Skela, mes më të mirëve edhe nga "Gazzetta Dello Sport"
Ervin Skela tashmë ka pushtuar faqet e gazetave jo vetëm në Gjermani, por edhe në vende të tjera. Dy golat ndaj Hertës së Berlinit e kanë kthyer në një hero për skuadrën e Energi Kotbusit, por kanë sjellë edhe vlerësime të mira nga shtypi ndërkombëtar. E fundit ka qenë gazeta e famshme italiane "Gazzetta Dello Sport", e cila në faqen e saj të internetit ka përfshirë futbollistin shqiptar mes lojtarëve më të mirë në kampionatet e ndryshme evropiane. "A ju kujtohet shqiptari që luajti në sezonin e kaluar me Askolin? Te Kotbusi po ecën mjaft mirë. Ndaj Hertës ka shënuar një dygolësh shumë të vlefshëm", ishte komenti përkrah emrit të Skelës, i cili në kategorinë e mesfushorëve konkurronte me emra shumë të njohur si K. Ronaldo, Xherard dhe Fabregas. Në këtë sondazh, Skela renditet pas këtyre tre emrave të kampionatit anglez, por duke kaluar Gutin e Realit të Madridit, Tinga të Dortmundit dhe Niki Bat të Njukasëllit.