E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: Me këtë ekip ëndërrojmë Evropianin

 

Një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana, theksoi mbrëmë pas fitores së thellë 6-1 ndaj Qipros se skuadra kuqezi kishte zhvilluar një nga takimet e saj më të bukura dhe se ndihej krenar për këtë rezultat historik dhe shpresëdhënës njëkohësisht. Kosovari në të vërtetë nuk e ka besuar në fillim se mund të arrihej një fitore e këtyre përmasave, por e ka mrekulluar nga ana tjetër shpirti i lartë i garës që treguan djemtë në fushë dhe fakti që kjo Kombëtare mund të ëndërrojë për një kualifikim historik në Europianin e ardhshëm. “Të jem i sinqertë nuk mendoja se mund të fitonim me një rezultat të tillë. Sigurisht që e besoja fitoren, por jo në këto përmasa. Por sot bëmë një ndeshje vërtet të bukur, do të thosha perfekte. Skuadra ka vlera dhe të gjithë ne ëndërrojmë që me këtë ekip të shkojmë në Europianin e vitit 2012. Ishte befasi për ne ky rezultat, po jo i pamerituar, pasi sot ekipi ishte pikërisht në atë lartësi që ne të gjithë dëshirojmë”, tha Cana.
“Duhet të jemi me këmbë në tokë, gjithsesi, por me këtë që dhamë sot nuk kemi pse të mos besojmë në një kualifikim të mundshëm në Europian. Kombëtarja po rritet dhe unë e konstatoj këtë. Jemi ekip i mirë dhe besojmë se ndeshja e sotme dha prova të qarta shprese për realizimin e ëndrrës tonë për kualifikim në kompeticionet e mëdha. S’më mbetet veçse të falënderoj tifozët, shokët e skuadrës dhe të gjithë shqiptarët për këtë fitore mjaft të bukur”, përfundoi qendërmbrojtësi i Kombëtares tonë, Lorik Cana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›