet ekonomik”. Nuk është rastësi që shumica dërrmuese e dyqaneve të tregtisë apo shërbimit komunal të kohës së monizmit, në fillim të viteve ’90, përfunduan në duartë e të majtëve, që u bënë “promotorë” të aktivitetit privat, në një kohë që tërë jetën e tyre ishin shquar si punonjës apo nëpunës të zellshëm të kolektivizmit. Po kështu, nuk është rastësi që biznesmeni i parë në Shqipëri u bë ish Ministri i Tregtisë së Jashtëme të kohës së monizmit, Shane Korbeci; sikundër mund të themi të njëjtën gjë për dhjetëra zyrtarë të tjerë të lartë apo diplomatë të regjimit komunist. Në vitet e “socializmit të dytë” shqiptarë, në vitet 1997-2005, Fatos Nano e pasuroi në kushte të reja këtë tezë të paraardhësit të tij, i cili kooptoi në strukturat e larta të PS-së biznesmenët e parë të “paparti”. Qëllimi ishte rifreskimi i partisë me “gjak të ri” milionerësh, ndërkohë që milionerëve të vjetër të tipit “Baçi-Naçi” u kishte nxjerrë bojën si të korruptuar në mbledhjet e shumta të “kongresmenëve” shqiptarë. Pra, Nano e përdori këtë manovër politike si një mundësi “reformimi” të strukturave të PS-së për të shtuar jetëgjatësinë e pushtetit të tij, të dobësuar seriozisht nga prania e korrupsionit në të gjithë nivelet e qeverisjes të asaj kohe. Ndërsa Evdin Rama, udhëheqësi aktual i Partisë Socialiste, e përpunoi dhe e zbatoi qysh në opozitë këtë teori, duke e milionerizuar tej çdo parashikimi dhe parimi përbërjen e strukturave të larta të kësaj force politike, me qëllim “blerjen” e pushtetit qëndror, duke shfrytëzuar këtu edhe eksperiencën e krijuar prej tij në pushtetin lokal. Dikush mund të thotë që po paragjykojë, por s’është aspak e vërtetë, pasi më poshtë do të shihni, që nëse se s’po argumentojë, po gjykojë drejtësisht dhe parimisht, jo vetëm sipas mendjes time.
Eliz Diaz, në “El Sol” të datës 26 prill 1991, rreth një muaj e gjysëm para se sa Partia e Punës të shndërrohej në Parti Socialiste, konsideronte si shenja të identitetit të së majtës, “një predispozicion më të madh ndaj politikave ekonomike të rishpërndarjes e të nivelimit përpjestimor, të mbështetura më shumë te puna sesa te kapitali; më shumë vëmendje ndaj organizimit të çfarë është publike dhe e përbashkët, sesa ndaj çfarë është private dhe individuale; mbizotrërim të vlerave të bashkëpunimit dhe kooperimit ndaj vlerave të ballafaqimit e të konkurencës; më shumë vëmendje ndaj lëvizjeve të reja shoqërore dhe kërkesave të tyre pacifiste, ekologjiste, feministe; preokupim për realizimin faktik të të drejtave të njeriut, sidomos në lidhje me grupet e emargjinuara, të moshuarit, fëmijët, etj.; këmbëngulje në përparësinë për të gjithë, të nevojave themelore të tilla, si shëndeti, shkolla, banesa; më shumë ndjeshmëri e dashamirësi ndërkombëtare për zonat e vërfëra, të varura e të deprimuara; mëvetësi e vullnetit të lirë dhe debatit të arsyeshëm, si në marrjen e vendimeve politike mazhoritare e demokratike, ashtu edhe për të sendërgjuar etika kritike e shndërrime, të cilat nuk imponohen me argumenta autoritare ose me dogma organizmash fetare të karakterizuara nga prestigji karizmatik dhe/ose tradicional”.
