Lorik Cana çudit me anglishten e tij
Cana vazhdon të çudisë në ishull edhe pse nuk ka më shumë se 48 orë që ka shkelur aty. Së fundmi mediat angleze kanë publikuar një intervistë të kosovarit të kombëtares shqiptare duke vënë në dukje më së shumti anglishten e tij gati perfekte, e rrallë kjo për pjesën më të madhe të të huajve që shkojnë për herë të parë si futbollistë në Angli. Ndërsa thelbi i intervistës në të vërtetë ka qenë mbi detajet që çuan Canën që të zgjidhte Sanderlendin dhe jo Everonin. “Kisha disa oferta nga Gjermania por më pas në skenë dolën edhe ekipet angleze. Duke qenë se Premier League është kampionati më i mirë në botë vendosa që të vij këtu. Drejtuesit e Everton më njohin mirë. Ata më kanë ndjekur prej vitesh dhe më patën bërë edhe oferta të tjera para disa kohësh. U futa në tratativa por më pas kur fola edhe me Stiv Brus zgjodha menjëherë Sanderlend”, ka pohuar ai. Më tej Loriku ka pohuar se këtë ekip e sheh edhe si një bast personal dhe për më tepër kur projekti i Stiv Brus përkonte më së miri edhe me idenë e Canës. “Kjo skuadër dëshironte të bënte gjëra të mirë dhe në një hark kohor të shpejt ndaj edhe ideja më pëlqeu më shumë kështu që vendosa të firmos për këtë skuadër. Jam një person që më pëlqejnë sfidat dhe presioni ndaj dua ta provoj një gjë të tillë këtu”, ka vazhduar Cana. Në fund mesfushori kuqezi ka lëshuar sfidën e tij që në ndeshjen debutuese ndaj Sëlltikut duke kërkuar që të jetë në fushë të paktën për 45 minuta loje. “Ndihem shumë në formë por do të kem në dispozicion edhe dy javë para se të fillojë kampionati. Takimi i parë në Premier League është ndaj Bolton dhe unë dëshiroj të jem nga minuta e parë, ndaj do të më duhet që me Sëlltikun të luaj me qëllim që të ambientohem”, ka përfunduar Lorik Cana.