E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana: Miqësia me Igli Taren pengesë, duhej të justifikoja veten

Lorik Cana, futbollisti shqiptar që me talentin e tij po lë gjurmë në fushën e blertë të Europës, erdhi dje në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në "Opinion", ku rrëfeu momente të rëndësishme në jetën e tij. Një pjesë të kësaj interviste po jua sjellim më poshtë.
Ju shkëputëm nga stërvitja, apo mbaruat?
Jo, mbaruam, mbaruam. Ishte sot një stërvitje e lehtë, sepse jemi dy ditë para ndeshjes dhe sot është dita që pushojmë pak. Kemi punuar shumë dy-tre ditë përpara dhe dy ditë para ndeshjes gjithmonë stërvitja është shumë e lehtë.
Është e vështirë?
Edhe po, edhe jo, sepse i kemi kushtet të mira. Sepse ne, nëse kemi dy stërvitje vijmë në mëngjes dhe bëjmë stërvitjen e parë. Kemi drekën, mandej kemi secili dhomat ku ambientohen personat. Pushojmë një orë a dy dhe kthehemi për stërvitjen e pasdites. Kështu që nuk e kemi impenjimin me ik me makinë...
... ... ...
Për herë të parë keni dalë në stadium në Lozanë, apo jo?
Në fakt, për një ndeshje kam dalë në Lozanë, por me skuadrën e dytë. Me skuadrën Shpresa, por kam qenë 15 vjeç.
Flas për një ndeshje zyrtare...
Ndeshje zyrtare me ekipin e parë kam luajtur me Paris Saint Germain. Ishte sezoni 2002-2003, me emra të mëdhenj si Ronaldinjo...
Ishte e vështirë eksperienca në Zvicër, pasi ishte koha e luftës së Kosovës?
Ishte dhe koha e luftës së Kosovës, por në aspektin ekonomik dhe në aspektin e jetës si refugjat nuk më kanë munguar asnjëherë, asgjë, për të jetuar mirë dhe për të arritur gjërat. Kisha shkollën e mirë të futbollit, kushte të mira për të shkuar përpara, trajnerë të mirë. Pasi përfundova shkollën e mesme e lashë pas dore, që të fokusohesha te futbolli. Dhe duke e krahasuar këtë me disa bashkëkombës të tjerë që kanë pasur një jetë më të vështirë, unë s'e kam pasur këtë problem. Dhe për atë që doja të arrija i kisha të gjitha kushtet.
Por s'keni pasur një mundësi, mundësinë që të merrnit një vizë për t'u provuar te Arsenali i Arsen Venger, apo jo?
Po. Sepse dihet që kur je azilant refugjat...
Është e vërtetë që Arsenali ju kërkoi për një provë?
Absolutisht.
Si ndodhi?
Isha në turne afër Torinos me ekipin e Lozanës dhe fituam. Ishin skuadrat e mëdha. Ishte Arsenali pjesë e këtyre skuadrave, Juventusi, Milan..., skuadra të tilla.
E ke vuajtur këtë gjë?
E vuan shumë, sepse punon gjithë vitet e fëmijërisë dhe sakrifikon të gjitha për të arritur për futboll dhe kur të mbyllet një derë e tillë për një problem dokumentesh dhe nuk e di a të vjen prapë fati për këtë mundësi, që ta kesh këtë mundësi.
... ... ...
Kalimi yt nga PSG për tek Marseja - një nga klubet e mëdha, i famshëm, me shumë trofe dhe me fansat më të çmendur, po të përdor këtë fjalë që përdoret rëndom në futboll - si dhe përse ndodhi?
