E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana refuzon Lacion

SHKRUAN: Jeton Selimi 18-04-2011 11:36

Kapiteni i kombëtares shqiptare, kosovari Lorik Cana ka refuzuar ofertën e skuadrës së Lacios, pasi dëshiron të mbetet në radhët e Gallatasarajit. Së paku, kështu shkruan gazeta turke “Hurriyet”. Megjithatë, këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, i cili ishte i gatshëm të ofronte gjashtë milionë euro dëmshpërblim për transferimin e Canës. “Lacio është e interesuar shumë për Lorikun. Kemi insistuar për transferimin e tij, por ai dëshiron të mbetet në klubin turk”, ka thënë Lotito, shkruan e përditshmja turke, “Hurriyet”. 27-vjeçari Lorik Cana ka kontratë me ekipin turk të Gallatasarajit deri në qershor të vitit 2014. Ndërkohë, mediat turke e kanë cituar menaxherin e 27-vjeçarit të ketë thënë se skuadrat angleze, Totenhem Hotspur, Everton e Fulham dhe ato gjermane Shalke 04, Hamburg e Shtutgart kanë shprehur interesim për klientin e tij. “Është e vërtetë që Lacio kërkon ta blejë Canën, por drejtuesit e kësaj skuadre duhet të bëjnë përpjekje të mëdha për ta realizuar këtë transferim”, ka thënë Çaliskan. Ai ka treguar se Cana dëshiron të mbetet te Gallatasaraji, por drejtuesit e klubit turk ende nuk kanë vendosur për ta mbajtur atë në ekip, apo për t’i shqyrtuar ofertat e skuadrave të tjera. “Cana ka lënë përshtypje të mira në Premierligë dhe Totenham, Everton e Fulham janë të interesuara për të, por vetë Cana do të vendosë për të mbetur te Gallatasaraji, apo për të ndërruar mjedis. Po ashtu, Shalke 04, Hamburg e Shtutgart janë të gatshme të bëjnë oferta te Gallatasaraji për Canën”, ka përfunduar ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›