Zgjedhjet e 8 Majit, beteja për 11 minibashkitë e Tiranës
Partia Socialiste pritet që të rinovojë pjesën më të madhe të emrave që kanë qeverisur deri më tani këto njësi vendore
Partia Socialiste pritet të hedhë emra të rinj në garën e 8 majit për minibashkitë e kryeqytetit. Zhvillimet politike të pas 18 shkurtit 2007 dhe kapërcimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në koalicionin qeverisës, kanë krijuar një terren të ri në 11 zonat e Tiranës. Deri më tani mësohet se miratimin për një rikandidim të mundshëm e kanë marrë krerët aktualë të dy minibashkive, ndërsa të tjerët mbeten ende në pikëpyetje. Në minibashkinë numër 1 të Tiranës pritet të rikandidojë Lindita Nikolli, e cila mori mandatin e saj të parë në zgjedhjet e vitit 2007. Situata në minibashkinë numër dy është më e ndërlikuar, pasi kreu aktual, Përparim Bodinaku, është në përfundim të mandatit të tretë rresht. Rikandidimi i tij është i dyshimtë dhe mundet që socialistët të preferojnë të vendosin një tjetër kandidaturë për 8 majin. Njësia numër 3, pas largimit të Ilir Kokonës, drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka krijuar mundësinë për të përfshirë një kandidaturë të re në garë. Nisur nga fakti se LSI-ja e Ilir Metës do të kandidojë sërish Kokonën, atëherë pritet të kemi një përballje të majtësh në këtë njësi vendore. Një tjetër emër i dyshimtë për rikandidim është Vaid Kalaja, i cili ka tre mandate në krye të minibashkinë numër katër, ashtu sikurse mbetet në dyshim Jeta Seitaj, me dy mandate në njësinë numër pesë. Socialistët do të duhet të gjejnë një rival për kandidaturën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në minibashkinë numër gjashtë, ku drejton aktualisht Luzhiana Abazi. Kreu aktual i njësisë shtatë, Pandeli Sara, mbetet në dyshim pasi ka mbyllur dy mandate në drejtim dhe ka lëvizur kohë më parë nga strukturat e PS drejt socialistëve të reformuar. Minibashkia numër tetë është konsideruar gjithnjë si një zonë e Partisë Demokratike dhe nuk dihet nëse do të rikandidojë apo jo ende kryetari demokrat Arben Tafaj. Armond Halebi i njësisë numër nëntë duket se ka vullnetin politik të lidershipit socialist, për të tentuar të marrë një mandat të dytë në këtë funksion. Dy emra të rinj do të duhet të gjenden për minibashkitë numër 10 dhe 11 të Tiranës, ku aktualisht qeverisin të zgjedhur demokrat. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në minibashkinë numër një, Lindita Nikolla e PS u zgjodh kryetare në vitin 2007, me 7 021 vota, ndërsa rivali demokrat Altin Qoshja kishte 5 926 të tilla. Në minibashkinë numër dy, Përparim Bodinaku u zgjodh me 12 232 vota, ndërsa Bujar Brovina mori 10 038 vota. Ilir Kokona që kandidoi katër vite më parë për socialistët, në njësinë numër tre, mori 6 931 vota ndërsa kundërshtari Olger Baraku 5 068. Vaid Kalaja, në minibashkinë numër katër, ka fituar me 8 627 vota ndërsa rivali Lulzim Konçi mori vetëm 6 668. Në minibashkinë numër pesë, Jeta Seitaj, fitoi me 14 365 vota, kundrejt 9 170 që mori Edmond Stojku. Kandidati demokrat në minibashkinë gjashtë humbi përballë Luzhiana Abazit të LSI-PS, me më pak se 200 vota. Abazi fitoi 5 331 ndërsa Fatmir Nezaj 5 178. Pandeli Sara, në minibashkinë shtatë, mori mandatin me 10 258 vota ndërsa kundërshtari Zak Topuzi mori 8259. Kryetari aktual i minibashkisë tetë mori katër vite më parë 6 734 vota, ndërsa kandidati i majtë Fatos Xhediku vetëm 4 938. Ardmond Halebi është aktualisht kryetar i njësisë nëntë, pasi fitoi 8 413 vota kundrejt 7 732 të tilla që mori rivali demokrat Ramazan Kellezi. Demokratët qeverisin minibashkinë 11, pasi kandidati i tyre Haki Mystafa fitoi ndaj Pal Doçajt të opozitës, më 18 shkurt 2007. D.M.