Ndodhi për disa arsye. Në fakt, unë nuk e kisha në planet e mia në fillim për t'u larguar nga Parisi, por filloi sezoni dhe unë e shihja se në planet e klubit vazhdoja të konsiderohesha si i riu i skuadrës. Por nuk e mendoja që për lojën e dy viteve, ku ishte sezon i suksesshëm, fituam kupën, shkuam në Champions League. Kam pasur fat, që, në vitin 2004, në moshën 21 vjeç, kam luajtur në Champions si titullar, që është një gjë fantastike për një lojtar. Dhe kur nisi viti i katërt i qëndrimit tim te PSG si profesionist, kishin sjellë shumë përforcime në skuadër dhe nuk isha titullar dhe doja të luaja patjetër, sepse isha i ri dhe në formë të mirë.
... ... ...
Dhe më pas qëndruat tek Marsejë, duke u bërë një nga simbolet e saj. U bëtë dhe kapiten i skuadrës. Ishte tërheqëse eksperienca atje. Pse u larguat më pas?
Edhe tani mbetet eksperienca më e bukur që kam pasur, sepse kam përjetuar gjëra edhe ekstrasportive. Me njerëzit, me fansat, me tifozët. Kam gjetur shoqëri dhe madje familja ime jeton ende aty. Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, Marseja është vendi i tretë i imi dhe gjithmonë do jem i lidhur me atë vend, sepse kam raporte të tilla me njerëzit atje.
... ... ...
Te PSG dhe Marsejë keni qëndruar pak a shumë me kohë të barabarta. Ndërkohë që te Sunderland, Gallatasaraj dhe Lacio, po t'i mbledhësh të tre klubet bëhet më pak kohë se çfarë ke qëndruar te Marseja apo PSG. Përse s'keni gjetur stabilitet në transferimet e mëvonshme?
Janë shumë arsye. Unë ika nga Marseja në Angli te Sunderland, që është akoma kampionati më i fortë dhe më i bukur në botë, për mendimin tim, dhe më i vështiri. Dhe pata atje një vit jashtëzakonisht të suksesshëm. Që në vitin e parë shkova te një ekip që nuk ishte në elitën e kampionatit, por nga mesi i saj, por është një klub shumë i madh.
Dhe u zgjodhët kapiten?
U zgjodha kapiten sepse u bënë shumë ndryshime. Vitin e parë me një menaxher të ri dhe nga përvoja ime që e kam pasur më parë këtë detyrë, e pranova me kënaqësi, për ta nderuar shiritin e kapitenit.
Dhe përse u larguat më vonë?
U largova sepse në fund të vitit kisha dëshirë, madje kam pasur gjithnjë dëshirë, që një ditë në karrierën time të luaja për Gallatasarajin.
Pse për Gallatasarajin?
Sepse më ka tërhequr gjithnjë si klub.
Është themeluar nga djali i Sami Frashërit?
Edhe për këtë fakt, se është themeluar nga djali i Samiut. Por thjesht edhe se në Kosovë kemi adhurues të Gallatasarajit.
... ... ...
Ju jeni i këmbyer te Lacio. Erdhët duke u shkëmbyer me portierin e parë të Lacios. Do riktheheni përsëri te Gallatasaraji?
Jo, jo. Unë jam i transferuar te Lacio. Kam një kontratë afatgjatë.
Do qëndroni gjatë në Romë?
Ajo varet dhe nga njerëzit që e drejtojnë klubin. Varet nga trajneri dhe dëshira personale e lojtarit.
Pjesa e klubit më thanë se tifozët ju duan shumë dhe vetë klubi ndihet mirë me ju. Por ka qenë një vit jo shumë me fat për ju, në raport me dëmtimet.
Ka qenë një vit pak i vështirë sepse kam qenë pak i dëmtuar në gju kur kam mbërritur. Dhe nga moduli të cilin trajneri vendoste të luante nuk kisha gjithkund hapësirën e duhur, hapësirën që e dëshiroja unë. Jam aktivizuar disi në fillim dhe më pas kam kuptuar mënyrën se çfarë kërkohej në Itali, nga lojtarë që edhe karakteristikat e mia janë të ndryshme. Por që kam një eksperiencë të madhe dhe jam aktivizuar gjithandej. Kam luajtur në kupat e Evropës, madje jam aktivizuar në të gjitha. Në fund të vitit nisa të aktivizohesha titullar edhe në kampionat. Dhe kur u ktheva në janar ndodhi dëmtimi i rëndë që më la 3 muaj jashtë fushave. Dhe shyqyr Zotit që jam kthyer mirë.
