E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intriga tërheqëse në javen e 27 te Superliges

ASA (Albania Sport Agency) - Partizani synon fitoren e pestë rresht në fazën e tretë, kur të shtunën do të përballet në kryeqytet me Besën e vendit të pestë. Të kuqtë vinë në sfidën me kavajasit pas fitores së rëndësishme në transfertë me Dinamon (0-2) në javën e 26. Formacioni i Vasil Bicit gjithashtu fitoi (2-1) të shtunën e kaluar me Apoloninë e vendit të fundit. Tirana kryesuese (+7 pikë nga vendi i dytë), e cila barazoi (1-1) në Krujë me Kastriotin, do të luajë në "Qemal Stafa" me Flamurtarin, i cili nga ana e tij humbi (0-2) në Vlorë me Vllazninë. Shkodranët e Mirel Josës dëshirojnë të përfitojnë nga faktori fushë në përballjen me Elbasanin e drejtuar nga i komanduari File për të konsoliduar vendin e dytë. Elbasani vjen në sfidën me kuqeblutë pas barazimit (0-0) në shtëpi me Teutën. Shkodranët kur duhen edhe shtatë javë nga përfundimi i kampionatit kanë vetëm një pikë më shumë se dy ndjekëset e saj, Partizani dhe Teuta, të cilat bëjnë pjesë në gjysmëfinalistët e Kupës së Shqipërisë dhe kanë edhe një mundësi më shumë për të luajtur në kompeticionet europiane.
Teuta-Dinamo është një tjetër cift tërheqës, pavarësisht se Dinamo e vendit të shtatë, shkon në Durrës jo me shumë motive të forta. "Djemtë e detit", të cilët barazuan të shtunën e kaluar në kampionat me Elbasanin (0-0) dhe të mërkurën në Kupë me Partizanin (po 0-0), nuk kanë humbur asnjëherë në shtëpi, teksa numërojnë tetë fitore dhe pesë barazime.
Intrigë paraqesin dy ndeshjet e tjera, ku katër ekipe të cilët renditen nga vendi 9-12 do të ndeshen midis tyre në luftën për mbijetesë. Shkumbini i vendit të 10 pret në shtëpi Kastriotin që ka vetëm një pikë më shumë se peqinasit. Një fitore e radhës e skuadrës së Sejdinit do të sillte këmbimin e vendeve.
Edhe takimi Apolonia (12) – Luftëtari (11) është një sfidë tërheqëse. Luftëtari që tashmë do të drejtohet nga Edi Martini ka pësuar 12 humbje në transfertë dhe është i vetmi që nuk ka mundur të fitojë asnjë takim jashtë Gjirokastrës. Situata e Luftëtarit rëndohet akoma më shumë kur në javën e 28 do të luajë në shtëpi pa mbështetjen e tifozerisë. Për Apoloninë me 19 pikë në 27 takime dhe 6 humbje në fushën e saj bëhet fjalë për mundësinë e fundit të mbijetësës në Kategorinë Superiore.

Kategoria Superiore
Java 27
E shtunë, 14 prill

Tirana-Flamurtari
Vllaznia-Ebasani
Teuta-Dinamo
Partizani-Besa
Apolonia-Luftëtari
Shkumbini-Kastrioti
Ndeshjet fillojnë në ora 15:00

Kategoria e Parë
Java 22

E shtunë, 14 prill
Bilishti-Laci
Turbina-Pogradeci
Tepelena-ADA

E diel, 15 prill
Sopoti-Skënderbeu
Tomori-Erzeni
Lushnja-Besëlidhja
Ndeshjet fillojnë në ora 15:00

Burreli-Gramshi (nuk luhet)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›