E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Donjeta Sadiku fiton të artë në boks

PRISHTINË, 28 gusht /ATSH/ Donjeta Sadiku është kampione e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

Boksierja kosovare ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, duke mposhtur boksieren serbe Kristina Kuluhova.

Sadiku e dominoi përballjen dhe në raundin e dytë e detyroi kundërshtaren të dorëzohej, duke siguruar kështu medaljen e artë për Kosovën.

Një triumf spektakolar për Donjetën, e cila nga fillimi deri në fund tregoi forcën dhe superioritetin e saj në ring.

Pas fitores në gjysmëfinale ndaj grekes Sofia Legaki, Sadiku e mbylli turneun në mënyrën më të fuqishme të mundshme – me një fitore në finale ndaj një boksieres nga Serbia dhe me medaljen e artë në qafë.

Pas fitores së madhe në finale, Donjeta Sadiku ka folur shkurt për paraqitjen e saj në Taranto.

“Ndeshja ka shkuar ashtu siç e kemi parashikuar. Kam qenë super e përgatitur”, ka thënë Sadiku pas triumfit.

Boksierja kosovare ka theksuar se medalja e artë ka një domethënie të veçantë për të.

“Këtë medalje ia dedikoj të gjithë Kosovës”, u shpreh Donjeta Sadiku. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›