“Censusi 2011”, ngrihen komisionet në Korçë e Kukës
Në Korçë është ngritur komisioni në shkallë qarku për regjistrimin e popullsisë dhe banesave si dhe ka filluar përgatitja edhe për ngritjen e tyre në komuna e bashki. Në këtë proces, siç bëhet e ditur do të punojnë afro 2000 vetë, që do të përzgjidhen nga strukturat e INSAT-it, ndërsa kanë aplikuar individë që janë anëtarë të organizatës Omonia apo që i përkasin grupeve të ndryshme etnike.
“Çdo njeri është i lirë të aplikojë. Merren edhe nga grupet e minoriteteve të tjera. Nëse ata kanë fituar në INSTAT, s’ka arsye pse të mos marrin pjesë, të ndihmojnë se janë më të lirshëm për të bërë intervistimin në ato zona që jo se janë të vështira, por persona të tjerë që nuk i përkasin atij grupi mund ta kenë pak të vështirë për të hyrë në atë familje”, tha Sami Meçollari, përgjegjës i zyrës së INSTAT-it në Qarkun e Korçës.
Komisioni i regjistrimit të popullsisë dhe banesave në qark filloi punën e vet në 15 gusht dhe do të përfundojë së funksionari me përmbushjen e misionit të tij në 15 nëntor. Përgatitjet për procesin e regjistrimit të popullsisë kanë nisur edhe në qarkun e Kukësit. Sipas kreut të Këshillit të Qarkut të Kukësit, Ibsen Elezi tashmë nëpër të gjitha njësitë vendore të këtij qarku janë ngritur komisionet e posaçme.
“Kemi ngritur një komision që është marrë me përzgjedhjen e kontrollorëve dhe jemi në procedurën e dorëzimit dhe të marrjes së dokumentacionit nga INSTAT-i, që është hallkë e këtij komisioni, për të gjithë personat që do të merren me drejtpërdrejt në terren me regjistrimin e popullsisë”, tha Elezi.
Sipas specialistëve të Institutit të Statistikave për qarkun veri-lindor do të jenë në funksion të regjistrimit rreth 400 anketues,të cilëve do u bashkohen kontrollorët dhe mbikëqyrësit e këtij procesi.
Procesi i regjistrimit do të nisë më 1 Tetor dhe parashikohet të zgjasë një muaj.