Menaxheri Rudi Vata: “Ja si po i hap dyert e Serisë A”
Dash Frashëri
Rudi Vata, agjenti i njohur shqiptar i FIFA-s është duke punuar për transferimin e skocezit Xhimi Mekluski në Serinë A te Katania e Valter Zenger. Mekluski është i pari lojtar skocez që nga viti 1986, kur Grim Sunes luajti për Sampdorian në vitet 1984-1986, që synon të luajë në Itali. Lajmi jepet nga gazeta skoceze “Scotland on Sunday”. 20-vjeçari vlerësohet si një nga sulmuesit më të talentuar të futbollit skocez në vitet e fundit dhe është një prodhim i akademisë së klubit të njohur Hibernian. Sipas gazetës skoceze, Rudi Vata arriti t’i sigurojë “Xhinkit” (nofka e lojtarit) një testim pranë Partizanit të Beogradit në muajin shtator. “Mekluski vinte pas dy dëmtimesh, pasi theu këmbën në muajin maj, por dhe nuk i pëlqeu shumë të luante në Serbi. Kjo dhe për shkak të ambientimit me gjuhën serbe, por dhe me kulturën e jetesës atje”, - tha për “Albania”-n në linjë telefonike nga Italia menaxheri Rudi Vata.
Vetë Mekluski thotë se ishte befasuar nga kultura serbe dhe nga ajo që pa në Serbi: “Për shkak se isha 50 për qind fit, kur unë u trajnova me Partizanin e Beogradit, unë nuk isha në nivelin e kërkuar. Po të isha 100 për qind, diçka mund të ndodhte”.
“Nga ana tjetër, - shton Mekluski, - nxehtësia ishte sfilitëse, për më tepër që shumë e vështirë për ndonjë lojtar të fliste anglisht. Gjithsesi ishte një klub i madh”. Trajneri i Partizanit, Slavisa Jokanovic, nuk i ofroi kontratë ish-lojtari të Skocisë U-19, pavarësisht se ai çmoi aftësitë e lojtarit.
“Tashmë jemi prej disa ditësh në Siçili dhe do të qëndrojmë aty deri të premten, ku presim të nënshkruajmë edhe një kontratë me klubin italian. Deri tani përshtypjet e trajnerit Valter Zenga janë të mira, për më tepër që klubi synon që ta risë lojtarin për pak kohë e ta shesë në klubet më të mëdha italiane”, - shtoi Vata, i cili para disa javësh realizoi edhe transferimin e trajnerit të njohur gjerman Thomas Von Heesen e ndihmësi i tij, Hagen Reck, tashmë do të jenë në bankinën e skuadrës qipriote Apollon Limasol. 47-vjeçari Thomas Van Hessen ka qenë më parë trajneri i Fatmir Vatës, Klodian Duros e Ervin Skelës, kur këta luanin te Arminia e Bieleldit.
“Arritja e marrëveshjes me Katanian e shoh edhe një sukses në planin personal, pasi më hap dyert edhe të Serisë A për të sjellë lojtarë të tjerë”- shtoi ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare.
Katania e drejtuar nga legjenda e futbollit italian, Valter Zenga synon këtë vit pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, dhe momentalisht ndodhet në vendin e tretë me 14 pikë, dy më pak se Interi (16).
Offside.at: “Pa Salihin, SV Ried si pa dhëmbë”
Pa Hamdi Salihin, skuadra austriake SV Ried është thuajse e pafuqishme. Dhe kjo u pa edhe në humbjen 2-0 kundër Kapfenbergut, ku SV Ried zhvilloi një lojë shumë pasive. Faqja austriake “Offside.at” shkruan: “Pa sulmuesin shqiptar Hamdi Salihi të dëmtuar, miqtë (SV Ried) u treguan ‘zahnlos’ (pa dhëmbë) në ofensivën e tyre”. Këtë e pranon edhe trajneri i SV Ried, Paul Gludovatz: “Patëm shumë shanse, por askush nuk arriti t’i shfrytëzojë”. Sulmuesi shkodran do të mungojë të paktën edhe dhjetë ditë, teksa shkodrani ka shënuar katër gola për ekipin e tij.
“Dpa”, Skela me probleme shëndetësore
“Sëmundjet” mundin Kotbusin e Ervin Skelës në prag të takimit kyç me Eintrahtin e Frankfurtit (3 pikë), të programuar për të shtunën e ardhshme. Shtatë lojtarë kanë me probleme te skuadra e Bundesligës 1 gjermane, midis tyre edhe fantazisti shqiptar.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, Skela ka probleme me stomakun dhe qarkullimin e gjakut. Lojtarët e tjerë me probleme janë kapiteni Timo Rost e Savo Paviçceviç. Lista plotësohet me Stanislav Angelov, Emil Jula, Marc Zimermann dhe Aleksandër Bitrof.
Bogdani, shpina e la jashtë 18-shes
Fundjava nuk ka qenë e mirë për Erjon Bogdanin. Sulmuesi shqiptar i Kievos për shkak të dhimbjeve në shpinë, nuk ishte as në bankinë në barazimin 1-1 të Kievos së tij me Atalantën.
Të gjithë sulmuesit: Iunko, Pelisier, Lanxhela dhe Espozito nuk janë në formë. Trajneri Iakini është gjithmonë i shqetësuar për mungesën e golit nga sulmuesit, kur edhe kundër Atalantës shënoi mbrojtësi Mantovani. Kievo ka shënuar vetëm 5 gola në shtatë takimet e para dhe ndodhet në vendin e 16-të nga 20 ekipe që ka Seria A.
Cana në grupin kundër PSV Eindhoven
Kapiteni Lorik Cana, pas “pushimit” të detyruar për shkak të plotësimit të kartonëve verdhë në fitoren 3-1 në transfertë të Olimpikut të Marsejës kundër Valensenit për javën e 9-të të Ligës franceze, është në grupin e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Holandës. Marseja do të përballet të mërkurën në ditën e tretë të Ligës së Kampiones kundër kampiones së Holandës, PSV Eindhoven.
Marseja në dy ndeshjet e para nuk ka marrë asnjë pikë, por mesfushori shqiptar Cana është autori i një goli kundër Liverpulit.
Berisha: “Kur pëson tre gola, nuk mund të fitosh”
VfR Mannheim i kapitenit kosovar Arijan Berisha humbi 3-1 kundër FV Illertissen, në kampionatin gjerman Oberliga. Pas 11 ndeshjeve Manheim ka pësuar 28 gola, një shifër e frikshme.
Berisha thotë për gazetën “Mannheim Morgen”: “Kur t’i pëson çdo ndeshje nga tre gola, nuk mundesh kurrë të fitosh. Ne duhet të marrim pikë patjetër katër pikë kundër Gmund dhe Vilingenit. Përndryshe do të jemi në situatë të rrezikshme”. Dëshira e Berishës: “Në dimër, duhet të blejmë tre lojtarë me përvojë”.
21 Tetor 2008