E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lokalet, Rama: Hyjmë në zgjedhje për të larguar qeverinë

Lushnjë- Kryetari i opozitës, Edi Rama, ishte dje në Lushnjë për t’u thënë socialistëve të këtij qyteti se opozita do të futet në zgjedhjet lokale të 8 majit. ”Në zgjedhjet vendore nuk hyjmë për ata do vihen në njësitë vendore, por hyjmë për të larguar Saliun... Do të votojmë për të zgjedhur ata dhe nëpërmjet kësaj vote do të largojmë qeverinë aktuale dhe Kryeministrin Berisha. Të mos përsërisim gabimet e katër viteve më parë. Betejën zgjedhore ne ta quajmë të fituar sepse në Lushnjë ka njerëz shumë të mirë për ta drejtuar atë”, - tha Rama. Sipas kryetarit të PS-së, Edi Rama, kjo qeveri nuk e meriton të qeverisë këtë vend sepse është simboli i korrupsionit. “Ne jemi e vetmja shpresë që do t’i heqim spitalet e shkollat kusarëve, e do t’ia kthejmë qytetarëve... Fajin e ka Saliu, sepse kjo tokë është pushtuar nga pushteti i hajdutëve dhe atyre që vrasin, duke kryer krime ekonomike të pashoqe. Fajin e ka Saliu sepse për dy muaj kjo qeveri dhe njerëzit e kupolës së tij hajdute kanë privatizuar 1280 objekte, të cilat ne do t’i kthejmë mbrapsht duke rrëzuar paligjshmërinë e këtyre privatizimeve”, - tha Rama. Kryetari i PS-së premtoi se opozita do të jetë ajo që do t’i kthejë qeverisjen këtij vendi nga një qeveri e shembullit të forcës, në një forcë të shembullit. “Kush nuk është i denjë për këtë shpresë, nuk është i denjë për të qenë edhe përfaqësuesi i PS-së”, - shtoi ai. Gjatë takimeve në bazë, kryetari i PS-së, Edi Rama, po përforëcon dita ditës idenë se opozita nuk do të bojkotojë zgjedhjet dhe se do të futet në garë për të fituar. Edhe në konferencën për shtyp të pak ditëve më parë, kryetari i PS-së e tha qartazi se opozita nuk bojkoton zgjedhjet, por shtoi se për këtë gjë duhen realizuar disa kushte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›