E Diel, 1 Nëntor 2026

Lorik Cana, mes të dështuarve në Francë

Lorik Cana zhgënjen Francën, e cila në vitet e fundit e kishte ngritur në piedestal si një nga lojtarët më të mirë të këtij kampionati. Një gjë e tillë është bërë e njohur menjëherë pas përfundimit të fazës së parë të sezonit, kur edhe është mbajtur një bilanc në lidhje me paraqitjen e lojtarëve përkatës në këta pesë muaj. Këtu përfshihen jo vetëm futbollistët më të mirë, por edhe më të dështuarit e këtij fillim sezoni. Sipas një analize të botuar në faqen prestigjioze sportive në internet, "Goal.com", kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës pozicionohet çuditërisht mes të dështuarve të kampionatit francez për gjysmën e dytë të 2008-ës. "Një yll i shuar: Lorik Cana, shkruante dje ‘Goal.com‘. Mbrojtësi qendror, ose mesfushori me tipare mbrojtëse i Olimpikut të Marsejës, nuk ka mundur të demonstrojë vlerat e tij të vërteta në asnjërin prej dy pozicioneve, ku është aktivizuar në këtë pjesë të sezonit. Dhe njëkohësisht paraqitja e tij simbolizon edhe sezonin jo në lartësinë e premtuar të skuadrës së tij në këta pesë muaj kampionat. Megjithatë, futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë mund të ngushëllohet të paktën me një ‘rekord‘ të fiksuar në gjithë periudhën, që ai është aktivizuar në radhët e skuadrës së Olimpikut të Marsejës. Ai tashmë ka hyrë në histori si lojtari më i ndëshkuar me kartonë të verdhë, që ka luajtur deri tani me këtë klub. Në koleksionin e tij numërohen plot 49 kartonë të verdhë për kohën që luan për ngjyrat e skuadrës së Marsejës". Një vlerësim jo shumë inkurajues për mesfushorin shqiptar, skuadra e të cilit ka një pozicion jo shumë të mirë në tabelën e klasifikimit të kampionatit francez: renditet e pesta pas 19 ndeshjesh, me 32 pikë, 6 më pak se kryesuesi Olimpik Lion. Gjithsesi, më i dështuari, sipas "Goal.com", është një tjetër: Ivan Klasniç, i cili duket krejt anonim nëse e krahasojmë me atë të vitit të kaluar në Bundesligë. Të tjerë emra në listën e atyre që kanë zhgënjyer janë edhe Ederson, Zhuninjo, Makoun etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›