Lorik Cana, mes Arsenalit dhe Milanit

EKSKLUZIVE "GAZETA SPORTI"/Lorik Cana, prej kohësh është kthyer në objektivin e disa prej klubeve më të mëdha europiane. Por këtë verë ka shumë mundësi që mesfushori të hedhë hapin e madh dhe të veshë fanellën e një prej gjigandëve europianë. Vlerat e tij të jashtëzakonshme si futbollist, dhe gjendja mjaft e mirë, ka bërë që ai të bëhet protagonist kryesor i mediave franceze dhe "gjahu" i menaxherëve më të dëgjuar europianë. Nga burime të sigurta pranë futbollistit bëhet e ditur, se skuadra e Arsenalit i ka bërë një ofertë konkrete dhe kërkon ta ketë në "Emirates Stadium" për sezonin e ardhshëm 24-vjecarin. "Ka qenë vetë trajneri i shquar francez, Arsen Venger, që është i interesuar personalisht për talentin shqiptar që po shkëlqen në rradhët e Olimpikut. Ka disa kohë që Arsenali ka filluar bisedimet me menaxherin e mesfushorit Cana, që është i ati i tij dhe kërkon ta ketë në rradhët e veta duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Në fakt, trajnerit të ‘Topcinjve' i pëlqen shumë loja dhe rendimenti i Canës në kampionatin francez, si dhe fiziku i tij i admirueshëm", bëjnë të ditura këto burime. Më tej është mësuar, se i gjithë sekreti i një kalimi të mundshëm i 24 vjecarit kuqezi në rradhët e Arsenalit, mbetet ana financiare. Vetë Cana ka kërkuar një pagë mujore prej 200 mijë eurosh dhe në rast se drejtuesit anglezë e pranojnë një gjë të tillë, atëherë kalimi i tij mund të jetë i sigurtë dhe tashmë mbetet cështje kohe: "Loriku, nëpërmjet menaxherit të tij, ka kërkuar që të arrijë një shifër mujore prej 200 mijë eurosh, ndërkohë që tek Olimpiku ai paguhet 150 mijë euro në muaj. Nëse arrihet akordi me drejtuesit londinezë, atëherë gjithcka mund të përfundojë me sukses dhe Cana mund të konsiderohet pa frikë, mesfushor i Arsenalit. Gjithsesi, sipas bisedës konfidenciale me të, mund të themi se ende një gjë e tillë është në bisedime e sipër dhe asgjë nuk mund të merret si e përfunduar".
Cana, bisedime edhe me Milanin
Por jo vetëm Arsenali. Edhe Milani është në gjurmët e Lorik Canës. Nuk është aspak një spekullim, por një transferim i mundshëm. Dy ditë më parë, mesfushori shqiptar ka bërë të ditur për mediat se ka oferta të ndryshme nga disa klube të njohura, pa dhënë emra konkretë. Një gjë e tillë është zbuluar vetëm nga burime mjaft të afta me futbollistin që nuk ka nguruar të bëjë të ditur skuadrat që e kërkojnë me shumë dëshirë. "Loriku kërkohet edhe nga Milani dhe kjo është e vërtetë, por, si edhe në rastin e Arsenalit, ai është vetëm në fazën e bisedimeve dhe nuk ka asgjë të sigurtë. Me lojën e tij dhe fizikun që e karakterizon mbetet gjithnjë në shënjestër të skuadrave më të mëdha europiane. Gjithsesi, edhe nëse nuk arrin një marrëveshje me to, përsëri skuadra e Olimpikut të Marsejës është e gatshme t'i ofrojë një rinovim kontrate me shuma edhe më të mëdha financiare se aktualisht. Shuma që ai merr është 150 mijë euro, ndërsa Olimpik është gati t'i ofrojë 170 mijë euro në muaj. Kjo mbetet për t'u parë në të ardhmen".
Dëshira e Lorikut, të zëvendësojë Gatuzon
Për Lorikun nuk mjafton vetëm të jetë një tifoz i "cmendur" i Milanit, pasi ai ka një dëshirë të madhe të veshë fanellën e "djallit" kuqezi dhe të japë kontributin e tij të cmuar për skuadrën e zemrës. Ai shpesh herë e bën të ditur qëllimin që mbart në vetvete: "Dua të zë vendin e Gatuzos". Nuk është një dëshirë e cmendur e tij, por një dëshirë e cila mund të realizohet në të ardhmen, madje shumë shpejt. Ditën e ndeshjes miqësore me Olimpik Tiranën, menjëherë, pasi ka lënë fushën e lojës për t'u zëvendësuar me një tjetër futbollist, Cana është ngacmuar përsëri nga miqtë e tij, të cilët i kanë kujtuar atij mesfushorin e Milanit, Gatuzo, që luan në të njëjtin pozicion me të në fushën e lojës. "Kur do ta largojmë Gatuzon?", e pyesin ata. "Do ta zëvendësojmë sa më shpejt", është përgjigjja e futbollistit të kombëtares, Lorik Cana" që ia kthen me humor, por edhe me një dëshirë të madhe për ta realizuar një gjë të tillë.
Mikel Bizhyti