E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londo: Berisha të mendojë për teatrin e të rinjve

Regjisori Kiço Londo e sheh në amulli gjendjen e teatrit: Ligji i hartuar nga anadollakë, donacione të politizuara, mungesë vlerash dhe art i ndarë në klane.


Idesë së kryeministrit për një Teatër Kombëtar të Humorit, ai përgjigjet: Ne nuk kemi në punë ato që ekzistojnë


Të tjerë njerëz të teatrit vijojnë ta quajnë të gabuar dhe të pa thelluar idenë dhe urdhrin e kryeministrit Sali Berisha për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës. "Por ne nuk kemi në punë ato që ekzistojnë!" reagon për njëherë regjisori Kiço Londo, drejtor i Qendrës Kulturore "Tirana".


Londo, në korrent me problematikat e sotme të teatrove në Shqipëri, pohon në këtë intervistë për "Shekullin", se më e udhës do të ishte që kryeministri të mund të shpëtonte me një sasi qesharake fondesh, Teatrin e Akademisë së Arteve, apo t'i vinte në ndihmë iniciativave private teatrore, që janë zhdukur për mungesë fondesh.


Londo, si edhe të tjerë njerëz të teatrit, që nuk i kanë qëndruar indiferent këtij debati, pohon se ligji ka probleme thelbësore, "e pengon sistematikisht teatrin" dhe "është bërë nga anadollakë, juristë, njerëz që nuk marrin vesh nga kjo punë".


Ndër problemet që i sillen rrotull situatës së sotme të teatrit, një gangrenë që zor se i gjendet zgjidhja, është ndarja e donacioneve jo në bazë të vlerave dhe meritave, por sipas klaneve.

Z. Londo, si e komentoni idenë e kryeministrit për ngritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës?


Unë përshëndes dhe duartrokas iniciativën e kryeministrit për të ngritur institucione kombëtare të humorit.


Por ne nuk kemi në punë këto që ekzistojnë. Jam plotësisht dakord me kryeministrin, por ky vendim shihet si: "t'ia marrim këtij dhe t'ia japim atij". Nuk është një nevojë që buron së brendshmi.


Unë do t'i bëja thirrje kryeministrit që me një sasi qesharake fondesh, të hapte teatrin e Akademisë së Arteve. Të vihen 3-4 premiera teatri në vit dhe 2 opera, ku të alternohen studentët me pedagogët.
Akademia e Arteve duhet të gumëzhijë.


Nuk jam fare xheloz që t'ia marrin Teatrit të Metropolit, tagrin e të punuarit me të rinj. Ka të rinj të tjerë plot. Kjo duhet të ndodhë, nuk duhet të mbetemi në kuadrin e deklaratës.

Ka opinione që problemet e përhershme me teatrin lidhen me ligjin që e pengon atë të funksionojë. Ju si mendoni?


Ligji "Për Teatrin" është një ligj që pengon sistematikisht teatrin. Është një ligj që është bërë nga anadollakë, juristë, njerëz që nuk marrin vesh nga kjo punë. Ligji ka gjithandej probleme.


Më konkretisht, cilat janë ato?


Ligji "Për Teatrin" u miratua në vitin 1999, dhe 7-8 vjet më vonë iu bënë disa ndryshime. Mendoj se të dyja ligjet janë të cunguara, janë bërë nga njerëz jo profesionistë, nga njerëz që nuk e njohin teatrin në Shqipëri, nuk njohin përvojat e huaja.


Gjithashtu, për sa kohë, niveli i pagesës së tatimeve do të jetë me vlerë të njëjtë, nuk do të ketë shkallëzim, problemi i donacioneve, i sponsorizimeve dhe i parave që jep shteti për kulturën, do të vazhdojë.


Teatri vuan problemin e ligjit dhe të dhënies së donacioneve. Donacionet shihen si të politizuara, pra ai që ka pushtetin, mendon për "të tijët". Për mungesë të Ligjit të duhur për Teatrin, për mungesë të Ligjit për Tatimet, për mungesë të vlerave që duhen mbështetur, shoqatat teatrore pothuajse nuk ekzistojnë. Ekzistojnë në mënyrë sporadike, bëjnë përpjekje për t'u kapur pas njërit klan ose pas klanit tjetër dhe tani kemi këtë gjendje.


Ligji çfarë parashikon për mbështetjen e iniciativave të lira?


Ligji parashikonte mbështetje. Por, që të vesh në Ministri të Kulturës, duhet të jesh i Partisë që drejton Ministrinë e Kulturës. Nuk ka një hapje, nuk ka një optikë pa pyetur për bindjet dhe lidhjet mes njerëzve.


Kjo është e trishtueshme. Nuk besoj që në vitet 99-2001, Ministri i Kulturës veproi kështu. Nëse do të bënte këtë gjë, do të kishim këtë gjendje që kemi tani. Por, në atë kohë vepronin 5-6 shoqata paralelisht dhe merrnin fonde nga Ministria e Kulturës, merrnin fonde nga Bashkia.


Është e pafalshme çfarë ka ndodhur me projektin me të rinjtë. Ka degraduar në 1 deri në 2 shfaqje. Janë shfaqje që nuk komunikojnë me publikun, vetëm me njerëzit e afërt të atyre që bëjnë teatër. Pastaj shfaqja mbyllet, ndahen një apo dy çmime. E gjithë kjo përbën ngecjen e shoqatave që veprojnë.


Personalisht kam "Çajupi Theater".
Tani që jam në krye të Teatrit të Metropolit, apo dikur në kryer të Teatrit Kombëtar, i ngrij marrëdhëniet me shoqatën që të mos ketë konflikt interesi.


Çfarë ndikimi patën kompanitë teatrore në kohën kur ekzistuan?


Shoqatat lulëzuan në vitet '99-2001, kur Ministri i Kulturës i atëhershëm, pavarësisht me moskuptimet me Teatrin Kombëtar, i dha një shtysë shumë të madhe financimit të projekteve.


Në atë kohë patën aktivitet "Publimedia" e drejtuar nga Agim Xhafka, shoqata "Oaz" e drejtuar nga Altin Basha, shoqata e drejtuar nga Milto Kutali, "Çajupi Theater" që e drejtoja unë dhe vazhdoj ta drejtoj.


Këto shoqata morën mbështetje nga Ministria e Kulturës dhe nga shoqëritë aksionere, që vazhdojnë të japin mbështetje edhe tani. Kjo gjë erdhi nga vullneti i mirë i ministrit Edi Rama në atë kohë, erdhi nga vullneti i mirë i njerëzve që donin ta mbështesnin teatrin.


Në këtë kohë, kishte shfaqje në Teatër Kombëtar, kishte shfaqje në Akademinë e Arteve, nëpër qytete. Sollëm aktivizim të aktorëve, më shumë financa për artistët, më shumë shfaqje për spektatorin. Sollën një atmosferë ndryshe komunikimi në kryeqytet. Tani kanë vdekur.


Dhe kemi 15 salla, 2 Teatri Kombëtar, 2 Teatri i Metropolit, 2 Akademia e Arteve, Teatri i Operës Teatri i Ushtrisë, Teatri i Kukullave. Pra, nuk është problem sallash, i gjithë problemi është tek koncepti. Në këtë pikëpamje, duhet ndihmë nga ata që e drejtojnë teatrin.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›