E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojë amatore, Vllaznia në rënie të lirë

Dy fitoret radhazi (në kampionat me Shkumbinin dhe në Kupë me Tomorin) ishin vetëm një iluzion. Vllaznia vazhdon ta shohë veten në krizë të thellë rezultatesh, por mbi të gjitha paraqet shumë probleme në lojën e skuadrës. Shkodranët u thyen me rezultatin 3-1 në fushën e Laçit, duke regjistruar humbjen e pestë sezonale dhe tashmë duken në "rënie të lirë". Trajneri i ri, Roland Luçi, duket i pafuqishëm ta ndryshojë situatën e krijuar, madje edhe ai ka përgjegjësitë e veta në lëvizjet e gabuara taktike. Megjithatë, faktet janë që kuqebluve u mungon harmonizimi, sulmi vazhdon të shpërdorojë shanse pafund për shënim, ndërsa mbrojtja (pa Elvin Beqirin të spostuar në mesfushë) bën gabime elementare në rreshtim. Të gjitha këto probleme janë shfaqur qartë në takimin e djeshëm, madje humbja mund të kishte përmasa katastrofike nëse nuk do të ishte për portierin Armir Grima dhe pritjet e tij. Në anën tjetër, laçianët regjistrojnë fitoren e parë pas 13 viteve përballë Vllaznisë dhe me këto tri pikë largohen përkohësisht nga vendi i fundit në klasifikim. Nora në të 50-n hapi serinë e golave për skuadrën e drejtuar nga Stavri Nica, ndërsa Veliaj (63) dhe Nimani (70) hipotekuan fitoren e kurbinasve ende pa përfunduar ndeshja. "Ishte një fitore e merituar, e kishim përgatitur mirë këtë takim, deklaroi trajneri i laçianëve. Në pjesën e parë loja ishte e barabartë, ndërsa në pjesën e dytë shfrytëzuam rastet që na u krijuan dhe arritëm të merrnim tri pikët. Vllaznia na krijoi probleme në 45 minutat e para, por e kërkuam me ngulm fitoren dhe e realizuam këtë objektiv. Duhet të theksoj edhe se episodet e ndeshjes rrodhën në favorin tonë". Nica ka të drejtë që flet për episodet në favor të të tijve, pasi në të tri momentet e golave, pesha kryesore e fajit bie mbi mbrojtjen kuqeblu: e rreshtuar gabim në sulmet e vendasve dhe gjithmonë inekzistente në duelet me sulmuesit e Laçit.

Në fakt, 90 minutat mund të kishin një histori krejt të ndryshme, nëse Vllaznia do të shënonte në mundësitë e shumta të krijuara gjatë pjesës së parë. Vioresin Sinani është shfaqur dy herë i vetëm me portierin Llani (në të 42-n topi u frenua nga traversa), por duket se sulmuesi e ka humbur kthjelltësinë e dikurshme, që e bënte "vdekjeprurës" në zonë. I riu Bekim Bala vrapon, krijon hapësira, lufton me mbrojtësit (pas një kontakti me sulmuesin, laçiani Çela përfundon në spital), por i vetëm nuk arrin të bëjë asgjë. "Humbja 3-1 tregon se kemi zhvilluar një lojë mjaft të dobët", deklaroi trajneri Luçi pas ndeshjes. "Mendoj se rezultati përfundimtar mund të kishte qenë në favorin e Vllaznisë, nëse do të kishim finalizuar rastet e shumta për gol që na u paraqitën gjatë pjesës së parë". Me 7 pikë të grumbulluara në 8 ndeshje Vllaznia është në luftë të plotë për mbijetesën mes më të mirëve, ndërsa nuk përjashtohen edhe masa nga presidenti Fushaj, që për arsye personale nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e Laçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›