Erion Braçe: Edi Ramës po i mbushin mendjen të vazhdojë bojkotin e Kuvendit

Deputeti socialist Erjon Braçe dhe njëherazi, nënkryetari i grupit parlamentar, paralajmëron se Edi Ramës janë duke i folur për ta mbajtur opozitën jashtë dyerve të Kuvendit edhe për një kohë të gjatë. Reagimi i Braçes vjen përmes komentit të tij në rrjetin social Facebook, ku i bën thirrje vargut të analistëve dhe pseudo-këshilltarëve që rrinë pas Ramës, se do ishte një gabim i madh dhe fatal, zgjatja e bojkotit përtej shtatorit. “Jeni gabim! Grupi i deputetëve të PS nuk duhet të ikë më nga Kuvendi! Duhet të qëndrojë e të bëjë detyrën ndaj një regjimi që nis mu aty! Duhet të qëndrojë për të vënë nën kontroll Qeverinë, për të kundërshtuar Qeverinë, për të përthyer për popullin ligjbërjen klienteliste e të korruptuar, për të treguar alternativën e PS!”, thotë deputeti Braçe. Sipas tij, me ecejake të tipit largim-qëndrim dhe anasjelltas, PS po poshtërohet në sytë e socialistëve dhe ndërkombëtarëve. Ai apelon për opozitë të fortë dhe konstruktive brenda mureve të Kuvendit të Shqipërisë. “Edhe kur të dhunohet e poshtërohet duhet të jetë aty. Jo të ikë, të qëndrojë e të përgjigjet... Jo me gjuhën e dhunës, por të forcës!”, deklaron më tej deputeti socialist, Erjon Braçe.
...