E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojtarët e Francës në kor: Të bëjmë Francën në Dublin

PARIS- Lojtarët e Francës besojnë se nuk do të mungojnë në Botërorin e Afrikës së Jugut, duke kaluar në plejof pengesën me emrin Irlandë. “Gjelat” do të luajnë të shtunën në Dublin, ndërsa të mërkurën e ardhshme është ndeshja e kthimit në Paris. Mungesa e Frenk Riberi ka qenë problemi më i madh për teknikun Rajmond Domenek, megjithatë Franca mbetet superiore në emra përballë Irlandës së Trapatonit. Takimi do të luhet në një stadium të tejmbushur, me 80 mijë tifozë që kërkojnë fitore nga skuadra e tyre. “Do të kemi më shumë shanse të marrim një rezultat të mirë nëse luajmë mirë me topin dhe tregojmë aftësitë tona”, deklaroi mesfushori Joan Gurkuf. “Natyrisht që do të jetë e vështirë, por edhe për ata nuk do të jetë e lehtë me ne”, shtoi ai. Ndërsa lojtari i Arsenalit Bakari Sanja deklaroi se Franca duhet të luajë si Franca dhe jo të mendojë se çfarë do të ndodhë nëse humb apo gjërat nuk shkojnë mirë.

“Na mbesin vetëm dy ditë dhe çdo anëtar i skuadrës duhet të jetë gati të tregojë veten, - tha sulmuesi i Lionit Sidnej Guvu. Ai kërkoi gjithashtu që lojtarët të jenë më të përqendruar te kjo ndeshje, që është tepër e rëndësishme për fatet e kombëtares. Ndërsa mbrojtësi i Barcelonës Erik Abidal deklaroi se mbrojtja e Francës është përgatitur për një ndeshje tepër të fortë në Dublin.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›