E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfenjë për Nexhmijen e të tjerë mbështetës

Nga Vasilika Tafa
Druaj se mos ndonjëri nga lexuesit që më njeh, thotë se po kësaj çfarë pune i ka prishur intervista e diktatores Nexhmije. Gjithçka lidhet vetëm me mua. U bë shkak shoqja Nexhmije që më ngacmoi kujtimet e shkuara e që flinin prej vitesh brenda meje dhe familjes time. 

Druaj se mos ndonjëri nga lexuesit që më njeh, thotë se po kësaj çfarë pune i ka prishur intervistae diktatores Nexhmije në emisionin “Shqip”. Ky është shtypi i lirë, kjo është e drejta e fjalës, kjo është e drejtë njerëzore e të tjera dokra si këto. Por gjithçka lidhet vetëm me mua.
Pra u bë shkak shoqja Nexhmije që më ngacmoi kujtimet e shkuara e që flinin prej vitesh brenda meje dhe familjes time. Pas ditëve të lodhshme të punës, ndjehem “komode” kur ulem para televizorit për të pare ndonjë emision. Veçse asnjëhërë nuk më ka shkuar mendja se edhe unë do llogaritesha të hënën e shkuar një “numër” më shumë i audiences së “jashtëzakonshme” të “Shqip-it” të gazetares Rudina Xhunga.
Në mbarimin e intervistës u ndjeva e poshtëruar. Po kështu edhe familja ime. Si unë edhe shumë familje serioze dhe dinjitoze shqiptare sepse.... kur shoqja Nexhmije ligjëronte, unë kujtoja fëmijërinë, shijen e hidhur të së cilës ma “dhuroi” kjo intervistë.
***
Nuk isha më shumë se pesë vjeç, kur një ditë të nxehtë korriku, në shtëpinë e prindërve të mij në Pogradec, të gjithë qanin. S’ kishte asnjë arkivol të shtruar në mes të dhomës, nuk dija të kishte ndodhur ndonjë aksident për aq gjëmë. Vajtonte e ndjera gjyshja ime, një grua e shkurtër dhe e zgjuar, qante mamaja ime një grua e re dhe e hijshme. Qaja edhe unë. Kisha më shumë se një javë që nuk e kisha babin në shtëpi. Ai, ishte burrë autoritar, i pashëm, me humor dhe mjaft i dashur. Më mungonte shumë. Kam qenë vajzë e përkëdhelur dhe shëtisja çdo mbasdite me të. Ai me blinte gjithçka që i kërkoja. Por edhe te unë lotë kishin zëvendësuar ditët e zhurmshme e me humor. Qaja sepse ai kishte nisur të mungonte gjatë!?
E vetmja që nuk qante në shtëpinë tonë ishte motra ime e vogël Kozeta, që atëherë ishte vetëm një vjeçe. Si për të zëvendësuar humorin e munguar të shtëpisë dhe për të larguar hijen e rëndë që kishte pllakosur, ajo qeshte me te gjithë pa kuptuar asgjë. Madje, ajo nuk e kërkonte as babin.
Një ditë hapa me kujdes derën e dhomës së gjyshes, mora guximin dhe pyeta se kur do kthehej babi, kur në derë ja behën katër burra shtatlartë e të egër. Përplasën pas derës së korridorit gjyshen dhe hynë në dhomën e gjumit. Unë shtanga dhe nuk dija ku të shkoja e lemerisur nga frika. Por asnjëri nuk kishte nge të merrej me mua, të më largonte nga kjo skenë e rëndë që po luhej brenda shtëpisë time. Burrat ulërinin dhe shanin me fjalë të poshtra, por në veshin tim ka mbetur ende në mendje zëri i atij më të madhit, pra komandantit që përsëriste fjalën “armik” dhe se “kështu është kur të merr koka erë dhe nuk bën ato seç të thotë partia”. Atje në burg le të kalbet për atë që ka bërë…
Të tjerët kishin futur kokat e dhjamosura në sepete dhe rrëmonin si të babëzitur. Gjithçka, çdo cep të shtëpisë e kthyen përmbys.
