Lojtarët janë me Vilash Boash trajneri beson në triumfin final
Mesfushori i Çelsit, Huan Mata ka thënë se futbollistët janë me menaxherin Andres Vilash Boash. Mata është i lumtur me fitoren ndaj Ulvsit në fundjavë, që ndërpreu serinë negative dhe spekulimet rreth përçarjeve mes Vilash-Boashit dhe futbollistëve të skuadrës nga “Stamford Bridge”. “Nuk është lehtë kur ke rezultate të tilla negative, por ne kemi besim te vetja dhe ekipi. Grupi gjithmonë ka qenë shumë i bashkuar dhe duam të qëndrojmë të tillë për të shkuar përpara”, tha Mata për mediat angleze. Çelsi pat humbur tri nga katër ndeshjet e fundit në kampionat dhe u mundën edhe nga Bajer Leverkuseni në Ligën e Kampionëve gjatë mesjavës. Por ata u rikthyen te fitorja në “Stamford Bridge” falë golave të shënuar nga Xhon Terri, Daniel Starrixh dhe Huan Mata. Klubi nga Londra Perëndimore është ende në pesëshen kryesuese, por shumë pikë pas Mançester Sitit, por Vilash Boash beson se është ende e mundshme që të arrijnë skuadrën e drejtuar nga Roberto Mançini. “Mendoj se ne kemi ende mundësi për të fituar titullin. Shumica e lojtarëve tanë e kanë fituar këtë titull më parë me Çelsin. Kemi talentin e nevojshëm dhe besimi do të jetë gjëja e fundit që do të vdesë te ne”, ka deklaruar dje trajneri i Çelsit. Duke folur për ndeshjen e djeshme mes Mançester Sitit dhe Liverpulit, Vilash Boash ka shtuar: “Për ne është e vështirë të shohim skuadrën kryesuese shumë larg nesh. Në të shkuarën ne kemi dhënë prova se mund të shkurtojmë diferencën madhe të pikëve, por që shembujt në fjalë të shërbejnë si frymëzim për ne, duhet të kthehemi te fitoret ashtu si vjet. Për mendimin tim, e keqja ka kaluar. Ne kemi bërë disa herë gabime në grup në ndeshjet e fundit. Tani duhet t’i ndreqim sa më shpejt dhe të sigurohemi që do të jemi në rrugë të mbarë. Tani e tutje për skuadrën tonë gjithçka është një sfidë e fortë.” Vilash Boash e sheh si të vështirë kalendarin e muajit dhjetor dhe beson se katër ndeshjet e ardhshme do të kenë një impakt shumë të fortë në sezonin aktual. “Dhjetori do të jetë muaj i rëndësishëm për ne. Do të luajmë një ndeshje të Ligës së Kampionëve, por të tjerat janë të Premier Ligës.”