Lorik Cana, futbollisti më seksi në Francë
Lorik Cana lojtari më seksi në Francë nga lojtarët e Ligës 1. Përfundimin e ka nxjerrë një nga faqet sportive franceze në internet Myfreesport.fr, që nga ana e saj ka bërë edhe një klasifikim të futbollistëve më joshës. Loriku është pozicionuar në vendin e parë duke lënë pas futbollistin e Bordosë, Yoann Gourcuff dhe atë Lilës, Tulio De Melo. Sipas një tjetër faqeje franceze, football.fr, ka disa muaj që qarkullojnë thashetheme sipas së cilave mesfushori i Marsejës “fricoterait” (po kurdis) me këngëtaren marsejeze, Clara Morgane. “Cana, - shkruan football.fr, - duke qenë futbollisti më i këndshëm në Francë, natyrshëm që mund ta shijojë këtë marrëdhënie!” Kapiteni i Marsejës, shqiptari Lorik Cana është një siguri më shumë për klubin francez në përballjen kyçe me PSV Eindhoven, takim që do të luhet në Holandë të mërkurën (ora 20:45). Marseja nuk ka mundur të fitojë asnjë nga dy takimet e mëparshme kundër Liverpulit e Atletikos dhe një rezultat pozitiv në transfertë do t’i jap mundësi klubit francez të luftojë të paktën për vendin e tretë në grup e të marrë pjesë më pas në Kupën UEFA.
Media franceze e shtypit të shkuar dhe ajo në internet i kanë bërë një jehonë influencës së Canës (25 vjeç, 4 ndeshje në Ligën e Kampioneve për këtë sezon, 1 gol kundër Liverpulit), në formacionin e trajnerit Erik Gerets. Sipas gazetës “La Provance”, Cana pritet të luajë në mesfushë përpara mbrojtjes, duke pasur Sherjunë (në të majtë) dhe Zianin (në të djathtë). Loriku është i freskët fizikisht pasi nuk luajti në ndeshjen e fundit në kampioant kundër Valensien (të fituar 3-1).
Beqaj, sërish me “dryn në dorë” kundër Ibrahimoviçit
Trajneri i Interit, Hoze Murinjo, portugezi nga atdheu i Kristiano Ronaldos e trajneri i suedezit Zlatan Ibrahimoviç, harron se te ekipi qipriot portier është shqiptari Arjan Beqaj, ku të paktën Ronaldo e Ibra nuk mundën t’i shënonin gol kur kosovari luajti për fanellën e Shqipërisë në dy barazime pa gola për eliminatoret e Botërorit 2010. Zlatan do të jetë sërish kundër Beqajt, kësaj radhe në ndeshjen e ditës së tretë të Ligës së Kampioneve në “San Siro” të Milanos, përpara se të përballet sërish pas dy javësh në Qipro. Beqaj, synon të jetë sërish me “dryn në dorë” kundër Ibrahimoviçit, por dhe Adrianos. Arjani ka pësuar vetëm një gol në dy takimet e para kundër gjermanëve të Verderi Bremenit (0-0) në Bremen dhe grekëve të Panathinaikosit (3-1) në Qipro.
Murinjo: “Po vuaj nga bollëku i lojtarëve”
E papritura e parë vjen nga Interi. Në portën zikaltër nuk do të jetë titullari brazilian Hulio Sezar. Hoze Murinjo konfirmoi se do të jetë portieri rezervë Francesko Toldo, ai që do të luajë kundër të mërkurën kundër Anorthosis Famagusta, pasi e vlerëson si një ekip të dorës së dytë. Trajneri i Interit mohoi se vendimi ishte i diktuar nga niveli i ulët kundërshtarit. “Toldo do të luajë në portë nga minuta e parë”, - zbuloi “Special one”. “Nëse askush nuk do të më pyesë mua, se përse Toldo do të luajë, do të thotë se ju e dini tashmë përse: dhe arsyeja është se ai është shumë i mirë”. Murinjo foli edhe për Hernan Krespon, i cili mund të largohet në janar për shkak të minutave të pakta. “Askush nuk punon më mir se ai”, - deklaroi Murinjo. “Unë mund të them vetëm fjalë të mira për Krespon, pasi ai stërvitet shumë mirë”.
“Problemi im është se kam 29 lojtarë prej të cilëve duhet të zgjedh. Unë kam thënë gjithmonë se unë nuk dëshiroj një skuadët kaq të madhe, por unë duhet të përshtatem pasi që të gjithë janë lojtarë të mëdhenj, por janë shumë gjithashtu, kjo për faktin se dhe unë nuk e pëlqej shumë ndryshimin”.
“Kështu kjo mënyrë drejtimi nuk jep hapësirë për të gjithë. Sot është Krespo, nesër mund të jetë dikush tjetër. Dhe më vonë një tjetër”. – përfundoi Murinjo.
22 Tetor 2008