E Shtunë, 31 Tetor 2026

Londra: Statusi i Kosovës, çështje e mbyllur

Megjithëse nuk pret që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur shumë shpejt, në një intervistë për BBC-në Lidington i bëri thirrje Beogradi të “lërë mënjanë çështjen e statusit” dhe të “pranojë realitetin se është fqinje me Kosovën e pavarur”, duke bërë çmos “për një të ardhme më të mirë si për popullin e Serbisë ashtu edhe atë të Kosovës”.

“Serbia duhet të angazhohet në një dialog konstruktiv me Kosovën fqinje për zgjidhjen e çështjeve praktike. Kosova është një realitet si shtet i pavarur. Ajo është njohur nga shumica dërrmuese e fqinjëve të saj, si dhe nga shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne parashikojmë që ky proces të vazhdojë me njohje të tjera, tashmë që ato e kanë parë opinionin e shprehur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë", theksoi Lidington .

Sa i përket kërkesës së Serbisë për bisedime të mëtejshme për statusin, Lidington tha se “i kupton reagimet e forta në Serbi”, por theksoi se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar është i qartë: “Opinioni i GJND-së shënon fundin e çdo argumenti lidhur me statusin e Kosovës”.

“Mendoj se banorët që jetojnë në jug të Serbisë apo në veri të Kosovës, kërkojnë të shohin hapa konkretë si nga qeveria e Beogradit ashtu edhe ajo e Prishtinës për hapjen e vendeve të punës në zonat ku ata jetojnë, mundësimin e tregtisë dhe ribashkimin e familjeve, si dhe krijimin e garancive ligjore që kompanitë e huaja të vijnë dhe të punësojnë banorë vendas. Kjo është ajo që duan njerëzit e zakonshëm, qofshin këta serbë apo shqiptarë”, shtoi ministri britanik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›