“Lojë letrash” apo “lojë nervash”?
I pyetur nga gazetarët: “Si e vlerësoni letrën që keni marrë nga kryetari i PS-së, Edi Rama dje?”, President i Grupit të PPE-së, Joseph Daul, është përgjigjur: “Për cilën letër e keni fjalën? Mua ende nuk më ka mbërritur ndonjë letër”. Si qëndron problemi?
Opinioni publik, vendas dhe i huaj, ishte informuar këto ditët e fundit mbi një letër drejtuar zotërinjve Joseph Daul, President i Grupit të PPE-së dhe Martin Schulz, President i Grupit të PES nga kreu socialist, Edvin Rama ku kërkonte riaktivizimin e europarlamentarëve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes opozitës dhe mazhorancës, duke kushtëzuar procesin e liberalizimit të vizave dhe statusin e vendit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Por, pikërisht në ditën që kjo letër pritej të shpërthente si bombë në mbledhjen e Parlamentit Europian për të vrarë endërrën integruese të shqiptarëve, vjen prononcimi i z.Joseph Daul, i cili shpreh habinë për mbërritjen e “antraksit”-Rama. Ndoshta Rama e ka nisur këtë letër në drejtime të tjera ose ky veprim është, thjeshtë, një spekullim i radhës me opinion publik, këtë herë për të fituar pikë në sytë e “popullit të majtë”, sikundër synonte të nxirrte një përfitim të tillë në sytë e të gjithë popullit shqiptar me letrën që i dërgoi, si “kofini pas të vjeli”, Barrosos, për të mbështetur procesin e liberalizimit të vizave.
Sidoqoftë, përgjigjia e Presidentit të Grupit të PPE-së është një dëshmi tjetër që tregon papjekurinë politike të Edvin Ramës, për të cilën eurodeputetë të ndryshëm janë shprehur kohë pas kohe. Por më shumë se shënjë papjekurie ajo është tregues i papërgjegjshmërisë ekstreme, që një lider politik mund të ketë përballë popullit dhe vendit të vet. Një e përditshme, duke komentuar lobimin më të fundit antishqiptar të kreut të PS-së, do ta cilësonte atë një “bast” të vendosur “me 3 milionë e gjysmë shqiptarë” për interesat e tij politike për postin e sotëm dhe pushtetin e nesërm. “Por, - vazhdon komentin e saj e përditëshmja në fjalë, -janë 3 milionë e gjysmë shqiptarët që kanë bast me të”, aq më tepër kur bëhet fjalë për fakte të natyrës ku, “e zeza është shkruar mbi të bardhë”.
Natyrisht, ndërkombëtarët nuk po e marrin seriozisht Edvin Ramën, megjithë ndërhyrjet e brendshme të ndonjë eurodeputeti të majtë për të ndryshuar opinionin e krijuar për kreun e socialistëve shqiptarë. Ata nuk po ndikohen nga protesat, grevat, letrat dhe mercenarët antishqiptarë për të kushtëzuar proceset integruese të vendit tonë me plotësimin e tekave foshnjore, apo më mirë të themi “mortore” të Edvin Ramës. Ai është vendosur kësisoj, në një mënyrë jo dhe aq të zgjuar, përkundër interesit të përbashkët që kanë 95 për qind e shqiptarëve, të cilët e duanë Shqipërinë si gjithë Europa prej afro 20 vitesh tranzicion.
Por, a do t’ia falin shqiptarët Edvin Ramës këtë sjellje të ulët politike, e cila nuk është as “luftë për pushtet”, as “lojë luftash”, as “lojë letrash”; por një “lojë nervash” me ta?
