Londër, del para gjyqit pasaniku rus

Pasaniku rus Oleg Deripaska do të paraqitet sot në Gjykatën e Lartë të Londrës për një nga proçeset financiare më të mëdha në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Çështja ka të bëjë me një pjesë aksionesh me vlerë 1 miliard dollarë në kompaninë “Rusal”, që është dhe prodhuesja më e madhe e aluminit në botë.
Çështja është dërguar në gjykatë nga biznesmeni britanik Michael Cherney, që pretendon se ka qenë ortak në biznes me zotin Deripaska, gjë që pasaniku rus e mohon.
Zoti Cherney pretendon se Deripaska i detyrohet atij 13.2 për qind të aksioneve të “Rusal”, kuotë me vlerë mbi 1 miliard dollarë.
Ndërkohë, bosi rus ka bërë të ditur se i ka paguar 250 milionë dollarë zotit Cherney, por thotë se kjo shumë ishte për të zgjidhur një tjetër çështje biznesi.