... ... ...
Edhe këtu luajnë futbollistë të mëdhenj, si Miroslav Klose, shënuesi i dytë më i mirë në botërore dhe të tjerë futbollistë?
Absolutisht. Kemi lojtarë elitarë, si Hernanes, që është i ekipit kombëtar të Brazilit. Matuzalem dhe Ledeszma, apo Klose, që kanë eksperiencë të madhe ndërkombëtare.
Është e vështirë të jesh në 11-shen e parë të Lacios?
Sigurisht që është e vështirë, por unë e marr këtë si sfidë. Por sa herë që luaj e ndjej veten shumë mirë. Kampionati është elitar, por unë kam luajtur në një klub në eksperiencën time si Olimpiku i Marsejës, që është më i madh se Lacio. Edhe Gallatasaraji gjithashtu. Por Lacio mbetet një klub i madh, elitar, që ka pretendime në një ndër kampionatet më të forta në botë dhe jemi duke luftuar për pozita të mira. Kjo dëshmon cilësinë e skuadrës.
A ndikon miqësia me Igli Taren? Ndikoi për t'u transferuar te Lacio, po për aktivizimin e mëtejshëm?
Në fakt raportet me Iglin, apo fakti që më ka sjellë këtu dhe fakti që jam shqiptar, mund të jetë diçka jo si negative, por më shumë të krijon pengesë në fillim sesa të jep përparësi. Dhe nga loja jote duhet t'i thyesh këto dyer dhe të marrësh respektin e të justifikosh veten një herë si njeri, gjë që e kam arritur këtu dhe sigurisht performanca që jam duke shkuar mirë e më mirë, do e marrësh respektin nga të gjithë.
... ... ...
Ju u angazhuat në Aleancën Kuq e Zi. Përse u angazhuat, cila ishte ideja që kishit?
Aleanca Kuq e Zi ka më shumë se një vit, ka 15 muaj që ka lindur si lëvizje. Por ishte një mënyrë shumë natyrale dhe të gjithë tek kjo lëvizje i adhurojnë këto ide që sjell Aleanca Kuq e Zi. Besoj, çdo shqiptar është në mënyrë natyrale i tërhequr nga mesazhet që sjell AKZ. Duke parë mënyrën dhe qëllimin pse ka lindur AKZ, si lëvizje popullore, lëvizje nacionaliste dhe për të mbrojtur interesat e vendit tonë, duke ngelur lëvizje popullore, unë kam qenë i gatshëm ta mbështes. Se përveç disa aspekteve bamirësie në sport, asnjëherë nuk i jam bashkangjitur politikës. Dhe absolutisht nuk do e bëj deri në fund, sepse nuk më takon mua t'i them një shqiptari se ku duhet të votojë, pasi secili ka idenë e tij. Dhe AKZ ishte lëvizje popullore dhe derisa mbetet e tillë, unë e kam mbështetur.
Sot është parti politike...
Po, sot ajo është parti politike dhe unë nuk e dëshiroja këtë.
Ju ishit kundër, që të kthehej në parti politike?
Po, isha kundër.
Përse?
Sepse për mendimin tim mund të realizonim shumë gjëra duke mbetur lëvizje nacionaliste dhe mbarëkombëtare.
... ... ...
Thuhet se ju pëlqen shumë muzika, sidomos ajo popullore shqiptare. Është e vërtetë?
