Topi-drejtuesve fetarë: Besimi të përcillet në shqip

Presidenti Topi kërkoi që bashkësitë fetare në vend të izolojnë çdo zë ekstremist dhe fundamentalist që shfaqet në komunitetet e tyre. Topi bëri thirrje edhe për transparencë financiare
TIRANË - Gjatë dekorimit me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" të katër krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka kërkuar atyre që besimin fetar ta transmetojnë në gjuhën shqipe, pasi në këtë mënyrë, sipas Topit, mesazhi adresohet direkt tek besimtarët shqiptarë.
Duke iu referuar harmonisë fetare në vend, kreu i shtetit vuri në dukje se besimet e ndryshme fetare në Shqipëri kanë gjetur mikpritje në sistemin demokratik të shtetit shqiptar.
"Besimet në Shqipëri gjejnë mikpritje në gjirin e shtetit demokratik, pa bërë asnjë dallim mes tyre, e ato, siç është në traditën e themeluar prej vetë atyre, do të vazhdojnë ta respektojnë shtetin.
Një nga simbolet më sipërore të besimit, të qëndresës, të shkrimit dhe të dëshmisë, At Zef Pllumi, na la porosinë që besimi, sa të jetë e mundur, të transmetohet në gjuhën amtare, se kështu fjala e Zotit prek më lehtë mendjet dhe zemrat e njerëzve, i bën fuqishëm për vete, i njeh ata si të tijtë", - tha dje Topi.
Ai theksoi gjithashtu se përdorimi i fesë për qëllime politike është krejtësisht i papranueshëm, pasi, sipas Topit, një fenomen i tillë dëmton rëndë laicitetin e shtetit dhe vë në rrezik harmoninë ndërmjet bashkësive fetare. Në këtë kontekst, Topi kërkoi që bashkësitë fetare në vend të izolojnë çdo zë ekstremist dhe fundamentalist që shfaqet në komunitetet e tyre.
"Përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm, futja e argumentit fetar si prapavijë politike është rrezik për harmoninë dhe laicitetin e shtetit. Kur kjo tendencë shfaqet, duhet të reagojmë me forcë e të bashkuar për ta izoluar fenomenin që në nisje.
Bashkësitë fetare në vend, ashtu siç kanë bërë deri tani, jam i sigurt që edhe në të ardhmen, nën frymën e traditës dhe të kujdesit për një shoqëri të lirë e demokratike, do t'i izolojnë zërat ekstremistë dhe fundamentalistë në gjirin e tyre, sepse siç e dimë shfaqja e tyre, pikësëpari nuk tolerohet nga vetë besimtarët", - u shpreh ai.
Në këtë mënyrë, sipas Presidentit Topi, duhet të ruhet laicizmi i shtetit, pasi në të kundërt çdo përpjekje për ta cenuar atë, është e patolerueshme. Ai shtoi se një shtet laik është garantuesi kryesorë i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. "Laicizmi nuk është një proces i dhënë, bazat e tij edhe mund të tronditen herë pas here, nëse nuk jemi rojtarë konstantë të tij.
Shteti shqiptar do t'i qëndrojë kësaj tradite të shkëlqyer, çdo përsiatje tjetër për ta cenuar atë, është anakronike, është e patolerueshme, është e mbikëqyrur rreptë, sepse shteti laik është garanti kryesor i lirisë së besimit dhe i bashkëjetesës paqësore në një shoqëri demokratike", - nënvizoi kreu i shtetit.
Presidenti i Republikës foli edhe transparencë në aspektin financiar. "Në një shoqëri të hapur dhe demokratike, transparenca është marrëdhënie e domosdoshme ndërmjet bashkësive dhe shtetit, në të gjitha aspektet, përfshi edhe aspektin financiar apo të ndihmës së huaj për to, apo detyrime të këtij lloji që shteti ka ndaj tyre.
Besimi fetar i shërben rritjes së kombit, sepse zëri i arsyes dhe zëri i ndërgjegjes fetare, pra shteti dhe feja janë aleatë në rrugën e progresit të përgjithshëm dhe realizimit të qëllimeve të përbashkëta. Shteti promovon nëpërmjet arsyes ato vlera që besimi fetar kultivon nëpërmjet fesë", - tha ai.
Presidenti Topi u dorëzoi në shenjë vlerësimi Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" katër krerëve të bashkësive fetare në vend, përkatësisht Kryetarit të Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Haxhi Selim Muçës, Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së tij, Anastas Janullatos, Arqipeshkvit Metropolit të Tiranës e Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirditës dhe Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit. Ndërsa katër drejtuesit e bashkësive fetare shqiptare i shprehën Presidentit mirënjohjen e tyre të veçantë për vlerësimin me medalje.