Lotaria kombetare Financat nisin procedurat e licencimit
Ministria e Financave ka nisur procedurat e licencimit të Lotarisë kombëtare, e cila do të operojë në treg për të paktën 10 vjet. Sipas dokumenteve zyrtare të garës, vlera e lejes do të jetë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë. Licencimi i kësaj lotarie vjen në kuadër të zbatimit të ligjit të ri për lojërat e fatit dhe në përmbushje të direktivave të Bashkimit Europian për rregullimin e tregut të lojërave të fatit.
Sipas njoftimit zyrtar të dikasterit të Financave, ata që mund të marrin pjesë mund të jetë një subjekt ose bashkim subjektesh. Sipas kritereve ligjore duhet të ketë kapital, jo më i vogël se 1. 2 miliardë lekë dhe duhet të ketë veprimtari në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 vjet. Një vendim i tillë është miratuar në mbledhjen e qeverisë pak muaj më parë dhe është bërë e ditur se për këtë qëllim është zhvilluar një konsulencë e gjerë, me ekspertë të Shoqatës Europiane të Lotarisë Kombëtare dhe të Shoqatës Botërore të Lotarisë. Gjatë diskutimit të vendimit, kryeministri Berisha ka sugjeruar që një përqindje e të ardhurave nga ky aktivitet të përdoren për të siguruar fonde për të mbështetur sportet, talentet e reja dhe të sëmurët me neoplazi.
Licenca e Lotarisë kombëtare, sipas përcaktimeve ligjore, përfshin të gjitha lojërat numerike, të cilësuara lojëra fati ose siç i njihen ndryshe lotaritë. Këtu përfshihet loja “loto”, që është lojë fati, në të cilën zhvillohen baste për shansin e fitimit të disa numrave. Numrat fitues përcaktohen me hedhje publike të shortit. Në licencën për lotarinë kombëtare përfshihet edhe loja “keno”, loja “loto me shifra” etj.