Topalli: Do të zëvendësojmë deputetët e PS-së
“Parlamenti do të mbledhë Këshillin Legjislativ dhe Sekretariatin e Rregullores dhe të Imuniteteve, të cilët do të bëjnë verifikimin e datave, të afateve që shkruhen në Kushtetutë dhe do të vënë në dijeni KQZ-në. Gjatë këtyre ditëve, unë, për shkak të angazhimeve të tjera, nuk kam komunikuar me deputetët, por shumë shpejt unë do t’u kërkoj atyre që të fillojnë të punojnë”, theksoi Topalli në një intervist për Radion Evropa e Lirë. Sipas saj, Shteti funksionon në bazë të ligjit të tij themelor, që e ka emrin Kushtetutë. “Ajo që shkruan Kushtetuta, ajo duhet të zbatohet dhe të aplikohet që në ditën e parë, pa asnjë dyshim, pa asnjë hezitim. Po të mos e bënim këtë, atëherë ne s’do të ishim shtet, ne s’do të ishim shtetarë dhe ne s’do ta meritonim karrigen në të cilën jemi. Kështu që në këtë aspekt, Kushtetuta vetëm duhet të respektohet”, tha kryeparlamentarja.