Skena të tilla që i kisha parë nëpër filma me komunistë i shihja edhe në shtëpinë time. Ndihesha e egërsuar dhe gati sa nuk kam ulëritur kur rrëmbyen edhe rrobat e babit dhe të mamasë time. Ata plaçkitën gjithçka në shtëpinë tonë. Morën shumë sende me vlerë, foto të njerëzve tanë të afërt që jetonin në Amerikë. Madje ata morën dhe të gjitha bishuteritë prej floriri, që gjyshja i trashëgonte nga i babai i saj. Edhe tim atë, Jovanin e kishin rrëmbyer.
Në shtëpi mbetëm katër femra të moshave nga 75 deri 1 vjeç dhe vetëm qanim.
Kalonin ditët dhe nga bisedat me gjyshen dhe mamin kuptova se babin e kishin dënuar me burg dhe se njerëzit dalëngadalë na largoheshin.
Madje sipas burrave që na rëmbyen sendet e shtëpisë, kjo ishte pak për atë. Ai meritonte edhe shumë më tepër. Unë e habitur nuk kuptoja se për çfarë përmendej Spaçi, Burreli apo Tirana. Herë pas here nga të afërmit dëgjoja, është mirë me kaq sepse ka edhe më keq akoma…
Megjithatë babai im s’ka qenë asnjëherë i keq. Por ai kishte pranuar të merrte nga njerëzit e tij të afërt që jetonin jashtë Shqipërisë si dhuratë një televizor dhe për këtë arsye shteti i diktaturës së proletariatit, pra shteti i Enver Hoxhës e dënoi me disa vite burg.
Është e tmershme kur e mendon tani, apo jo shoqja Nexhmije. Ti the se ai regjim nuk i burgoste njerëzit kot. Se ai regjim ishte më humani.
Por ti e ke burgosur katër vjet për një TELEVIZOR që i erdhi dhuratë nga jashtë. Ai nuk vodhi në dyqanet e tua, por ia sollën nga larg me dëshirën që edhe ai të shihte diçka, si të gjithë njerëzit e lirë të kësaj bote.
Madje e burgose dhe e torturove edhe pse ai nuk i mohoi asnjëherë njerëzit e afërt të tij që jetonin jashtë Shqipërisë edhe kur ja kërkove me ngulm. Madje e persekutove më shumë kur ai nuk nëshkroi se duhet të bashkëpunonte e ti kryente shërbime regjimit tënd. Por vetëm mostrat e llojit dhe të kastës suaj e mohojnë kohën kur sundove ti dhe sot vazhdojnë ta ngrejnë në piedestal atë. E burgose dhe e çnderove, sepse nuk e bëre vasal.
Sot ndjehem mirë që im Atë, deri ditën që vdiq nuk ju deshi kurrë. Ashtu siç ndihem keq për shumë njerëz, të afërt apo shokë, që e kanë spiunuar, duke mos e duruar dot krenarinë dhe pavarsinë që ai kishte nga pushteti juaj i frikshëm. Në qytetin tim të lindjes ka shumë moshatarë të tij që e mbajnë mend mirë historinë e dhimbshme të tij..
Ishte e vështirë fëmijëria ime. Sa e sa herë jam endur bashkë me mamanë dyerve të burgut për ta takuar pesë minuta të vetme. Ajo kohë e tmerrshme sillet në kujtesën time me siluetat hijherënda të policëve që e shoqëronin në dhomën e takimit dhe nuk largoheshin për asnjë çast. Bile nuk më lejonin që unë ta përqafoja. Brenda meje pështjellohet kërkesa e vazhdueshme fëmijërore që i bëja babait:
- Po pse mor babi nuk kërkon falje që të vish sa më shpejt në shtëpi?. Nëna vetëm qan dhe nuk shikon më. Atje është motra. Ajo është rritur dhe ty të njeh vetëm nga fotografia. Ndërsa unë jam mërzitur, se nuk kam me kë të dal në breg të liqenit.
Por megjithatë njëri nga komandantët, fytyrë paqësore që na përcillte mbas takimit më thoshte:
-Duaje babin tënd, ai është i mirë dhe nuk ka bërë gjë... do të vijë shumë shpejt te ju në shtëpi.. Nuk ka bërë gabim. Vazhdo ta duash më shumë. Edhe më shumë. Eshtë babai yt
Këtë i bëre të ndjerit babait tim. Këtë ju ke bërë sa e sa baballarëvë, sa e sa bijave të tjera si unë. Patjetër edhe më keq…

Pra ishe ti shoqja diktatore dhe regjimi yt që më privuan një fëmijëri si e të gjithë moshatarëve të mi.
