E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana dhuron 10 mijë euro për familjet e përmbytura

Që nga Portugalia, ku është bashkë me ekipin e tij, kosovari, duke shfrytëzuar edhe imazhin e tij popullor, u ka bërë thirrje të gjithëve për sensibilizim.

Lojtari më i shtrentjë shqiptar i të gjitha kohërave ka qenë gjithmonë i vëmendshëm ndaj problematikës në vendin tonë, por dhe në Kosovë, në shtetin e tij të lindjes.

“Me shqetësimin më të madh po e ndjek situatën në veri të vendit, e cila si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të shumta ka shkaktuar përmbytje të sipërfaqeve të mëdha territoresh”, shkruan Cana në deklaratën e tij për mediat shqiptare.

“Duke i ndjerë në vehte këto pasoja, në shenjë solidarizimi me banorët e këtyre territoreve të përmbytura, dhuroj shumën prej 10,000 euro, me destinacion për ndihmë të familjeve të këtij rajoni. Me këtë rast inkurajoj të gjitha përpjekjet që shteti shqiptar, individë, organizatat dhe vendet mike, të cilët po bëjnë të pamundurën për t’ju gjetur sa më afër popullatës së këtyre zonave të prekura nga kjo tragjedi. Në këtë drejtim, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë sado pak mundësi të ndihmojnë dhe t'u gjenden në çdo formë pranë familjeve të përmbytura duke i ndihmuar ata, për ta kapërcyer këtë situatë”, përfundon deklarata e futbollistit të ekipit kombëtar.

Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, në fund të dhjetorit të vitit 2008 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Ambasador i Kombit”, teksa më parë është përzgjedhur nga UNICEF-i edhe ambasador i kësaj organizate, ku këtë status e gëzojnë emra të elitës botërore si Kaka, Ronaldinjo, Andrij Shevçenko, Ronaldo, Zinedin Zidan etj.

Përveçse lojtari më i njohur shqiptar, Lorik Cana është gjithashtu ambasador i OKB-së në vendet e varfra. Ai është përfshirë shpesh në iniciativa bamirësie, sidomos në raste fatkeqësish. Bamirësia e Canës nuk mungoi as në rastin e tragjedisë së Gërdecit rreth 2 vjet më parë.
                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›