E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo ëndërron për 82 minuta, Real Sociedad e kthen në tokë

Miqësorja Blutë humbasin 2-4 përballë spanjollëve, pasi më parë ishin në avantazh

Përfundimi i ndeshjes ka qenë i njëjtë me atë të pak ditëve më parë përballë Palermos, pra humbje. Megjithatë, në miqësoren e dytë të luksit në Austri përballë Real Sociedad, Dinamo ka ëndërruar deri në fund fitoren. Blutë e drejtuar nga trajneri argjentinas Luis Blanko janë përballur si të barabartë me skuadrën e La Ligas spanjolle për 82 minuta, madje kanë qenë në avantazh me shifrat 2-1. Gjithsesi, ata janë kthyer me këmbë në tokë në tetë minutat e fundit të sfidës, kur dy lojtarët zëvendësues të skuadrës baske, Agirretkse dhe Viguera kanë realizuar tri gola, duke përmbysur rezultatin në 4-2. Pavarësisht të gjithave, kampionët e Shqipërisë kanë dhënë sinjale pozitive, përballë një kundërshtari me më shumë emër, por që duhet theksuar se është vetëm në fillim të fazës përgatitore.

Blanko e ka nisur miqësoren në fushën “Drai Larshen” të Bad Bleiberg me formacionin më të mirë, ku Bakaj dhe Martinena janë mbështetur nga Muzaka e Vila. Por, janë spanjollët ata që kanë shënuar të parët, kur kronometri tregonte vetëm 6 minuta lojë, me ish-sulmuesin e Vijarealit, Hoseba Lorente, që ka dërguar topin në rrjetë pas harkimit të Ksabi Prietos. Festa e Sociedadit zgjati pak, sepse në të 12-n Dinamo gjen golin e barazimit të Martinenas, pasi ka kontrolluar në mënyrë brilante topin. Baskët kanë reaguar menjëherë dhe deri në fund të 45 minutave të para kanë kërkuar avantazhin, por rasti i shpërdoruar nga Lorente nuk ka mjaftuar. Pjesa e dytë e lojës nisi më e kujdesshme, megjithatë iberikët tentuan të shënonin me Sutil dhe Ansotegin. Pikërisht në momentin më të mirë, Sociedad është goditur në kundërsulm, me Gjergji Muzakën që realizon rrjetën e dytë të dinamovitëve në të 73-n. Por, skuadra shqiptare ka treguar mungesë eksperience, në fundin e ndeshjes, kur në harkun e 8 minutave ka pësuar 3 gola. Real Sociedad barazoi në të 82-n me zëvendësuesin Agirretkse, ndërsa dy minuta më pas ishte një tjetër lojtar stoli, Viguera, që realizoi golin e tretë. Në minutën e 88, Agirretkse shënoi sërish, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-2 për spanjollët.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›