E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojë nervash në krizën bankare



Një javë më parë Evropa Perëndimore dukej se nuk do te prekej nga kriza në SHBA. Megjithatë, nuk po ndodh kështu. Qeveria gjermane u detyrua dje të miratonte një plan të përshpejtuar shpëtimi prej 50 miliardë dollarësh për bankën e dytë më të madhe që jepte kredi për blerje shtëpish, me emrin “Hypo Real Estate”. Vetë kjo bankë tha se një plan i mëparshëm prej 35 miliardë eurosh dështoi, pasi kreditorët privatë të saj e tërhoqën mbështetjen e tyre. Po ashtu, banka më e madhe franceze, “BNP Paribas”, bleu 75 për qind të bankës “Vortis NV” belge, pasi dështoi një përpjekje shpëtimi nga qeveria belge. Ndërkohë, me nismën e Presidentit francez, udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë u mblodhën të shtunën e kaluar për të biseduar për një plan shpëtimi për sektorin bankar evropian. Por duke parë 700 miliardët e derdhur nga amerikanët, sikur iu ngushtua zemra dhe iu drodhën duart të mendojnë për nja njëqind miliardë euro që duhej të hidhnin ata për të garantuar bankat e tyre. Tani kriza ka kapur për brirësh edhe ekonomitë e vendeve të tyre. Ndërkohë, bursa amerikane dhe indeksi i saj “Dow Jones” ra me 4.6 për qind dhe poshtë nivelit 10,000 për herë të parë në katër vjet. Është shenjë që investuesit nuk duan të blejnë dhe investojnë, por kërkojnë vetëm të shesin. Qeveritë gjermane, irlandeze dhe greke shpejtuan të deklarojnë se do të mbulojnë depozitat bankare të bankave tregtare në vendet e tyre. E gjithë kjo është lojë nervash. Qeveritë duan të qetësojnë klasën e mesme depozituese, sidomos përfaqësuesit e moshës së tretë, që përbëjnë motorin nga u vijnë paratë bankave. Kanë filluar tërheqje serioze nga depozitat dhe bankat kanë nisur të ndiejnë nevojën e parasë së thatë “cash”. Po tek ne në Shqipëri? Për fat, nuk ka panik të madh, vetëm shqetësim të natyrshëm. Lajmi që kriza preku dhe Gjermaninë, ka bërë që shumë depozitues të pyesin për fatin e depozitave të tyre në bankat gjermane në Shqipëri (si për shembull “Pro Kredit”). Realisht duhen qetësuar. Ndoshta duhet të dalë vetë Guvernatori i bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë, që ta bëjë këtë. Faktori më i fortë qetësues ka të bëjë me atë segment ku është pjellë kriza: në bankat investuese. “Pro Kredit” tek ne është orientuar për nga kreditë për bizneset e vogla dhe qytetarët. Tregu i shtëpive tek ne, edhe pse jo shumë i rregulluar nëpërmjet kredive bankare, është ende i shëndetshëm dhe jo “virtual”, sikurse ndodhi të ishte në Amerikë. Me fjalë të tjera, pronarët e pallateve në Tiranë e gjetkë kanë marrë para “cash” në dorë në shumicën e rasteve nga kreditorët. Nuk janë lidhur deri në vetëvrasje pas bankave. Kjo e bën sistemin bankar shqiptar pak të goditshëm nga kriza e mosbesimit në bankat amerikane apo edhe fillesat e saj tek bankat gjermane, pse në radhë të parë paniku dhe goditjet financiare si në Amerikë dhe në Gjermani janë një krizë besimi. Investuesit, por edhe depozituesit e thjeshtë, kanë nisur t’i kenë frikë bankat. Problemi kyç qëndron në atë që veprimtarët ekonomikë mendojnë se të 700 miliardë dollarët e qeverisë Bush do të hyjnë me vonesë në sistemin bankar, kështu që frika vijon. Dëmi nuk vjen ngaqë nuk ka para, por se rregulli i artë në ekonominë bankare që thotë se bankat bëjnë një dollar apo euro të qarkullojë sa për pesë, po përmbyset nga investitorët dhe depozituesit e frikësuar. Nëse të dy këto klasa dhe aktorë në sistemin bankar tërhiqen në masë, pëson kolaps i gjithë sistemi. Ja përse loja e nervave në këtë krizë financiare duhet përballuar me një orkestrim përpjekjesh nga të gjitha qeveritë evropiane. Ishte mungesë shansi që nuk u deklarua një paketë shpëtimtare e Evropës Perëndimore në takimin që inicioi Sarkozi. Kjo do të kishte qetësuar disi tregjet evropiane, sepse nga vendi përtej Atlantikut këto ditë po vijnë vetëm telashe dhe stres e frikë. Bursa amerikane po përjeton ditët e saj më të vështira. E vetmja gjë që mund të bëhet, krahas ndërhyrjeve të bankave qendrore të këtej dhe andej oqeanit, është ndërhyrja masive shtetërore. Gjermania veproi me zgjuarsi kur ministri i saj i Financave deklaroi dhe u shpreh i gatshëm të siguronte me shuma pa limit të gjitha depozitat afatgjata në këtë vend. Bëhet fjalë për 568 miliardë euro. Vetëm të tilla ndërhyrje mund të qetësojnë nervat e depozituesve të shqetësuar në kulm. Dhe shqetësimin e thellë nga paniku i ndan vetëm një vijë e thjeshtë. Ngelet të urohet që shembullin e qeverisë gjermane do ta ndjekin edhe qeveritë irlandeze e islandeze, ku kriza financiare po ndihet fort.

Fatos Çoçoli

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›