Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, miraton javën që vjen politikën e re monetare
Banka e Shqipërisë (BSH) do të marrë javën që vjen, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të saj, vendimin mbi politikën monetare për 6-mujorin e dytë të 2008, ku një nga elementët kryesorë do të jetë shqyrtimi për ndryshimin ose jo të normës bazë të interesit. Sipas burimeve të BSH-së, gjatë kësaj mbledhjeje, vend kryesor do të zërë dhe diskutimi “Mbi gjendjen e ekonomisë gjatë muajve të fundit të vitit 2008 përballë krizës financiare ndërkombëtare”. Banka e Shqipërisë, në misionin e saj, mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e BSH-së do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj.
Burime nga BSH-ja bënë të ditur se sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza ndërkombëtare, megjithatë ajo dhe strukturat e saj kanë rritur vigjilencën ndaj aktivitetit bankar në vendin tonë. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion në zhvillimet në javët në vijim, bënë të ditur burime nga BSH-ja