E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagime qyqare dhe të stërvonuara

Pas shkrimeve të njëpasnjëshme në gazetën "Lajm" për një muaj me radhë, për sjelljen dhe keqtrajtimin e qytetarëve të pafajshëm nga njësiti special policor "Alfa", reagimet e vonuara të partive shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), tamam kanë ngjyrimin qyqar e të pakuptimtë.

Të reagosh me një muaj vonesë apo më tepër, rreth keqtrajtimit që iu bë qytetarëve shqiptarë dhe demonstrimit të muskujve e triumfalizimit të çoroditur nga "Alfa" (njësit policor ende me status të padefinuar mirë ligjërisht), është tamam tallje me qytetarët. Dhe, jo vetëm kaq. Por aventurat e njësitit famoz, në radhë të parë kishin për qëllim uljen e dinjitetit të shqiptarëve, disiplinimin dhe kthimin e dinjitetit të humbur të forcave ushtarako-policore maqedonase, që nga përfundimi i konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.

Pra, me fjalë të tjera, BDI (parti në pushtet) dhe PDSH (në opozitë), janë tallur me dinjitetin e shqiptarëve të këtushëm. Vonesa e reagimeve ndaj brutalitetit dhe keqtrajtimit të paparë nga "Alfa"-t paraqet ose mungesë vizioni, ose mungesë potence politike në vendimmarrjeje, te të dy partitë politike. Përgjigjja më e mirë për gjithë këtë sjellje e neglizhencë të politikës shqiptare në Maqedoni është: Turp! Përgjegjësia është e njëjtë, si për BDI-në, ashtu edhe për PDSH-në. Të mos mundohen tani, të djeshmit (PDSH) t‘i akuzojnë këta të sotmit (BDI), sepse mëkati i sotëm është identik me atë të djeshmin. Tani shqiptarët e kanë mësuar leksionin: Partitë kërkojnë votën për t‘u pasuruar politikanët, për t‘i shijuar privilegjet dhe benificet, dhe jo për t‘u mbrojtur interesi i popullatës, ashtu siç premtohet gjatë fushatave elektorale.

Cilin interes e mbrojtën deputetët e rajonit të Kumanovës dhe Shkupit (pa dallim BDI e PDSH), ndërsa "Alfa"-t po bënin kërdi duke bastisur nëpër shtëpi, pa bërë dallimin strikt ndërmjet kriminelëve dhe qytetarëve të pafajshëm. Kujtojmë se këto dy rajone ishin më të goditura gjatë luftës së 2001-it, sepse rezistenca e UÇK-së pikërisht këtu ishte shumë e fuqishme. Le të na tregojnë një argument deputetët se ata, gjatë këtyre ditëve kishin bërë një hap konkret për të parandaluar "masturbimin" policor të kryepolices Jankullovska, me qëllim të vetëm - ruajtjen e rejtingut të padronit të saj, Kryeministrit Nikolla Gruevski. Ose, a ishte ndonjëri nga ata në shtëpitë e familjeve që u bastisën, për të mësuar shkallën e dhunës dhe tejkalimin eventual të autorizimeve ligjore. Por, ata, si duket "nuk kanë" faj, sepse në listat e deputetëve i kishte radhitur partia nënë, dhe kështu fituan mandatin si përfaqësues të popullit. A thua me nocionin popull, ata kuptojnë vetveten?!

M‘u kujtua një shkrim i publicistit Kim Mehmeti, "Politikanë me pantallona të rëna". Unë desha të shtoj "…edhe pa prapanicë". Sepse, deputetët tanë ende rrojnë nga fama dhe nami i kaluar dhe i tejkonsumuar, si dhe retorika "patriotike".

Sot patriotizmi ka marrë dimensionin dhe definicionin autentik, të vërtetë. Patriotizëm është t‘i ndihmosh qytetarët në ditë të vështira, sidomos kur ata diskriminohen nga strukturat shtetërore. Por, për veprime të tilla duhet në radhë të parë potencë intelektuale dhe kapacitet politik. E ku ta gjesh këtë te deputetët tanë të shkretë, kur ata për ta mbuluar deficitin intelektual, krekosen me të kaluarën tashmë të perënduar. Tani nevojiten veprime konkrete, që kërkojnë potencial dhe kapacitet intelektual e politik.

Siç duket nuk paska faj ministrja e Brendshme, Jankullovska?! Cili nga deputetët shqiptarë të këtij rajoni do ta marrë guximin t‘i dalë përpara kryepolices Jankullovska? Për dallim nga deputetët dhe partitë qyqare shqiptare, Gruevski dhe Jankullovska, e kanë mësuar mirë leksionin: shtoni presionin ndaj shqiptarëve, që të keni rejting dhe mbështetje të lartë tek elektorati maqedonas.

Rejtingomania e ka verbëruar "dyshen" Gruevski-Jankullovska. Ata nuk çajnë kokën për konsekuencat eventuale në këtë situatë tepër delikate. Të hutuar shumë pas rejtingut, situatën në terren ata po e nënçmojnë, duke anashkaluar rritjen e vazhdueshme të tensionit, gjendje kjo që i ngjan, megjithëse nuk dua ta them, periudhës para vitit 2001. I ruajtë Zoti nga kapriçoja Kryeministrin Gruevski dhe ministren Jankullovska! Kurse deputetëve shqiptarë të këtij rajoni, Zoti u dhëntë guxim e mend! Eh, sa e vështirë t‘i kesh këto të dyja bashkë!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›