Napoli-Juve, si do të shkojë s’përfundon aty
Konte i ka idetë e qarta: “Napoli është një test i vështirë për ne. Janë një ndër favoritët për titull.” Maxarri paralajmëron të tijtë: “Kujdes, Juvja vrapon me 1 mijë kilometra në orë”.
22 ditë më parë gjithçka u anulua për shkak të motit të keq që përmbyti një pjesë të madhe të gadishullit Apenin, përfshirë edhe Napolin. Asokohe ky u interpretua si një veprim i nxituar nga juventinët (pas orës 2 doli dielli dhe ndeshja luhej në mbrëmje) dhe i drejtë nga napoletanët (që ishin të shkatërruar nga lodhja pas përballjes me Bajernin). Megjithatë, sot në mbrëmje, të dyja skuadrat kanë në dorë fatet e tyre: Juvja për të konfirmuar momentin e shkëlqyer që po kalon dhe Napoli të rikthehet te pretendimet e fillimsezonit për titull.
Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, beson se të sonte skuadra e tij do të ndeshet me njërin nga rivalët për titullin e kampionit të Italisë, Napolin. Gjatë këtij sezoni Napoli ka mposhtur Milanin dhe Interin, mirëpo forma e paqëndrueshme e tyre ka bërë që të gjenden në vendin e tetë në tabelë, pas barazimit 1-1 ndaj Atalantas. “Kemi një test të vështirë të nesër (sot) mbrëma kundër Napolit. Ata janë padyshim një nga favoritët për ta fituar titullin, për shkak të kualitetit të skuadrës së tyre dhe për shkak të futbollit të tyre cilësor”, u ka thënë Konte gazetarëve dhe më pak ka shtuar: “Si do që të shkojë kjo ndeshje, lufta për titull nuk përfundon këtu. Kanë për të qenë 90 minuta të vështira”. Sulmuesi i Juvetusit, Alesandro Matri, mendon se lojtarët bardhezinj duhet ta ndalin Ezekiel Lavecin nëse duan ta mposhtin Napolin. I pyetur se cili lojtar e shqetëson në veçanti, Matri është përgjigjur: “Do të thosha Laveci, sepse kur ai e ka topin në këmbë, kjo të sjell frikë. Ai nuk shënon shumë, por është rrezik i vazhdueshëm”. Sa u përket skuadrave italiane, Matri është i mendimit se vetëm Milani është i kompletuar për të vazhduar tutje në garën më të madhe europiane.
Në kampin tjetër, trajneri i Napolit, Valter Maxarri, beson se suksesi i deritanishëm i Juventusit vjen pasi lojtarët kanë mjaft kohë në dispozicion për të pushuar pasi “Zonja e Vjetër” nuk merr pjesë në garat europiane. “Bardhezinjtë kanë një javë për t’u përgatitur për ndeshjet e tyre, ne nuk e kemi. Ata vrapojnë me 1 mijë kilometra brenda një ore”, ka thënë Maxarri për “La Gazzetta Dello Sport”, i cili beson se përkundër lodhjes, skuadra e tij do të performojë në formën më të mirë. Por mes lojtarëve të kaltër ka dëshirë për fitore. Mesfushori i Napolit, Marek Hamshik, kërkon që skuadra e tij të jetë në gatishmëri maksimale kundër Juventusit. Dy skuadrat italiane do ta zhvillojnë në “San Paolo” ndeshjen e shtyrë për shkak të përmbytjeve në Napoli, ndërsa mesfushori shpreson që skuadra e tij të dalë fitimtare. “Duhet të jemi në maksimumin tonë nëse duam ta mposhtim Juventusin. Dhe nuk flas vetëm për veten, Edinson Kavanin dhe Ezekiel Lavecin. Duhet të bëjmë një performancë të shkëlqyer si ekip”, ka thënë Hamshik.
Serie A – Java XIII
Të premten
Udineze – Roma 2-0
Të shtunën
Novara – Parma 2-1
Leçe – Katania 0-1
Lacio – Juventus 0-1
Atalanta – Napoli 1-1
Të dielën
Palermo – Fiorentina 2-0
Siena – Inter 0-1
Kajliari – Bolonja 1-1
Çezena – Xhenoa 2-0
Milan – Kievo 4-0
Renditja
Skuadra N F B H P
1.Juventus 11 7 4 0 25
2.Milan 12 7 3 2 24
3.Udineze 12 7 3 2 24
4.Lacio 12 6 4 2 22
5.Palermo 12 6 1 5 19
6.Roma 12 5 2 5 17
7.Katania 12 4 5 3 17
8.Napoli 11 4 4 3 16
9.Xhenoa 11 4 3 4 15
10.Parma 12 5 0 7 15
11.Kievo 12 4 3 5 15
12.Siena 12 3 5 4 14
13.Atalanta 12 5 5 2 14
14.Kajliari 12 3 5 4 14
15.Inter 11 4 2 5 14
16.Fiorentina 12 3 4 5 13
17.Bolonja 12 3 2 7 11
18.Novara 12 2 4 6 10
19.Çezena 12 2 3 7 9
20.Leçe 12 2 2 8 8