E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotito: Më kërcënuan me vdekje para Interit

ROME- Kërcënime me vdekje për presidentin e Lacios Klaudio Lotito, para ndeshjes së të dielës kundër Interit. Ka qenë vetë kreu i klubit bardhekaltër që e ka bërë të ditur një gjë të tillë nëpërmjet një komunikate zyrtare, ndërkohë që policia tashmë ka nisur hetimet për zbulimin e autorëve. Lotito ka rrëfyer se ka marrë një zarf me një letër dhe një plumb të kalibrit të lartë. “Më shkruanin se nëse nuk fitonim ndaj Interit, atëherë do të më vrisnin”, ka deklaruar Lotito. Pas akuzave të ardhur nga të gjitha krahët, ai ka reaguar duke zbuluar edhe skenën jo të zakonshme. “Kjo klimë e krijuar rreth nesh, në media, në ambientin sportiv apo në gjithë Italinë, ka krijuar shumë tension, ka dëmtuar imazhin e sportit në kryeqytet dhe ka sjellë kërcënime me vdekje për presidentin dhe lojtarët e Lacios”, shkruan Lotito në komunikatën e tij. Ndërkohë, ai ka rikthyer në qendër të vëmendjes fundin e derbit mes Romës dhe Lacios dy javë më parë, referuar sidomos gjesteve të bëra nga Françesko Toti. “Në derbin e fundit asistuam në veprime që kanë plagosur tifozerinë laciale dhe kanë gjeneruar një klimë dhune, e cila ekzistoi gjatë gjithë javës së shkuar”, thotë presidenti i Lacios. Ai ka deklaruar gjithashtu se të tjerët nuk duhet t’i japin leksione ndershmërie skuadrës së tij, duke përmendur edhe politikanët që janë përfshirë në akuza publike për ndeshjen e së dielës ndaj Interit. “Lacio nuk duhet t’i kërkojë falje askusjt, por duhet t’i kërkohet falje nga ana e atyre që na kanë akuzuar pafund, duke injoruar përgjegjësitë e tyre”, përfundon Lotito në komunikatën e tij për mediat.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›