Sigurisht, që jo, edhe duke e parë që ajo po mbetet dhe do të mbetet deri në fund një “antishqiptarizëm dhe antiqytetarizëm në tentativë”; pra i pakonkretizuar, kryesisht për shkak të qëndrimit të vendosur dhe eksperiencës demokratike të ndërkombëtarëve në vlerësimin e arritjeve qeverisëse lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe plotësimin e kushteve të tjera tekniko-politike për integrimin e vendit tonë në familjen e përbashkët europiane. Edvin Rama sa mbaron “lojën e nervave” me qytetarët shqiptarë në kryeqytetin e vendit, duke bllokuar bulevardin qëndror dhe rrugët e tjera të Tiranës fillon të njëjtën lojë me bllokimin institucional dhe nëpërmjet kulisash të ulëta politike të rrugës që i çon shqiptarët drejt Europës, si qytetarë të barabartë të botës së lirë.
Bojkotimi i Parlamentit dhe zhvillimi i protestave me moton: “Hap kutitë ose largohu!” mund të cilësohet si “lojë me nervat” e klasës politike dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Në këtë kuadër mund të përmendim “rrebelimin” e liderit historik të Partisë Socliaste, z. Fatos Nano, i cili tha: “Duhet të bashkohemi të gjithë për t’i thanë “Ndal!” marrëzisë së Edvin Ramës”. Ndërkohë, bllokimi fillimisht i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me grevë urie dhe i Sheshit “Skënderbej” me punë ndërtimtarie, për të kaluar më pas tek të gjitha rrugët automobiliste më të rëndësishme të të gjithë vendit, dhe tash së fundit tek Sheshi “Nënë Tereza” janë disa prej shembujve më pikatë të “lojës me nervat” e qytetarëve nga Edvin Rama. Ndërsa seria e letrave për eurodeputetë të ndryshëm dhe pranim-refuzimi i këshillave të ndërkombëtarëve është “lojë nervash” me këta të fundit. Kjo do të thotë se “bastin” e pushtetit të nesërm, po aq sa ç’e ka më qytetarët dhe gjithë politikanët e tjerë shqiptarë, të përgjegjshëm për fatet e vendit, e ka edhe me përfaqësuesit më në zë të komunitetit ndërkombëtarë.
Siç dihet, faktori ndërkombëtar ka një rol mjaft të rëndësishëm në politikën e brendshme shqiptare, gjë për të cilën njerëzit e zakonshëm ka krijuar opinionin se, “X apo Y politikan nuk vjen në pushtet sepse nuk e duan ndërkombëtarët (!?) Natyrisht, tek kjo thënie ka diçka të vërtetë, por jo siç e kuptojnë qytetarët e thjeshtë. Faktori ndërkombëtar ka mekanizmat e vetë të padukshëm dhe të “pambukt” për të vepruar në raste të tilla, me autoritetin dhe të drejtën e kontributorit kryesor për konsolidimin e demokracisë dhe forcimin e fizionomisë euro-atlantike të Shqipërisë. Ata nuk mund të rrijnë sehirxhinj kur shikojnë që politikanë apo forca politike të caktuara punojnë kundër interesave të përgjithshëme të vendit që do të thotë se zhbëjnë apo zhvleftësojnë edhe kontributin e ndërkombëtarëve në këtë drejtim. Ndonëse janë “më të qetë” se shqiptarët edhe ata kanë kulmin e tyre të durimit, i cili nuk mban më tani pas veprimeve më të fundit të kreut socialist, Edvin Rama.
Kreu i PS-së mendon se i kamuflon veprimet e tij, duke folur në emër të “transparencës” apo duke shtegëtuar pa lënë adresë, por gjithëçka është e evidentuar më së miri. Jo më larg se para dy javësh ai udhëtoi në drejtim të Londrës, në mënyrë tejet të fshehtë, megjithatë u morë vesh gjithëandej që ai kishte shkuar në kërkim të një kompanie të huaj për të lobuar kundër heqjes së vizave apo statusit të vendit kandidat, tani që çështja e vizave u mbyll me sukses. Nga ana tjetër, veprimet dhe qëllimet e tij nuk mund t’i fshehi as duke zgjedhur si taktikë sulmin ndaj ekzekutivit shqiptar dhe kreut të tij, z. Sali Berisha, që ndërkombëtarët i cilësojnë si “qeveri legjitime” dhe “krymenistri legjitim” i vendit.