Lorik Cana kthehet titullar kundër Vasluit
Pasi ka ndjekur të gjithë sfidën e shokëve të tij kundër Juventusit, pa u çuar as në nxehmje nga trajneri Edi Reja, mesfushori i Lacios dhe kapiteni i kombëtares kuqezi, Lorik Cana, do ta nisë nga minuta e parë ndeshjen e rëndësishme kundër Vasluit, që do ta përcaktonte shumë aventurën europiane të bardhekaltërve. Cana duket se nuk e ka bindur ende trajnerin Edi Reja, që preferon si titullarë Brokin e Ledesman, ndërsa zgjedhje të parë si zëvendësues ka Matuzalem, duke e lënë Canën në pjesën dërrmuese të ndeshjeve në kampionat të ulur në stolin e rezervave. Por, kundër Vasluit trajneri nuk do të ketë në dispozicion as Ledezman e as Brokin, ndaj shqiptari duket se do të ketë në dorë mundësinë e fundit për të bindur trajnerin Reja dhe drejtorin Igli Tare që të mos e nxjerrin në treg në merkaton e janarit.