Një variant besnik i Poradecit

Poezia e Lasgush Poradecit në qarkullim sipas dy botimeve të Bukureshtit në vitet '30 dhe korrigjimeve që u bëri më vonë autori. Me një parathënie të vet poetit, mendime estetike mbi poezinë, e cila botohet për herë të parë.
Ndër të tjera shënime që përpunojnë një mendim estetik mbi atë që poezia i rrëmben jetës, të bukurës dhe të vërtetës, Lasgush Poradeci (1899-1987), shkruan: "Nuk ka pra poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s'i përshtatet.
Poezija që i përshtatet, është POEZIJA, ajo që s'i përshtatet NUK është poezi dhe pra duhet të vdesë, të mos rrojë - sikundër dhe s'rron po humbet."
Citati është marrë nga teksti pa titull dhe datë të saktë, që botohet për herë të parë si parafjalë e Vepra I ku përfshihet krejt poezia e Poradecit.
Botimi i përgatitur për shtyp nga vajzat e autorit Kostandina dhe Maria Gusho është hedhur në qarkullim së fundi me rastin vitit 2009 "Vit i Lasgush Poradecit" në 110- vjetorin e lindjes, nga Shtëpia botuese "albPaper" me financimin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Deri një muaj përpara ishte e vështirë të gjeje në qarkullim veprën poetike të Lasgush Poradecit. Për botimin që kemi në duar, vajza e vogël e poetit thotë se kemi një variant besnik të poezisë së autorit, sepse i referohet botimeve të dy librave që u bënë në Bukuresht në gjysmën e parë të shekullit XX dhe ç'është më e rëndësishmja, për botimin aktual janë mbajtur parasysh shënimet dhe korrigjimet që Poradeci ka bërë në anë të faqeve.
Ky botim përmban shpjegime të fjalëve në fund të poezive që ka bërë vetë poeti.
"Vallja e yjve" ku bëjnë pjesë "Në vënd parafjale", "Vallja e qjellit", "Vallja e dherit", "Vallja e yjve", "Vallja e përjetësisë", "Vallja e vdekjes" etj., u botua nën kujdesin e Mitrush Kutelit në vjeshtë 1933 në Bukuresht.
Libri II, "Ylli i zemrës" që përmban "Zemra e qiellit", "Zemra e dherit", "Zemra e jetës", Zemra e përjetësisë", "Zemra e vdekjes" doli nga shtypi më 1937 pajisur me një vështrim kritik sërish nga editori Mitrush Kuteli. Të dy librat u botuan falë mbështetjes së studentëve shqiptarë në Rumani si edhe miqtë letrarë të Bukureshtit. Në koloninë shqiptarë të Bukureshtit.
Poezitë që ishin shkruar në Pogradec, Athinë e Bukuresht deri në vitet tridhjetë, do duhej të ndiqeshin nga ai që mendohej të ishte libri i tretë, i quajtur "Zemra ime".
Maria Gusho thotë pjesës së fundit të Veprës I, ku zënë vend poemat, nuk i janë bashkëngjitur dy baladat për Muharrem e Reshit Çollakun.
"Ato do të përfshihen në një material për Rezistencën e Pogradecit, material të cilin babai e kishte përgatitur si një projekt më vete krahas projektit për shkollën e Progradecit që është botuar tashmë."
Një botim që do të hidhte dritë mbi këto variante të botimeve të Bukureshtit, mendohet të jetë letërkëmbimi 12-vjeçar i Poradecit me shkrimtarin tjetër, botuesin, studiuesin dhe kritikun e tij të parë, Mitrush Kuteli. Korrespondencat janë menduar si vëllimi III i veprës së plotë. Ka kohë që Maria po punon për to.
"Këto letra janë një shkollë për mua. Kështu që në një kuptim po i shërbej tim eti, por po i shërbej dhe vetes. Po mësoj intimitete nga ai mqë s'i kam ndeshur më parë...
