Incidentet në Shalë, një pjesë e mirë e votuesve nuk u lejuan të votojnë

Zgjedhjet në Shalë, KQZ shtyn ankimimin e PD-së
Zgjedhjet në Komunën Shalë të Shkodrës shtyjnë sërish shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit. Partia Demokratike paraqiti pranë KQZ-së ankimim për pavlefshmëri në këtë komunë, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall me 2 vota më shumë kandidati socialist. Por KQZ nuk arriti të shqyrtojë këtë kërkesë ankimore për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm prej katër votash pasi në mbledhje ka munguar anëtari Osman Hysenaj. Në këtë mënyrë Partia Demokratike ka të drejtë ligjore t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor për kërkesën për ripërsëritje të zgjedhjeve në Komunën Shalë duke argumentuar se ka pasur shtetas në këtë komunë të cilët u penguan të votojnë.
Kolegjit Zgjedhor i mbetet të shqyrtojë ankimimin e PD-së, ç’ka mund të sjellë pushimin e çështjes ose rikthimin e saj në KQZ. Gjatë diskutimit për shqyrtimin e ankimit, përfaqësuesit e opozitës në komision kanë kundërshtuar kërkesën e Partisë Demokratike, që pretendon se janë kryer shkelje gjatë procesit të votimit dhe të numërimit të vlerësimit të votave.
Sipas anëtarit Artan Lazaj, i cili ishte edhe relator i kësaj kërkese, autorizimi i kryetarit të PD-së, për përfaqësuesin ligjor që do të ndjekë proceduar në KQZ nuk ishte e protokolluar me datë korrekte.
Kjo situatë bëri që të ndërpritej mbledhja e KQZ-së, dhe më pas përfaqësuesit e PD-së, kanë sjellë autorizimin e plotësuar, por që sërish është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitën në KQZ.
Këtë të hënë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numëroi votat në 5 qendrat e votimit në Shalë, nga ku rezultoi fitues kandidati socialist Balë Vuksani me 2 vota më shumë se rivali i tij demokrat Dedë Tonaj.
Kandidatët për komunën Shalë
“Aleanca për Qytetarin”, Dedë Tonaj – 642 vota
“Aleanca për të Ardhmen”, Balë Vuksani – 644 vota