Natyrisht, Fidel Yllët e Tom Doshët kanë ardhur në PS jo për të “shkrirë pasurinë e ta bëjnë…” parti, sipas këtyre parimeve të shenjta të së majtës, po për ta bërë partinë-pushtet me çdo kusht, në bazë të funksionit të parave të shtrenjta. Vendosmëria e kësaj iniciative majtiste duket edhe tek përpjekjet, gati një vjeçare të milionerëve socialistë, me protesta e greva urie për të ndryshuar rezultatin legjitim të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2008, pavarësisht se një përpjekje e tillë maskohet me demagogjinë e transparencës së kutive. Që nuk është fjala për transparencë demokratike, po për tension bolshevik, e tregon edhe “gjuha e forcës” së përdorur për ta përmbysur me dhunë pushtetin legjitim të mazhorancës aktuale. Disa fakte të zbuluara kohët e fundit tregojnë se ultimatumet e bëra nuk kanë qënë thjeshtë verbale, por militare. Jo shumë ditë më parë, u arrestua një anëtar i bandës së Zani Caushit, i dënuar në mungesë nga gjykata e rrethit Tiranë, në 2 shkurt të vitit të kaluar, i cili është kapur në krye të turmave protestuese të Edvin Ramës, duke kryer veprime aktive në bllokimin e rrugës tek "Ura e Farkës" në Tiranë e duke kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit. Ndërsa këto ditët e fundit u arrestua një tjetër militant-jomilinonerë, por militarë i Partisë Socialiste, Arben Simoni, i cili në protestat e muajit maj të këtij viti, i vendosur në krye të një grupi militantësh ramistë, të ardhur me autobuz nga Lezha, ishte protagonisti kryesorë që vihej në krye të protestave të paligjshme, duke ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe forcave të rendit në Bulevardin "Zogu i I" në afërsi të stacionit të Trenit në Tiranë. Ky peson, ndryshe nga lezhiani Gjovalin Kadeli, që “militantizimin” e tij ndaj kryetarit Rama e tregon me; 1 300 metër katror truall dhe një shtëpi private me sipërfaqe 154 metër katror në Tresh, 180 metër katror në Shëngjin, 74 metër katror apartament, 130,68 metër katror shtesë pallati, 54 metër katror një ndërtim tjetër, dy apartamente me sipërfaqe 233,1 metër katror dhe 132,3 metër katror, një restorant me sipërfaqe 180 metër katror në Shëngjin, 3 000 metër katror pyll dhe po kaq tokë, 704 metër katror truall, etj., ofron si mbështetje; 68 copë granata ofensive dhe defensive, 86 kallëpe tritol me peshë 35 kg, 200 metër linear fitil zjarrpërcjellës, një automatik model 56, një mitraloz i rëndë, një pushke 20-ëshe, tre krehra fishekë model 56 të mbushur me fishekë, një shirit me 100 copë fishekë dhe një arke me 1250 copë fishekë, të mbështjella në thasë, që kishin emblemën e Partisë Socialiste. Siç shihet, grupi i “mitralierëve” shihet po kaq deçiziv për pushtetin e Ramës sa dhe ai i milionerëve, por që për shkak të realitetit politik në të cilin jetojmë, qëndrojnë gjithnjë në prapavijë. Në ballë janë milionerët, të cilët mbështesin pa hezitim të gjitha lëvizjet e Ramës që pas zgjedhjeve të fundit, duke përfshirë edhe zgjedhjet brenda PS-së në qendër dhe në bazë, të cilat pritet të formalizohen, këto ditë, në kongresin e socialistëve.
Por bazuar tek ajo që thonë kinezët se, “paraja mund të blejë një shtëpi, por jo një vatër familjare; mund të blejë një shtrat, por jo ëndrrën; mund të blejë një orë, por jo kohën; mund të blejë një libër, por jo ndërgjegjen dhe diturinë; mund të blejë një post, por jo respektin; mund të blejë doktorin, por jo shëndetin; mund të blejë shpirtin por jo jetën; mund të blejë skesin, por jo dashurinë”, shtojmë që, paraja mund të blejë gjithëçka, por jo Demokracinë. Dhe kjo, sepse, sipas Rusos, “nuk ka gjë më të dëmshme se sa ndikimi i interesave vetike mbi punët shoqërore”, siç po ndodh në rastin e Ramës.