E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvidhosja e fundit e E.Ramës

Po e fillojmë me një krahasim, ndërmjet kryetarit të Qeverisë sonë dhe kryetarit uzurpues të kreut të PS-së, në marrëdhënie me gazetarët. Berisha është shprehur se ndaj gazetarëve nuk mund të merret asnjë masë procedimi. Dhe kjo, shpesh, është abuzuar nga Opozita. Edvini duket se është alergjik ndaj gazetarëve që i drejtojnë ndonjë pyetje, si të thuash heretike, (që e quan provokuese), se parapëlqen pyetjet standarde që kanë përgjigje, më së paku, një mori fjalësh të pambaruara, të karakterit deklarativ dhe propagandistik.
Berisha është i përzemërt me gazetarët, gazmor e me humor të mirë, mirëkuptues edhe ndaj pyetjeve që duken si kundërvënëse. Kurse Rama shkon mirë me gazetarë të rutinës, me pyetje të rëndomta, përgjigjja e të cilave është dhënë prej kohësh dhe i jep mundësinë që të jetë proliks, domethënë të mos respektojë asnjë normë kohore. Ajo pyetje që i duket si e qëllimtë, e zymton, e bën që të ndryshojë fizionominë e të ashpërsojë zërin. Madje të kalojë edhe në fyerje: “Nuk ke njohuritë më fillestare për këtë çështje”. Një gazetare e quajti “të përdalë”. Thuhet se ajo u përgatit që t’i bënte një padi gjyqësore. Por simpatizantët e saj e këshilluan që të hiqte dorë, sepse Rama do të dinte ta shfrytëzonte imunitetin e tij, për ta fyer sërishmi.
Pra, në marrëdhëniet mediatike, ky ekscentrik nuk është politikan, siç e ka deklaruar edhe vetë. Por nuk është as vizionar, siç mëton të jetë, pa qenë i tillë!
I brumosur që në mituri e më vonë, kur merrej me basketboll pa pasur talent, duke qenë i bindur se trupi skërfyell do të ishte i mjaftueshëm që të bëhej sportist i famshëm, dilte kurdoherë jashtë loje për plotësimin e personaleve dhe për mosrespektimin e rregullave sportive. Kujtonte se ishte orator, për shkak të zërit buçitës. Por edhe në këtë ambicie të re përfundoi si ai konkuruesi që ulërinte, në vend që të këndonte përpara një jurie. Kur mbaroi, i kërkoi kryetarit të jurisë, Henrik Karuzos, se ç’timbër zëri kishte (mëtonte se ishte tenor më tepër se bariton). – Tellall, biri im! - i kishte thënë Karuzo.
Dështues në rininë e tij, paçka se ishte çun blloku, kërkoi të bëhet pushtetar i rëndësishëm në burrërinë e thyer. Gafa e fundit është ndaj folëses së VOA-s, Laura Kondit. E ndryshoi çehren e fytyrës kur spikerja e këtij enti prestigjioz mediatik e pyeti nëse do të kandidonte sërish për vendin e kryetarit të bashkisë. Këtë ia mori për ters dhe togfjalëshin e zonjës folëse në shqip, e quajti si “pyetje kafenesh”. Vetë fjala “kafene” ishte e pavend në këtë bisedë televizive.
Kështu vepron ky mujshar kur nuk gjen dot përgjigjen e përshtatshme. Veçse, me këtë paurtësí, mori përgjigjen e merituar në opinionin publik amerikan, se në vendin tonë e njohin mirë profilin e tij të njeriut të çekuilibruar. Zoti Frank Shkreli, me një përvojë 30-vjeçare si nëndrejtor dhe, më vonë, si drejtor i degës së “Zërit të Amerikës” në shqip e në gjuhë të tjera, i dha një përgjigje seriozë e të studiuar, që do ta bënte të skuqej çdo njeri me sedër. Por Rama është nga ata që as skuqet, as zverdhet!
Mund të bëhesh i bujshëm edhe si Gregor Efimoviç Rasputini në Rusinë e madhe cariste, në rrethana të caktuara. Aq më tepër në Shqipërinë e vogël, të ngërthyer nga nostalgjizmi tragjik antikombëtar, po ashtu në rrethana të caktuara. Këtu hyjnë edhe paudhësitë që nuk jetësohen assesi në vendet që i kanë bërë def nostalgjitë për nazifashizmin apo për komunizmin. Ndërsa te ne, lajmi më i freskët është se në një qytet kanë përgatitur sahatë dore me stampimin në fushë, të portretit të Enver Hoxhës. Sahatët e parë të kësaj blasfemie i kanë vënë në dorë, - siç thuhet, - E. Rama dhe E. Velija.
Meqë fjala “kafené” ka hyrë, për shkak të Ramës, në rendin e ditës të bisedave të çastit, na jepet rasti të tregojmë edhe këtë dialog. Një përson në një kafe, është dëgjuar të flasë me zë të lartë: - Mos e gëzoftë orën e re Edvin Rama, që do të katandiset si “politika e re” e atij që s’merr vesh se ç’është politika, - siç e ka thënë edhe vetë!
Në të vërtetë, nuk është plotësisht e saktë se ai nuk merr vesh fare nga politika. Sepse di mirë politikën e intrigës, veçanërisht kur është fjala për të mohuar e për të përbuzur interesat kombëtare, për interesat vetjake. Kështu janë bërë pluhur paret e taksapaguesve shqiptarë për të lobuar në Londër në përfundim të një kontrate me një kompani amerikane, kundër heqjes së vizave për shqiptarët. Meqë dështoi në këtë orvatje, se çështja e vizave mori udhë kundër vullnetit të këtij antikombëtari, tani e ka hallin që të dështojë ajo puna e statusit të vendit kandidat për në BE, të vendit tonë. Kërkon një kompani tjetër në këtë synim, që të lobojë pranë Brukselit jo më 100.000 $, siç fluturuan për problemin e vizave, por dhjetë herë më shumë. Cili është interesi i tij? Që të jetë ai faktori i cili, përkundrejt lëshimeve të paligjshme që kërkon nga qeverisja e tanishme, ta ngrejë edhe më tepër faturën e titulluar “më jep, të të jap”!
Këtë aktivitet antikombëtar e ka mësuar për bukuri nga ati i tij shpirtëror, që u hoq nga varrezat e dëshmorëve!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›