Lorik Cana: “Holanda, më shumë se një ndeshje futbolli”

"Besnik Hasi një mik i shkëlqyer", "Arjani është ekzemplar si shok", "Dallku ka zemër të madhe", "Curri modern", "Besarti perindimor në lojë", "Rrustemaj me vlera". Këto janë vlerësimet e Lorik Canës per futbollistet kosovare te Kommbetares, të thëna gjatë një interviste ekskluzive për Albania-Sport.com.
Lorik, shprehët keqardhjen tuaj për mungesën gjatë ndeshjes së parë me Holandën në Amsterdam, tani keni mundësinë të tregoni veten në Tiranë, kur "kursyet" edhe ndeshjen me Maltën, për të mos u dëmtuar për takimin me "tulipanët". C'mund të presim nga zëvendëskapiteni Cana?
Ndeshjen me Holandën e konsideroj më shumë se një takim futbolli, por si një bashkim kombëtar midis lojtarëve dhe të gjithë tifozerisë shqiptare nga e gjithë bota. Duhet të luftojmë të gjithë së bashku për të fituar ndaj një ekipi që është një ndër më të mëdhatë në botë, dhe një prej skuadrave më të vështira që është ndeshur ndonjëherë Shqipëria. Fitoren dua ta shohim si një gëzim kombëtar dhe si një festë futbolli. Kemi rastin për ta prezantuar bukur Shqipërinë. Një fitore për mua do të ishte ideale, por dhe një rezultat pozitiv do të ishte bukur.
Keni filluar ta godisni portën nga larg, madje jeni shprehur në mediat franceze, se keni filluar të mësoheni me kënaqësinë që të jep goli. A do të kemi një gol nga Cana në ndeshjen zyrtare, kur kemi parë vetëm një të tillë në miqësore?
Gola kam realizuar disa herë me Marsejën, por nga goditje standarde, por nga loja nuk kam qenë shumë i suksesshëm. Te Marseja janë të kënaqur me lojën time dhe nuk u vënë shumë rëndësi golave, por në Shqipëri e ndjej se i duhet dhënë më shumë Kombëtares, jo se nuk e kam bërë deri tani, por e ndjej se duhet më shumë.
Ju vlerësoheni si një nga lojtarët më të mirë të këtij grupi, përse kjo "pakënaqësi" ndaj vetes?
Punën time e kam kryer gjithmonë, por nga ajo që presin prej meje duhet të arrij në një nivel tjetër.
Baric përsërit shpesh se ka grupin më të mirë të lojtarëve që ka pasur Shqipëria, ti ndan në të njëjtin mendim me trajnerin?
Unë dëshiroj të theksoj se ky është grupi më i ri i lojtarëve që ka pasur ndonjëherë Kombëtarja, të paktën të këtyre viteve të fundit. Mundet të jetë një grup i mirë, por nuk më pëlqen të komentoj mendimet e trajnerit, pasi unë i shoh gjërat thjesht si futbollist.
Në Kombëtaren shqiptare aktivizohen një numër i konsiderueshëm titullarësh që vinë nga Kosova. Cili është vlerësimi i Canës për ta, duke nisur nga portieri Arjan Beqaj?
Arjani do të vinte te Marseja, por për shkak të disa pengesave nga klubi i tij, por dhe pse ne morëm një portier të ri, ai nuk mundi të vinte në Francë. Arjani është një portier shumë i mirë, ekzemplar si shok dhe besoj se do t'i duhet edhe për shumë kohë ekipit Kombëtar.
Armend Dallku?
Dallku është një lojtar me një zëmër të madhe dhe jep maksimumin në fushë, gabon apo s'gabon është dicka tjetër, por është një futbollist që jep gjithcka për Kombëtaren. Është një lojtar modern dhe i fuqishëm, një nga pikat e rëndësishme të mbrojtjes sonë.
Debatik Curri?
Ka vetëm një vit me Kombëtaren, por e ka treguar se e ka merituar vendin dhe fanellën. Është një lojtar i ri dhe i talentuar, vlen shumë për të ardhmen.
Besart Berisha?
Së pari më vjen keq që e humbi ndeshjen me Holandën, pasi ishte përgatitur shpirtërisht. Besarti është formuar në perëndim, është një talent i jashtëzakonshëm, shumë teknik dhe i shpejtë. Është një djalë shumë i mirë edhe jashtë futbollit. Nëse punon dhe ka fat mund të shkojë shumë larg.
Blerim Rrustemaj?
Blerimi është një lojtar, i cili në debutimin e tij të parë në ndeshjen kundër Anglisë (B) e tregoi veten se ka vlera dhe mund t'i shërbejë Kombëtares. Besoj se do t'i vijë dhe radha edhe atij.
Në ndeshjen me Holandën do t'i japë lamtumirën futbollit me Kombëtaren, Besnik Hasi, një ndër më të vlerësuarit me fanellën kuqezi. Mesazhi i Canës për të?
Besniku është një nga miqtë e mi më të mirë. Kam kaluar shumë vite më të në ekipin Kombëtar dhe më ka ndihmuar shumë në fillimet e mia. Për më tepër që të dy jemi nga Gjakova, kemi pasur një marrëdhënie të vecantë, por jo vetëm unë, të gjitha djemtë kanë pasur raporte të jashtëzakonshme me të. Një futbollist që ka dhënë një kontribut të madh. Është një ndër lojtarët e vetëm shqiptarë që ka luajtur rregullisht në Ligën e Kampioneve dhe një karrierë të shkëlqyer. E konsideroj një shembull respekti. vazhdon