Kandidimi i Bashës dhe Xhaferrit, si ndryshon qeveria dhe grupi i PD
Basha dhe Xhaferri pritet të lënë postet e tyre ministrore dhe mandatin e deputetit. Në vend të tyre në Kuvend, Ndriçim Babasi dhe Aurel Bylykbashi. Negociata edhe për emrat e ministrave të rinj
TIRANË- Dy ministra të rinj në qeverinë Berisha, dhe të paktën dy deputetë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, para zgjedhjeve lokale të 8 majit. Kjo është skema e ndryshimeve të shpejta në radhët e mazhorancës. Arsyeja lidhet me zgjedhjet lokale, ku Lulëzim Basha pritet që të lërë postin e ministrit të Brendshëm për Bashkinë e Tiranës dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri për Bashkinë e Durrësit. Kandidimi i tyre për dy bashkitë kryesore në vend do të çojë edhe në dorëheqjen e tyre nga mandati e deputetit. Zëvendësimi i tyre do të vijë nga deputeti më afër listës për qarkun e Durrësit dhe Elbasanit, aty ku Xhaferri dhe Basha janë zgjedhur. Në të njëjtën kohë, Berisha po mendon edhe për emrat zëvendësues në qeveri.
Durrësi
Mazhoranca e ka kandidatin zyrtar për Bashkinë e qytetit të Durrësit. Ai është ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, i cili garon për herë të dytë për postin e kryebashkiakut. Dikur nën siglën e PDR-së dhe tashmë në siglën e PD-së, Xhaferri mësohet se po përgatitet fort për të garuar kundrejt kandidatit më të mundshëm nga ana e PS-së, Vangjush Dako. Me kandidimin e tij, Xhaferri pritet të japë dorëheqjen si ministër dhe nga mandati i deputetit, duke favorizuar kandidatin që gjendet më afër listës, Ndriçim Babasi. Burime zyrtare nga PD-ja deklaruan dje për gazetën “MAPO” se emri i Xhaferrit është drejt zyrtarizimit dhe se ai së shpejti pritet të fillojë punën për garën e ethshme të Durrësit. Në bazë të Kodit Zgjedhor, Xhaferri duhet të japë dorëheqjen deri në fund të këtij muaji, për t’u regjistruar në KQZ, si kandidati zyrtar i koalicionit qeverisës PD-LSI për Bashkinë e Durrësit. Ndërkohë, po aq shpejt po përfliten edhe emrat e parë kandidatë për postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kandidatura më e lakuar deri më tani për këtë dikaster është emri i deputetes demokrate, Mesila Doda. Në bashkinë e dytë të rëndësishme në vend, atë të Durrësit, në zgjedhjet lokale të vitit 2007, koalicioni i drejtuar nga PS, në përbërje të së cilit ishte edhe LSI-ja, grumbulloi plot 19,097 vota. Ndërsa, koalicioni i drejtuar në atë kohë nga PD, që ndodhej në pushtet, mori 18,789 vota. Në rast se i referohemi zgjedhjeve të qershorit, 2009, për të njëjtin territor, koalicioni i socialistëve do të mund të merrte 27,548 vota. Koalicioni qeveritar në anën tjetër do të grumbullonte 30,456 vota. Ndërsa LSI-ja, me 4,834 votat e saj, është përllogaritur nga mazhoranca si asi nën mëngë për të fituar këtë bashki. Por një pjesë e votave të LSI nuk duken 100% të sigurta, pasi negociatat mes Berishës dhe Metës nuk nxorën kandidat Lefter Kokën.
Tirana
Një tjetër ministër që pritet të japë dorëheqjen është ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë kandidaturën e Bashës, për Bashkinë e Tiranës. Me dorëheqjen e mundshme të Bashës, përfiton një mandat deputeti, Aurel Bylykbashi, i cili ndodhet më afër listës së kandidatëve për deputet në qarkun e Elbasanit. Kandidatura e Lulëzim Bashës nuk ka lënë bosh edhe fillimin e bisedimeve për kandidatin e mundshëm, që do ta zëvendësojë atë në postin e ministrit të Brendshëm. Emrat më të përfolur për këtë post ministror, deri më tani, janë Eduard Halimi, Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi. Bashkia e Tiranës do të jetë beteja më e fortë në zgjedhjet e 8 majit. Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, koalicioni i PS-së ka fituar 121 543 vota. Aleatët e saj sot, Partia Ligj dhe Drejtësi ka marrë 718 vota, Partia Socialiste e Vërtetë 808, Partia Demokristiane 919 dhe Partia e Gjelbër 168 vota. Në krahun tjetër, koalicioni i drejtuar nga PD-ja, në përbërje të të cilit ishin 16 forca politike, grumbulloi 106 643 vota. Koalicioni i udhëhequr nga LSI, duke zbritur votat e PSV91 dhe Partisë së Gjelbër, që kaluan në opozitë, rezulton të ketë 13 677 vota. Aleanca e dy koalicioneve respektive të PD dhe LSI do të çonte në një numër total prej 120 320 votash në Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që nuk dihet se për kë do të shkojnë votat e LZHK-së, të cilat besohet se do të kenë një zë të konsiderueshëm, duke parë që llogaritjet matematikore i vendosin të dy koalicionet mjaft ngushtë në rezultat. Ndërkohë, një deputet tjetër i ri nga lista e qarkut të Vlorës pritet t i bashkohet grupit të maxhorancës, pas kandidimit të përfolur të Ardian kollozit në këtë qytet.
Qarku Durrës
Dorëhiqet Ferdinand Xhaferri nga mandati i deputetit
Në vend të tij Ndriçim Babasi
Xhaferri dorëhiqet edhe nga posti i MKRS
Emri më i përfolur për këtë
portofol deputetja Mesila Doda
Qarku Elbasan
Dorëhiqet Lulëzim Basha nga mandati i deputetit
Në vend të tij Aurel Bylykbashi
Basha dorëhiqet nga posti i ministrit të Brendshëm
Emrat e përfolur për këtë portofol deputetët
Eduard Halimi
Ilir Rusmali
Viktor Gumi