Mbaj mend që në shkollën fillore edhe pse isha nxënësja më e mirë e klasës dhe mësuesja më uronte dhe e vinte në dukje një fakt të tillë, asnjëherë nuk më dha fletë lavdërimi. Sa herë fillonte viti i ri shkollor, ajo ulte kokën, nuk më shikonte në sy duke e shmangur vështrimin me mua. Por edhe pse e lexonte shumë mirë mendimin tim, brenda vetes ndjehej e lënduar sepse... ishin komisarët e tu shoqja Nexhmije që ia grisnin para syve fletëlavdërimin për vajzën e një dënuari të regjimit që ndërtove. Pra kjo për ju nuk quhej “luftë klasash”.
I lodhur nga burgimi absurd ideologjik, im Atë, deri në fund të jetës së vet me vetëdije nuk u ul më para televizorit edhe pse me ndryshimin e sistemeve i bëra dhuratë një televizor me ngjyra.
Vitet bënë atë që ngjarja e jetës sime të kishte krijuar koracë të fortë dhe vështroja me kujdes çdo lëvizje të politikës së çdo krahu edhe pse shpirtërisht jam e pozicionuar në devizën demokratike. Jam e bindur se tashmë politika duhet konsideruar si pjesë e një loje që i shërben perspektivës së këtij vendi.
Por ti shoqja Nexhmije më ngjall frikën e fëmijërisë. Më kujton gjyshën time, që u verbua nga lotët, më kujton tim Atë që deri sa vdiq nuk bëri “kompromis” me regjimin tënd.
Kur të ndiqja në televizor rreth dy orë rresht tek monologoje duke bërë alibinë e krimit , në heshtje i kërkoja ndihmë Zotit sepse flisje e llastoheshe para kamerave si një vajzë e dashuruar! O Zot! Përse u dashka të të shohin ty shumë prej atyre që u ke shkaktuar plagë më të dhimbshme se e imja? Pse s’të paska mbetur tani në fund të jetës qoftë edhe pak ndjesi njerëzore për t’u rrëfyer para Zotit?
Të ndoqa gjatë sepse mendova se do bëje një hap më civil. Por demokracia e brishtë shqiptare të ka dhënë shansin të jetosh e lirë pa të ngacmuar askush ndryshe nga shumë diktatorë të vendeve komuniste. Pra pse vazhdon ta privosh ende lirinë time?
Është e drejta jote politike për të dhënë direktivat për përvjetore, apo mbledhje forumesh të organizimit tënd politik. Atje je e lirë të bësh gjithçka. Por jo të “persekutosh” median dhe mendimin e lirë si pjesë e vyer e tolerances dhe pasurisë së këtij populli. Ne bëmë atë që ju se bëtë kurrë gjatë gjithë sundimit tuaj. Prandaj ishte koha të largoheshe e qetë dhe me dëshirë nga ditët e jetës tuaj, nga skena e televizioneve, sepse çfardo që ti të thuash a të retushosh do të ngjallë vetëm neverinë, jo vetëm të atyre që jetuan për 50-vjet nën rregjimin tënd.
Ti dhe bashkëshorti juaj kriminel, janë ata që vërtet meritojnë një vend në historinë e këtij kombi, por si njolla e zezë e saj. Historitë e tua groteske për keqardhje e miq të vuajtur, mund ti tregosh vetëm mikeshave të tua. Le të vleje edhe për të bindur njerëzit më të afërt të familjes tënde, apo bashkëpunëtorët e tu. Ajo që tregove mund të jetë një përrallë e gjatë vetëm për Rudinën që ngazëllehej e emocionuar.
Babai im ka pak vite që ka vdekur dhe ka bërë shumë më tepër burg se çke bërë ti dhe nuk kërkoi mëshirë. Ndërsa ti hakërrehesh për shkelje të drejtave njerëzore. Ndryshimi mes jush është se ti je gjykuar për “kafe” ndërkohë që duhet të ishe gjykur për krime tjera. Ai është burgosur pse i dhuruan një televizor, nuk u paqtua me të deri kur vdiq... sepse e dinte që njëditë ti do shfaqeshe përsëri.
Ky është rrëfimi im për ty dhe ithtarët e tu, për ata që për pak kohë të harruam.
Ky tregim është për Rudinën e televizionit.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›