Lojë e qarqeve serbe, Haga s’po vendos drejtësi
Gjyqi ndaj ish-komandantëve të UÇK-së, reagon PDIU/ Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, ndodhen në bankën e të akuzuarve, por pa akuzë konkreteve, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Hagës i ka mbyllur disa herë çështjet në gjykim ndaj dy ish komandantëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës. PDIU e konsideron rinisjen e procesit si lojë të qarqeve serbe, për të mbuluar krimet e tyre ndaj popullsisë etnike shqiptare në Kosovë
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu shqetësim dje, ndaj palo-gjyqeve ndaj ish komandantëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj. Përmes një konference për shtyp, PDIU deklaroi se gjyqi ndaj Haradinaj dhe Limaj, është lojë e Serbisë. “Duke ofruar solidaritetin tonë ndaj komandantëve të luftës, Limaj dhe Haradinaj, të cilët kanë pasur humbje njerëzore nga lufta dhe kanë vuajtur dhe izolimin e drejtësisë ndërkombëtare, ne i kërkojmë kësaj drejtësie të respektojë shenjtërinë e luftës së popullit shqiptar që rrezikonte asgjësimin nga ana e makinerisë ushtarake serbe”, tha për mediat, Sekretari politik i PDIU-së, Ardian Tana. Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet i kërkon qeverisë së Kosovës dhe organizmave joqeveritarë fakt-mbledhës të gjallërohen për të vazhduar procesin e vënies para drejtësisë së kriminelëve serbë, të cilët veprojnë dhe sot, madje dhe në Veri të Kosovës, siç u tregua gjatë ngjarjeve të fundit. “Ne besojmë se kjo ofensivë e Serbisë së vjetër, që është ende në pushtet, ka arritur të ketë sukses, edhe prej një farë inaktiviteti të organizmave fakt mbledhës të vetë popullit të Kosovës. Prej kohësh, ndoshta të frymëzuar nga një ndjenjë drejtësie dhe të përkushtuar ndaj objektivave të paqes, këto organizma nuk kanë mbledhur fakte të mjafta që të vendosin para gjyqit shumë prej atyre kriminelëve që kanë lyer duart me gjak në Luftën e Kosovës, dhe që janë njollosur me krime të rënda. Meqenëse ne jemi treguar inaktivë, atëherë serbët kanë bërë të kundërtën, duke u përpjekur të kalojnë topin e drejtësisë nga ana e tyre. Ne i kërkojmë qeverisë së Kosovës, organizmave joqeveritarë fakt mbledhës të gjallërohen për të vazhduar procesin e vënies para drejtësisë së kriminelëve serbë, të cilët veprojnë dhe sot, madje dhe në Veri të Kosovës, siç u tregua gjatë ngjarjeve të fundit”, thuhet më tej në reagimin zyrtar të PDIU, duke kërkuar ndërprerjen e proceseve palo-gjyqësore në Prishtinë dhe Hagë, ndaj komandantëve të Luftës për Liri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
...