Lojtarët e Romës humbin besimin te titulli
TIRANE- Humbja me Sampdorian, thuajse i ka shuar shpresat e Romës për fitimin e titullit kampion në Itali. Verdhekuqtë u mundën 2-1 në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të këtij sezoni, duke mbetur tashmë 2 pikë larg Interit. Skuadra e Ranierit nuk shfrytëzoi dot mundësitë e shumta që iu dhanë në pjesën e parë, ku arriti të realizonte vetëm një gol me anë të Françesko Totit. Në të dytën, Sampdoria shënoi dy herë me Pacinin, i cili shkatërroi festën e 80 mijë të pranishmëve në stadium. Pas kësaj humbje, lojtarët e Romës kanë pranuar se çështja e titullit tani është thuajse e pamundur. E vetmja ndeshje e vështirë e Interit është ajo kundër Lacios javën e ardhshme, por sipas Daniele De Rosit, skuadra tjetër e kryeqytetit vështirë se do të impenjohet. “Në rast se Lacio luan tamam, Interi nuk fiton kurrë në Olimpiko, por nuk besoj se kjo do të ndodhë. Ata mezi presin të humbasim ne për të gëzuar”, deklaroi De Rosi. Në tre ndeshjet e mbetura, Interi luan me Lacion në transfertë, pret Kievon dhe udhëton për në Siena, ndërsa Roma do të ndeshet me Parmën në transfertë, Kaljarin në shtëpi dhe Kievon në Verona.
(Altin Latifi/Balkanweb)
(Altin Latifi/Balkanweb)