Torres: Nuk bëjmë kompromis me kroatët
Sulmuesi i Spanjës premton një futboll të ndershëm kundër skuadrës ballkanase: Ato që thuhen janë vetëm fjalë tifozësh
Kualifikimi i Italisë për në fazën çerekfinale të këtij Europiani, përveç fitores së detyruar me Irlandën e Trapatonit, kalon edhe nga sfida Spanjë-Kroaci, ku një barazim 2-2 ose me më shumë gola, do të linte axurrët jashtë, pavarësisht se sa thellë do të fitonte skuadra e Prandelit përballë Irlandës. Fernando Torres është i sigurt se sonte do të fitojë futbolli i ndershëm: Kundër Kroacisë, do të shikoni një fair play të vërtetë.
Biskota, sic e quajtën mediet italiane rezultatin e takimit Danimarkë-Suedi në vitin 2004 që përfundoi 2-2 dhe la jashtë Italinë, në atë kohë e drejtuar nga Trapatoni, rrezikon të përsëritet sonte. Por mes frikës së një marrëveshje të pashkruar mes Kroacisë dhe Spanjës, për italianët mbërrijnë lajme pozitive.
Në një sondazh të gazetës spanjolle, Marca 60.1% e votuesve shprehen kundër barazimit 2-2 apo çfarëdo barazimi tjetër me Kroacinë që do të eliminonte Italinë dhe 39.9% shprehen në favor.
Sulmuesi i Spanjës, Fernando Torres, i cili shënoi dy gola në fitoren bindëse kundër Irlandës, të enjten në mbrëmje, në kuadër të Grupit C në Euro 2012, ka premtuar për korrektësi maksimale në ndeshjen e fundit në grup kundër Kroacisë.
Ai ka hedhur poshtë çdo Pazar me kroatët në dëm të Italisë. Ato që thuhen janë llogari tifozësh, nuk kam ndër mend të bëj analiza të tilla, – tha sulmuesi spanjoll. – Ne jemi kampionët në fuqi dhe në çdo ndeshje hyjmë për të fituar.
Ne të gjithë e dimë shumë mirë në kokën tonë se kundër Kroacisë duhet të fitojmë, sepse asgjë nuk e kemi të siguruar, – ka shtuar Torres.
Tjetër deklaratë, është edhe ajo e mesfushorit spanjoll Ksavi Hernandez. Lojtari i Barcelonës në La Liga dhe motori që e ka udhëhequr Spanjën në triumfet e saj në Euro 2008 dhe Botërorin e 2010 deklaroi nga Polonia se Spanja nuk do të përzihet në asnjë pazar ndaj Kroacisë dhe as ka për të toleruar në lojën e saj.
