Bllokmenët, Plaku dhe I Riu
Në një kohë, kur po zhvillohet Kampionti Botëror i Futbollit, shqiptarët megjithëse nuk janë të pranishëm si sportdashësit e tjerë në stadiumet madhështore të Afrikës së Jugut, megjithatë gëzohen para ekraneve të televizorëve, disa me fitoren e SHBA ndaj Algjerisë, disa për fitoren e Gjermanisë ndaj Ganës, të Australisë ndaj Serbisë etj. Në këto orë emocionesh vjen edhe një lajm i mirë me vlerë historike: Komiteti i Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian miratoi me shumicë votash rezolutën për integrimin e Shqipërisë, duke rrëzuar amendamentin shtesë të propozuar nga PS për bllokimin e vizave. Pra, dështoi përpjekja e Kryetarit të PS për të vendosur amendamentin kundër heqjes së vizave. Lidhur me procesin e vizave, rezoluta vlerësoi se angazhimi i qeverisë për plotësimin e kushteve në kuadër të heqjes së vizave ka sjellë rezultate pozitive. Rezoluta vlerëson edhe propozimin e Komisionit Evropian më 27 maj 2010, që qytetarët e Shqipërisë të lejohen të udhëtojnë me pasaporta biometrike pa patur nevojë për vizë.
Si ndihen shpirtërisht në këto çaste, plakushi i librit me kujtime “Jeta ime”, së bashku me nxënësin e tij besnik, kryetarin Edi Rama? Ish-pasardhësi i E Hoxhës, R. Alia tani do të bënte mirë të ribotonte “me kërkesën e shokëve e miqve” edhe shkrimin e kapedanit të vet: “Të jetojmë e të punojmë si në rrethim”, pastaj librin me lavde “Enveri ynë” dhe instruksionin për klonet e qentë e kufirit. Komisari politik Alia, kur do të dalë nga heshtja e të rrëfehet para popullit shqiptar, për vrasjen makabre të djemëve shqiptarë nga Kosova në Tivar? Ish-kryetari i Kuvendit Popullor, R. Alia, kur do të kërkojë falje për vrasjet në kufi e heqjen zvarrë lidhur me tela me gjemba, të atyre që arratiseshin drejt lirisë? Vargu i prapësirave i këtij njeriu s’ka mbarim, qysh nga rinia në pleqëri, qoftë në luftë apo paqe, bashkëpunëtor në shkatërrimin e kulturës e rrënimin e ekonomisë në qytet e fshat, kryesues në pleniumet vrastare, sepse dihet nga të gjithë, ai shtet pa ligje, e nisi me vrasje e me radhë për bukë, më në fund e mbylli me vrasje të egra, si varja e poetit Avzi Nela, e kaladibrançe po në dyqanet e bukës. Sipas historisë Fusheja i tmerrshëm i Francës, në moshë të thyer shkonte shpesh në kishën e një qyteti të Austrisë. Në radhët e para shihej ai plak, kryet ulur. me sytë ndër lot, tek lypte falje për krimet e veta gjatë kohës në shërbim të Napoleonit, kurse Fusheja i E. Hoxhës, zgërdhihet edhe tani, pa iu shkuqur faqja, kur pyetet për çështje e ndodhi të kohës së diktaturës. Herë hesht, herë dredhon me shfajsimin “ashtu ishte koha” dhe herë fyen me gjuhën e pleniumeve e mbledhjeve të byrosë. Sipas parimit të “vazhdimësisë”, edhe pas shembjes së regjimit totalitar, mbeti po ai, tashmë këshilltar i fshehtë i bllokmenve të rinj, në rebelimet komuniste, kundër gjithçkaje shqiptare e demokratike. Ndër ta Edi Rama, qoftë si kryebashkiak shkatërrues i kryeqytetit, apo kryetar partie, rebel e provokator, arrogant para mediave, megalloman në tribunën e grevës mashtruese me bllokime rrugësh e bulevardesh, shpërndarës plehrash, jo për të kërkuar të drejtën e votës së humbur një vit më parë, por me një qëllim të mbrapsht: krijimin e një tymnaje në dëm të integrimit të Shqipërisë në Europë. çfarë thotë plaku komunist i thekur, përsërit i riu social-komunist. Një dueto model për komedi mesjetare. Në çdo deklamim sufleri plak pëshpërit, kurse kllouni hidhet e përdridhet, kërcen e bërtet, aq sa i merret fryma. Veçse viti 2010 dëshmon, se larg mashtimeve, është koha e horizonteve, e punës për një jetë më të mirë.