Njerëzit me të drejtë thonë kur do të dalin, u bë kohë që flas për to, por është një punë e vështirë. Mendojmë se tek korrespondencat do të përfshihen letërkëmbimet me Eqrem Çabejn, Asdrenin, Tefta Tashkon, Odise Paskalin."
Sa për korrespondencën me Kutelin, pavarësisht se tekstet e Poradecit janë po ato, themi se ai letërkëmbim "do të hedhë dritë" ngaqë përmban shumë letra të kohës së shkrimit dhe botimit të këtyre vargjeve.
Do të ndriçonin edhe anë të poezisë dhe mendimit të Lasgushit që vazhdojnë t'i interpretojnë sikur t'u përkisnin legjendave dhe një kohe që s'ka lidhje me kohën tonë.
Mbi veprën e këtij autori bëhen studime, botohen monografi, mbrohen doktoratura, dhe përsëri Poradeci se pse duket i studiuar pjesërisht, se pse ato që thuhen e shkruhen për të duken fare pak dhe sikur shkojnë në drejtim të kundërt me rrugën e veprës së tij. Në anën tjetër të këtyre letrave rri një Kutel, shënimet e viteve '30-'40 të të cilit për letërsinë janë një model i kritikës letrare.
Këtij miku dhe intelektuali të rrallë, në nëntor 1936 Poradeci i kishte kushtuar disa vargje për zemrën që vdes përkohë e lind përjetë.
Teksti parafjalë për Poezinë e botimit të vitit 2010 është i papërfunduar. Maria thotë se duhet të jetë shkruar në vitet '40.
Poradeci tenton të japë një përgjigje pse shkruan poezi: "Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm këto të përsosurit rrojnë (dhe mezi dhe këto). Të papërsosurit vdesin.
Sepse gjuha ndryshon pas 500 vjet. Ajo më s'është siç ishte. Është ligji i saj fiziollogjik dhe shpirtëror (siç është zhvillimi i njeriut). Bibla e Lutherit p.sh e shkrojtur para 500 vjetëve më s'do mundte të përdorej prej gjermanëve pa i-u bërë përpunime gjuhe.
Gjithashtu dhe përkëthimet e "përsosura" mjaftojnë për një kohë të gjatë, po dhe kjo kohë e gjatë një herë mbaron. Vetëm që kur përkëthimi ose një vepër origjinale janë të mira, kanë mundësi të qëndrojnë më gjatë.
Pse? Sepse dyke qenë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës sa qëndron gjuha e tyre (p.sh. 500 vjet), ato mund të ripunohen në themel të formës, të derdhjes së tyre të parë, pa çformuar derdhjen e parë. Poezija ka mundësi të qëndrojë më shumë se sa proza, sepse poezija ka një formë më skulpturale dhe një derdhje më të pandryshuar."
Tek kjo parafjalë ku duket të jenë bërë një dy shënime të ndryshme, ai jep mendime edhe për rëndësinë dhe rolin që luajnë në poetikë dy dialektet: gegërisht dhe toskërisht.
Të parit ai i jep cilësitë e një subjekti që ka energji fizike, kurse të dytit i atribuon ëmbëlsinë shpirtërore: "Lufton pra forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin.
Forca si një gjë brutale, do të fitojë (lëndërisht) përmbi shpirtin, do të mbetet (mbase) gjuha e "mesme" gege, sepse gjithnjë forca fiton përmbi shpirtin. Ky fitim është lëndor. Lëndërisht do kemi si gjuhë gegërishten (e "mesme"). Po një gegërishte të shpirtëzuar me influencën e toskërishtes..."
Poezia është vëllimi i parë i veprës së plotë e cila sipas Marisë vijon me publicistikën ku do të ketë të reja, një Lasgush Poradec studiues e shkencëtar të letërsisë. Vëllimi i tretë është korrespondenca që u prek më lart dhe i katërti "Ditari" që ai ka mbajtur ditë pas dite prej vitit 1942 deri më 1982 kur u trondit nga ishemia cerebrale.