Josip Kuzhe: Bast për fitoren, por jo kaq gola
Trajner i Kombëtares, Josip Kuzhe, nuk e fshehu entuziasmin në konfrencën për shtyp pas ndeshjes, teksa foli me shumë pasion për lojën e kuqezinjve. “Për fitoren mund të vija bast, por jo për kaq gola.” Kjo ishte një nga batutat e Kuzhesë. “Pas një ndeshjeje të fituar trajneri ka të drejtë të jetë i gëzuar, por duhet të mendojë edhe në mënyrë racionale. Së pari, jam tepër i lumtur për rezultatin dhe për tifozët shqiptarë, që këtë ndeshje u gëzuan. Besoj se kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Nëse do të bënim një analizë të ndeshjes, do të thosha se në minutat e para kemi pasur vështirësi, pasi humbëm shumë terren në mesin e fushës. Qipro kishte lojtarë me eksperiencë dhe që luajnë topin mjaft mirë, por megjithatë në bëmë disa rregullime të vogla dhe loja jonë rrodhi shumë mirë. Edhe në analizën para ndeshjes u kam thënë lojtarëve që ne kemi një program 1-vjeçar për të ndjekur, i cili filloi në mënyrën më të mirë me këtë fitore të thellë. Besoj se me ekipin që kam, duke ndjekur këtë program, do të arrijmë rezultate shumë të mira dhe që mund të na kualifikojnë në kampionatin e ardhshëm Evropian. Unë jam shumë optimist. Sot (dje) jo vetëm që shënuam, por krijuam edhe shumë raste për gola. Kjo është një shpresë e mirë për të ardhmen, në mënyrë që të kemi rezultate më të mira”, tha ai.