E Diel, 1 Nëntor 2026

Arroganca identifikuese e Edvinit

Edvin Rama, Zëri i Amerikës nuk është propaganda e “Zërit i Popullit”!

Kësaj radhe nuk kemi element hakmarrjeje ndaj “Zërit të Amerikës” nga një njeri i modifikuar gjenetikisht nga diktuara që përçohej në familje, por kësaj radhe kemi motive të dobëta me arrogancë tipike të sojit Edi Rama, kryetar i shumë ofiqesh shtetërore e kombëtare. Nuk është hera e parë që ai përçon si tel alumini burracakërinë prej kamikazi shoqëror që të vetmen filozofi që ka është materializmi vulgar. Gjithsesi intervistën në “Zëri i Amerikës”, Edi Rama e filloi çuditërisht për të mirë, i qetë dhe i argumentueshëm në limitet e arsyes, porsa një pyetje iu bë në kundërkohë, çka ai nuk e dëshiron kurrë, i hoqi maskën prej lideri dhe i doli në pah identiteti i tij përbuzës me një arrogance amorale të paparë në limitet e sheikut të terrorit. Ndërkohë në vend që t’i përgjigjej pyetjes (ashtu siç mendonte), ai bëri të kundërtën e asaj çka mendonte, por që e dëshironte, duke
komentuar pyetjen e gazetares si pyetje kafenesh e infektuar nga kafet e Bllokut, tek rrapi shekullor i Koços. Mirëpo e vetmja gjë që nuk i lejohet një politikani është të cenojë integritetin e një medieje me zhurmime, dhe këtë gazetarja e kuptoi fare mirë duke i thënë Edvinizmit se “Zëri i Amerikës është një radio dhe televizion i respektuar, që ka thënë kurdoherë të vërtetën”. Dhe jo siç Edi Rama dhe familja e tij biologjike e politike çjerrin gurmazin me parullën “Parti Enver jemi g(k)ati kurdoherë”. Reagimi i Edvinit nuk ishte një sulm ndaj fjalës së lirë, edhe pse ai konceptin e lirisë së medies të përafërt me vlerën e një leje ndërtimi, që mund të blihet dhe mund të shitet në pazarin e sekserëve. Reagimi i pavend dhe turbullues nxori në pah karakterin verbalo-sadomaz që ka lideri i Partisë Socialiste. Si jo rrallëherë, edhe kësaj radhe ai tregoi qartë se nuk e meriton të jetë
kryetari i një partie të madhe siç është PS. Ai tregoi papërgatitje, paqartësi, inat personal; gaboi... Këto janë reagimet e para të lexuesve dhe të dëgjuesve të “Voice of America”, këtij radiostacioni të lirisë ku amplifikohet frekuenca e demokracisë dhe që veshët e lakuriqëve të ditës dhe natës nuk e arrijnë dot. Edi Rama është kaq i vogël përballë këtij enti demokratik që përçon në eter lirinë për 125 milion njerëz në të gjithë botën me rreth 1500 orë lajme në javë. Edvin Rama duhet ta ngulisë mirë në mendje se “Zëri i Amerikës” nuk është propaganda e “Zëri i Popullit”! Gazetarja Luara Kondi bëri një pyetje konkrete dhe me një qëndrim mjaft korrekt, që mund ta bënte cilido gazetar i aftë në botë. Përgjigja ofenduese, duke e cilësuar pyetjen si një “pyetje kafenesh”, tregon edhe njëherë arrogancën dhe komplekset e një njeriu të padenjë, jo më për një lider opozite, por edhe për një qytetar të rëndomtë. Mesa duket Edi Rama është mësuar me intervistat të pilotuara dhe recitime monologësh bajate përpara gazetarëve të medieve që i shkelin syrin pa finesë dhe që i vijnë pas avazit. Nuk është faji i gazetares Luara Kondi që e nxori Edi Ramën jashtë klishesë së monologut bajat, duke e bërë të humbë durimin dhe kontrollin e për rrjedhojë siç është tipike edviniste me batuta pa takt, pa terezi e pa humor. Raporti mono-maniakal i Edvin Ramës me mediat është një raport i paprecedentë, bile shumë i rrezikshëm, jo vetëm për mediet të cilat i kontrollon deri në detaje (edhe titujt e aperturës dërgohen me sms), por edhe për daljen në pah të natyrës së tij censuruese e autoritariste, derisa filloi trukimin e kronikave të fushatës duke nxjerrë jashtë loje kredibilitetin e medies. Ai është njeriu dhe a-politikani që kontrollon mediat me dorë diktatori për të paraqitur e trukuar imazhin e vet. Më saktë Edi Rama është vetëm një produkt mediatik. Po ta lexosh me imtësi karrierën e Edi Ramës, lehtësisht mund të arrish konkluzionet se përgjithësisht është një kryevepër e mediokritetit, i paaftë, pa vizion, me akuza të forta për korrupsion me lejet e ndërtimit. Ndonëse karriera e tij politike ka ecur vetëm dhe thjesht për shkak të mediave, ose me saktë Edi Rama i ka shfrytëzuar e përdorur këto media për të “shitur” veten tek publiku, jo edhe aq për punë apo vizionin e tij, sesa me marifete të tjera qysh në zanafillë biçim snobizmash dhe vulgaritet modernistesh nëpër ekrane të lira për të “fituar” vëmendjen e publikut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›