Po, më pëlqen shumë. Dhe përveçse e kemi trashëguar muzikën mbarë shqiptare, edhe atë të veriut bashkë me muzikën e jugut, muzika polifonike, më pëlqen shumë. Vij nga një qytet që ka trashëgimi dhe kulturë të lashtë për artin, muzikën, për sportin. Ka sjellë intelektualë të mëdhenj (Gjakova), dhe ne gjakovarët jemi pak të veçantë për atë çka i takon qytetit tonë. Pak a shumë Vlora i ngjan për ndjenjat patriotike. Kemi dhe një muzikë shumë të mirë, që e dëgjoj shumë dhe më pëlqen.
Ka shumë komente që lidhen me raportet që ju keni me femrat, edhe si futbollist i suksesshëm. Mbaj mend që një prej sajteve franceze ju pati shpallur futbollisti më seksi, sipas votimit të femrave në Francë, për Ligën e Parë franceze në atë kohë. Keni lënë pas Gurkufin e Bordosë. Ju pëlqenin femrat, kishit shumë kërkesa në faqen tuaj?
Në përgjithësi nuk kam qenë i fokusuar pas kërkesave.
Ju pëlqejnë femrat?
Normal, dhe shyqyr Zotit. (qesh). Por atyre që u jap përparësi janë puna, marrëdhëniet me familjen. Por që ta gjesh një person, një person të mirë që ta kesh në krah, është gjë shumë e mirë. Derisa në momentin kur nuk e ke gjet personin e duhur për jetën tënde, duhet ta kërkosh.
Ka pasur ndonjë histori që ka lënë peshë te ju? Histori dashurie?
Histori nuk kam pas shumë në jetën time, mund t'i numëroj dhe me gishtat e dorës. Edhe më pak. Tre apo katër histori...
Në shtypin shqiptar, po të shohësh qarkullojnë emra pa fund këngëtaresh, modelesh, femrash të famshme shqiptare?
Për ta hedhur një emër apo histori është shumë lehtë. Thjesht për kohën dhe mundësinë që kam në dispozicion nuk është e mundur që të kem aq shumë relacione, ose të kem lidhje me persona. Sigurisht që kontakte këtu, në Shqipëri apo në Francë kam dhe rri gjithashtu me shoqërinë. Por lidhje të tilla nuk kam pas në jetën time. Sigurisht mund të kesh shumë shoqëri. Di që ka pasur shumë histori në shtypin shqiptar, por ndonjëherë mjafton të jem në prezencë të dikujt dhe qarkullon. Dhe e di që kohët e fundit ka dalë një fotografi pak më intime me një vajzë, por kjo fotografi kishte më shumë se tre vjet. Kjo është duke u përfolur si një lidhje që e kam tani. Janë shumë gjëra, njerëzit janë dhe të lodhur.
Janë dhe kuriozë?
Kurioz mund të bëhen por...
A keni një histori solide të këtyre kohëve?
Këto kohë po. Jam me një vajzë këtu në Itali. Jo prej shumë kohësh, por ndihem mirë. Më afron gjërat që kam nevojë dhe gjithashtu unë mund ta ndihmoj atë në gjërat që ka nevojë dhe si njeri. Ka pak muaj, por ndihem mirë.
Aktualisht jeni në Romë. Cili mendoni se do jetë stacioni i ardhshëm i karrierës tuaj?
Dëshira ime është të mbetem te Lacio vitin e ardhshëm. Jam rikuperuar, kam bërë paraqitje të mira, kam dhe respektin e skuadrës dhe tifozëve dhe ndihem shumë mirë.
Edhe stafi këtu ishte shumë entuziast?
Kam krijuar marrëdhënie të mira. Njerëzit presin për të ardhmen, por gjëra pozitive mund të ketë. Qytet i madh, vend fantastik me shumë tifozë dhe kam dëshirë të arrij gjëra të bukura me Lacion. Ndoshta një vit tjetër, dy vite të tjera, nuk e di sa, por nuk e kam dëshirën që të largohem nga Lacio.
Ndoshta do ta mbyllni këtu te Lacio karrierën tuaj?
Ndoshta.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›