E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika është pjekuri

Shtetin e bëmë, por si t’i bëjmë institucionet, përkatësisht, si t’i zhvillojmë e mëkojmë si duhet. Kjo është faza më e ndjeshme dhe më e rëndësishme e konsolidimit dhe e ngjizjes së shtetit të ri, si në raportet e brendshme, ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Varësisht çfarë autoriteti gëzon brenda shtetit, ashtu do të të çmojnë edhe në raportet ndërkombëtare, sikurse po në këtë mënyrë do të të çmojnë edhe shtetet veç e veç. Mund t’u imponohesh me autoritet, me pjekuri, aftësi komunikimi normal, e jo me zhurmë e demagogji. Politika e diplomacia janë art i së mundshmes, jo dredhi të pambështetje. Po ashtu, në diplomaci nuk mund t’u imponohesh dot të tjerëve as me sytë e zi, as me aftësinë e lobimit a të oratorisë (megjithëse miqtë e mbështetësit kanë shumë ndikim), por me fuqinë ekonomike, me stabilitetin dhe me standardin, me interesat që ata shohin te shteti yt, me atë që ua ofron për këmbim. Në raportet ndërkombëtare ka interesa dhe zhvillime të ndërsjella, ka edhe simpati, por është me shumë rëndësi se çka shohin të tjerët në shtetin tënd.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, mëvetësinë askush nuk mund të na e kontestojë dhe askush nuk mund të na kthejë prapa. Përpjekjet për të kthyer gjendjen prapa apo historinë atje ku ishte, janë të kota. Ndarjen nuk duhet ta pranojmë me asnjë çmim: ne kemi aq shumë territore tonat jashtë shtetit të Kosovës, që fatkeqësisht tash për tash nuk mund t’i shtimë në kuadër të shtetit të ri, kështu që t’u japim ende territore Serbisë apo të tjerëve, do të ishte e pabërë. Dhe kërkesat e këtilla për ndarje a për ndonjë koncesion, janë më shumë përpjekje për të zhvatur diçka nga Kosova (ndonjë pjesë të territorit, ndonjë koncesion tjetër ekonomik a politik) apo për t’ia imponuar bashkësisë ndërkombëtare ndonjë lëshim pe në raport me Serbinë, madje ky presion u referohet pikërisht aleatëve tanë më të fuqishëm, sesa që është kërkesë reale a e mundshme. Serbia e ka luajtur këtë lojë vazhdimisht herë me vajë në buzë, herë me kërcënime, varësisht nga situata. Është çështje tjetër se sa do të merremi me çdo deklaratë të zyrtarëve serbë, të cilët atë që e thonë sot, nuk e përsërisin nesër apo e mohojnë, duke u munduar kështu të testojnë opinionin ndërkombëtar dhe qendrat e vendosjes, ashtu edhe duke testuar opinionin e tyre të brendshëm. Jo rrallë me deklarata të këtilla zyrtarët e Beogradit duan të shohin edhe gatishmërinë dhe (pa)vendosmërinë e përfaqësuesve të institucioneve tona më të larta. Deri tash përfaqësuesit tanë në raport me Serbinë janë treguar të vendosur dhe të pjekur në deklarata e në qëndrime. Në raport me subjektet e fuqishme ndërkombëtare janë treguar kooperativë, por kjo nuk do të thotë se ata janë treguar servilë, sikurse që ka përpjekje të nxirren në këtë rrafsh, sepse arroganca me shtetet aleate dhe me ato që na kanë ndihmuar është karakteristikë e liderëve revolucionarë të tipit të Fidel Kastros dhe të Enver Hoxhës, që vetëm e izoluan vendin e tyre. Këtë frymë të mosbashkëpunimit e duan ata që në kokë e kanë totalitarizmin në vend të demokracisë a bashkëpunimit.

Ka prirje që jeta jonë politike të revolucionarizohet, mirëpo është fatbardhësi që ata janë pakicë e retarduar. Dhe natyrisht, bashkëpunimi me të huaj e me aleatë është gjë e mirë, ashtu sikurse është mirë që edhe pozita edhe opozita janë të vendosur se ne nuk kemi territore të falim, sepse janë disa kufij të cilët nuk duhet të kapërcehen, por janë edhe disa detyrime për të cilat ata janë shumë të vetëdijshëm. Serbia edhe në të ardhmen do të testojë gatishmërinë tonë dhe orët e mira të bashkësisë ndërkombëtare, megjithëse ata që janë të mençur në Serbi, e kanë fare të qartë se Kosovën e kanë humbur një herë e përgjithmonë, vetëm mund ta vajtojnë kur u duhet për fushatë zgjedhore apo për t’i bërë qejfin vetes kur të kenë dështuar në segmentet e tjera të politikës e të ekonomisë së tyre.

Prandaj, edhe ne nuk duhet të merremi shumë me Serbinë dhe me deklaratat e tyre, sepse mund të shpërqendrohemi nga problemet dhe çështjet e tjera shumë më të rëndësishme e vitale për jetën tonë shtetërore, politike e ekonomike. Megjithëse Beogradi edhe më tutje është forca më e rrezikshme e rajonit dhe armiku ynë kryesor në të gjitha planet, Serbia nuk është pengesa jonë dhe cungu kryesor në të cilin do të marrin në thua, megjithëse nëpër këmbë do të na sillet vazhdimisht dhe do të na bëjë ndërkamca sa të jetë jeta. Këtë duhet ta kemi të qartë dhe për asnjë çast nuk duhet të mashtrohemi. Ne duhet të angazhohemi në segmentet e tjera si në zhvillimin e ekonomisë, joshjen e kapitalit të jashtëm, krijimin e sigurisë së brendshme dhe komunikimin demokratik. Por me Serbinë do të jemi në distancë dhe do të kemi vështirësi vazhdimisht. Prandaj nuk është mirë të bëhemi euforikë, sikurse dinë të jenë disa nga bashkëkombësit tanë dhe kur rrëmbehen nga ndonjë deklaratë e filan zyrtarit serb, kinse është shpresëdhënëse, kinse Serbia po ndryshon, po demokratizohet etj. Serbia do ta ketë zor, madje krejtësisht të pamundur që të demokratizohet, sepse edhe sot e kësaj dite mban shumë territore të huaja, të cilat i ka okupuar, ndërsa për t’i mbajtur apo për ta asimiluar popullatën e këtyre territoreve i duhet një aparat i fortë shtypës: polici e egër, sikurse e kanë ata, ushtri brutale dhe propagandë që të çmend me papagallin e vet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›